Certifikata e pasurisë do të kushtojë 1500 lekë, nga 400 që është
Qeveria ka vendosur dje të rrisë disa herë çmimet për dhënien e dokumenteve nga hipotekat. Certifikatat e pasurisë, pas hyrjes në fuqi të vendimit, do të kushtojnë 3.7 herë më shumë se sa tani. Gazeta zbardh të gjitha tarifat e reja për të gjitha veprimet që qytetarët, bizneset apo institucionet e tjera kryejnë me hipotekën. Dokumenti i tapisë, “lëshimi i certifikatave të pasurisë”, nga 400 lekë që kushton aktualisht, do të kushtojë 1500 lekë.
Vendimi i qeverisë është propozuar nga dy ministrat, ai i Financave dhe i Drejtësisë. Vendimi vjen pas përgatitjes së projektligjit nga Ministria e Drejtësisë për pavarësimin financiar të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Sipas Halimit, nga 1 janari pritet që hipoteka të punojë me vetëfinancim dhe, si rrjedhojë, edhe tarifat e vjetra, të miratuara rreth vitit 2000, nuk mund të ishin të mjaftueshme. Një zë që pëson rritje të ndjeshme është fotokopjimi i dokumenteve. Kërkesa për fotokopje të dokumenteve të pasurive të paluajtshme, për çdo faqe, nga 50 lekë që kushton sot, do të kushtojë 200 lekë për faqe, pra rreth 4 herë më shumë. Kjo është një procedurë që pritet të sjellë shumë të ardhura për hipotekat, pasi shumë qytetarë që janë në procese gjyqësore apo në procese të kthimit dhe njohjes së pronës, kërkojnë mijëra faqe dokumente të tilla në hipotekë. Vendimi i djeshëm korrigjon edhe vendimin e vitit 2003, kur në listën e tarifave u shtuan edhe zërat e dokumenteve që u duhen bankave, që janë edhe më të shtrenjtat në listën e tarifave. Çuditërisht, i vetmi zë që nuk ndryshon nga viti 2003, është ai i “Regjistrimit fillestar të veçantë i pasurive të paluajtshme në zonat rurale”. Ky shërbim kushtonte 30 mijë lekë dhe kushton po aq edhe me tarifat e reja. Shtesë ka edhe për hipotekimin e karabinave. Pak ditë më parë, ministri i Drejtësisë theksoi se në ndryshimet ligjore është përfshirë edhe regjistrimi i pallateve, por edhe i apartamenteve të shitura që në momentin kur godina e re është ngritur në karabina. “Regjistrim provizor i karabinasë”, në hipotekë është shtuar në vitin 2004 me një tarifë prej 1 mijë lekësh. Në tarifat e reja të miratuara dje nga qeveria, ky regjistrim do të bëhet për një tarifë prej 6500 lekësh, pra 6.5 herë më shtrenjtë. Ky është zëri i tarifave që ka pësuar rritjen më të madhe.
qeveria po e perdor popullin si fshataret lopen.dhe sa do ta mjelin ate popull?