Home Aktualitet Qeveria i heq licensen e kromit Samir Manes

Qeveria i heq licensen e kromit Samir Manes

687
0

samir-maneQeveria bllokon licencnën e kompanisë më të madhe në Shqipëri të shfrytëzimit të pasurisë minerare, Albanian Chrome në pronësi të biznesmenit të njohur si pranë ish-kryeministrit Berisha, Samir Mane.
Vendimi është marrë më 1 nëntor të këtij viti nga Ministri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri mbi argumentin se kompania nuk ka kryer investime për të stabilizuar situatën dhe infrastrukturën në galeritë e minierave, investime të cilat ishin detyrim i parashikuar në kontratën koncensionare, e specifikisht në zonën më të rëndësishme dhe njëherësh më problematike të koncensionit, zonën D në minierën e Bulqizës. Aktualisht është pezulluar pjesërisht kontrata vetëm për këtë zonë, ndërkohë që licenca ka të bëjë me një zonë më të gjerë shfrytëzimi të territorit ku kërkohet krom.

Kontrolli i nisur nga ministria e Energjetikës dhe Industrisë në tetor të 2013-ës zbuloi se galeritë kishin probleme serioze dhe mangësi të mëdha. Në këto 3 vitet e fundit, janë rreth 70 punëtorë që kanë humbur jetën në galeritë e kromit.

Biznesmeni Samir Mane bleu aksionet e Albanian Chrome më 17 Janar të vitit 2013, pra 6 muaj para se të zhvilloheshin zgjedhjet e 23 Qershorit, në cilësinë e drejtuesit të “Balfin Group”, duke marrë 100 % të aksioneve të ACR, nga kompania austriake Decometal në cilësinë e shitësve.

Burime nga Ministria e Energjetikës dhe Industrisë konfirmojnë se kontrolli do të përfshijë gjithë kompanitë që vijojnë punën në zonën D, por dhe në të gjithë zonën krommbajtëse të Bulqizës. Një grup pune është ngritur për të kryer verifikimet dhe kontrollet e mundshme, ndërsa pritet që shumë shpejt ministria të dalë me konkluzione konkrete.

SI BLEU SAMIR MANE AKSIONET  
Më 17 janar 2013, (pra 6 muaj para se të zhvilloheshin zgjedhjet e 23 qershorit)  Samir Mane si drejtues i “Balfin Group” i bleu aksionet e kompanisë “Albanian Chrome” (ACR), shoqërisë “DCM DECO-metal GmbH-DCM Beteilinungs GmbH”.

Kompania “Albchrome shpk” është kompania më e madhe në Shqipëri e shfrytëzimit të kësaj pasurie natyrore dhe sipas të dhënave tatimore realizoi një xhiro prej 32 milionë eurosh në 2011.

PERPLASJET E KROMIT
Kontrolli dhe shfrytëzimi i kromit në zonën D ka sjellë shpesh përplasje mes bandave rivale, me stilin Far-West, duke  sjellë të paktën 5 të vdekur. Përllogaritet që, sasia e përgjithshme e rezervave të nxjerrshme të mineralit të kromit të shkojë në 10 milionë tonë, me çmim prej 200 dollarësh për ton, teksa kromi rezulton një pasuri me vlerë 2 miliardë dollarë. Deri në fund të 2012-ës, qeveria e Berishës kishte dhënë rreth 106 licenca shfrytëzimi për burimet e kromit, ndërsa prodhimi aktual është rreth 200 mijë tonë në vit.

Në prill të 2012, ish-kryepolici i Dibrës, Shemsi Prençi dha dorëheqjen dhe përmendi mafien e kromit, kurse ministri aktual i Ekonomisë, Gjiknuri i ka kërkuar policisë një raport të 3-vjeçarit të fundit për ngjarjet kriminale atje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here