Publicisti Ardian Klosi tenton vetvrasjen me një grusht ilaçesh qetësuese. Në fillim të javës që sapo lamë pas ai është sjellë me urgjencë në spitalin Neurologjik.
Pas masave paraprake të marra nga mjekët, ai është shtruar në Psikiatri, pasi gjendja nuk paraqitet ende e stabilizuar. Lajmin e konfirmojnë burime pranë Qendrës spitalore universitare, të cilët shtojnë se prej disa kohësh publicisti merrte ilaçe antidepresive. Sipas mjekëve gjendja e publicistit Ardian Klosi ende nuk është e stabilizuar.
Ai është marrë në trajtim me një prej mjekëve neurologë më të mirë në Shqipëri, Afrim Dangëllia. Burime nga QSUT, thonë se publicisti është vendosur në një dhomë të veçantë në repartin psikiatrik dhe është në mbikëqyrje të veçantë. Ardian Klosi është një ndër publicistët e njohur shqiptar dhe ish-drejtues për një kohë të shkurtër i Radio-Televizionit Shqiptar. Ai është i martuar me fotografen e njohur gjermane Jutta Benzenberg me të cilën ka dhe fëmijë.