Home Politike PS:Do shkarkojmë Topallin.Reagon Kryeparlamentarja: Do e mund sërish Ramën

PS:Do shkarkojmë Topallin.Reagon Kryeparlamentarja: Do e mund sërish Ramën

500
0

Me të dalë vendimi i selisë rozë për të kërkuar një mocion ndaj Jozefina Topallit, ka ardhur dhe reagimi i kësaj të fundit ku ka thënë se do ta mundë Edi Ramën në çdo mocion që do të vijë për të. Në Kuvendin e Shqipërisë, Partia Socialiste, dorëzoi dje kërkesën për mocion me debat për çështje të integrimit, mbështetur në nenin 98 të Rregullores. “Si Kryetare e Kuvendit, ndjehem sërish e zhgënjyer nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili, për shkak të Leprit që ka në bark, nuk mbajti premtimin për të dorëzuar në Kuvend mocionin kundër Kryetarit të Kuvendit”, thuhet në reagimin e Topallit në faqen zyrtare të Parlamentit. Në fund Jozefina Topalli është shprehur se Rama nuk do të mund të sulmojë asnjë institucion demokratik në vend. “Dy gjëra i garantoj Edi Ramës: E para, siç kam bërë në çdo rast dhe në çdo kohë, do respektohet pikë për pikë ligji dhe Rregullorja e Kuvendit; E dyta, e garantoj Edvin Ramën se do ta mundim në çdo mocion dhe në çdo sulm, që ai do të ndërmarrë kundër Kuvendit, kundër Kryetarit të tij dhe kundër çdo institucioni tjetër, që garanton sistemin demokratik në Shqipëri”, përfundon reagimi i Topallit.

Grupi i PS pranon Paulin Sterkajn si anëtar të tij

PS: Mocion me debat dhe votë të fshehtë për shkarkimin e Topallit

Grupi Kuvendor i Partisë Socialiste ka vendosur që të bëjë mocion për të shkarkuar nga detyra Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Vendimi është marrë dje dhe do të depozitohet seancën e sotme parlamentare. Selia rozë e mbështet kërkesën e saj siç thuhet në dokument, tek konkluzionet e opinionit të Komisionit Europian mbi mospërmbushjen e objektivave nga qeveria e Republikës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat por edhe kritikat e Komisionit Europian. Po ashtu në mbledhjen e ditës së djeshme Grupi i PS ka pranuar kërkesën e deputetit Paulin Sterkaj për tu bërë pjesë e grupit të PS-së.
Mocioni
Partia Socialiste argumenton mocionin për Topallin duke u mbështetur në punën e saj të dobët në hartimin dhe zbatimin e ligjeve, për mosrespektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Më tej, në kërkesën e PS-së, thuhet se Kryetarja e Kuvendit ka politizuar votën mbi emërimet e Presidentit të Republikës në Gjykatën Kushtetuese, për gjuetinë politike siç thuhet në kërkesë mbi nëpunësit me status civil. Duke dënuar fuqimisht korrupsionin galopant shkruhet në dokument, si dhe presionin politik që ushtron qeveria për pengimin e rasteve të hetimit, ndjekjes penale dhe dënimit të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë.
Procedurat e mocionit
Sipas selisë rozë Kuvendi i Shqipërisë ka humbur funksionin e tij si institucion i pavarur, për më tepër thuhet në dokument, që shkel Kushtetutën dhe rregulloren nën presionin e ekzekutivit, që pengon sistematikisht kontrollin parlamentar mbi ekzekutivin dhe që nuk përfshin grupet e interesit dhe nuk konsultohet me to gjatë hartimit dhe miratimit të ligjeve. Mbështetur në të gjitha këto pika, Partia Socialiste del në konkluzionin se pozicioni i Kryetares së Kuvendit është keqpërdorur ndaj bëhet kërkesa për mocion me debat për Jozefina Topalli. Nga selia rozë konfirmohet se mocioni do të pasohet nga procedurat për shkarkimin e Kryetares Topalli në Kuvendin e Shqipërisë me anë të një votimit të fshehtë. Po ashtu gjatë mbledhjes së Grupit me dyer të mbyllura është pranuar që deputeti Paulin Sterkaj të bëhet pjesë e Grupit të cilin e braktisi përpara tre vitesh. Sterkaj paraditen e djeshme i ishte drejtuar me një letër PS-së për të qenë pjesë e saj pasi ishte shkëputur përfundimisht nga mazhoranca duke dhënë si arsye kryesore një seri pakënaqësish ndaj mënyrës së qeverisjes.

PS harton rezolutë për statusin
Partia Socialiste ka hartuar një rezolutë përmes së cilës shprehet angazhimi i politikës shqiptare në përmbushje të detyrimeve që burojnë nga opinioni i Komisionit Europian në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në piken e parë të kësaj rezolute kërkohet angazhimi i palëve për të zgjidhur krizën politike në vend duke garantuar transparencën e zgjedhjeve të shkuara mbështetur mbi ofertën e kompromisit të opozitës në bazë të Rezolutës së Parlamentit Europian, duke filluar menjëherë hetimin parlamentar përmes një komisioni hetimor me shumicë nga opozita e nën drejtimin e opozitës, me një mandat të plotë hetimi për kutitë e materialeve zgjedhore.
Rezoluta
Më tej, thuhet në rezolutë, menjëherë pas fillimit të hetimit për zgjedhjet, të niset puna e përbashkët për kuadrin zgjedhor që do të garantojë mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme në përputhje me standardet europiane. Po ashtu kërkohet nxjerrja e përgjegjësive të Kuvendit të Shqipërisë lidhur me refuzimin e marrjen e statusit të vendit kandidat. Në rezolutë përcaktohen si pika të tjera të rëndësishme sigurimi i pavarësisë kushtetuese dhe financiare të sistemit të drejtësisë duke kontribuar veçanërisht për rritjen e përgjegjshmërisë dhe eficencës së tij nëpërmjet disa reformave të përbashkëta. Ndërmarrja e një nisme të përbashkët kundër krimit të organizuar, kulturës së pandeshkueshmërisë e korrupsionit në të gjitha nivelet. Më tej kërkohet përgatitja, miratimi dhe zbatimi i një strategjie dhe Plan Veprimi Kombëtar për Pronën, duke iniciuar një proces të gjerë e gjithëpërfshirës konsultimi, në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut. Në rezolutë nuk mbeten pa përmendur edhe autonomia e medias dhe sigurimi i autonomisë vendore në zbatim të kartës Evropiane të Autonomisë Vendore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here