Home Aktualitet PS braktis Bollanon, nuk do e mbështesë për Bashkinë e Himarës

PS braktis Bollanon, nuk do e mbështesë për Bashkinë e Himarës

507
0

Partia Socialiste ka vendosur të mos mbështesë kandidaturën e Vasil Bollanos për një mandat të tretë si kryetar i Bashkisë Himarë. Burime brenda selisë rozë theksojnë se ky vendim ka ardhur jo vetëm si pasojë e qëndrimeve të vazhdueshme antikombëtare të Bollanos, por edhe si rezultat i shkeljeve të verifikuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në këtë bashki. Me këtë vendim opozita do të detyrojë Bollanon që të kërkojë mbështetje diku tjetër ndoshta te e djathta e cila ende s’ka lënë një emër për Himarën. Bashkia e vogël e Himarës do t’i lihet PBDNJ-së së Dules por jo për kreun aktual të Bashkisë, Vasil Bollano.
Arsyet e mos mbështetjes
Në raportin me 89 faqe të KLSH përmenden jo pak, por 239 herë fjalët në kundërshtim me ligjin, dëm ekonomik, përfitim i padrejtë fondesh, shkelje procedurash dhe favorizim i padrejtë. Sipas këtij kontrolli, tenderat deri tek ai i varrezave të reja të qytetit të Himarës kanë rezultuar me shkelje ashtu si lejet e ndërtimit të pasuara nga shkelje të shumta të ligjeve në fuqi. Në këtë kontroll në Bashkinë Himarë janë gjetur tendera të fituar nga kompani të caktuara të cilat kanë përfituar më shumë para për projektimin e rrugës sesa duhen realisht për ndërtimin e saj. KLSH ka mundur të gjejë çudira të shumta të tilla në Bashkinë Himarë ku duket se shkeljet kanë pasuar njëra-tjetrën. Mes tyre KLSH ka vënë theksin edhe tek mungesa e arsimit përkatës nga ana e drejtuesve të kësaj bashkie. Kontrolli i Lartë i Shtetit e akuzon Vasil Bollanon për abuzime që kapin vlerën e 230 milionë lekëve të vjetra. Edhe pse është një bashki e kategorisë së tretë për nga numri i banorëve kjo nuk e ka penguar bashkinë e drejtuar prej dy mandatesh nga Vasil Bollano të renditet në vendet e para në listën e abuzuesve përsa i përket prokurimeve publike.
Bollano mbetet vetëm
Pas këtij vendimi të Partisë Socialiste tashmë Bollano mund të gjejë strehë tek demokratët kur dihet se raportet e tij me kryeministrin Berisha janë dukur mjaft të forta gjatë gjithë daljeve të shefit të qeverisë në jug të vendit. Mbetet për t’u parë se çdo të ndodhte deri në 8 Maj, por e sigurtë është se Bollano në konkurrimet e vetme të vërteta në Himarë në 2000 dhe 2001 ka dalë humbës. E ndërkohë në këto zgjedhje veç të tjerash do ta ketë të vështirë të fshihet pas petkut të himarjotëve kur më shumë se kushdo duhet t’u japë shpjegime këtë herë për abuzimet me fondet e tyre.

Bashkia e Korçës: Deklaratat e konsullit të papërgjegjshme, hiqeni

Këshilli Bashkiak i qytetit të Korçës ka reaguar dje pas kthimit në detyrë të konsullit grek Theodhoro Ikonomus. Anëtarët e Këshillit Bashkiak kanë kërkuar dje, një ditë pas kthimit në detyrë të Ikonomus zëvendësimin e tij për shkak të deklaratave antishqiptare që ka bërë, siç i cilësojnë atë. “Nuk kemi lidhje me shovinizmin. Deklaratat e Ikonomus janë shoviniste e të papërgjegjshme”- deklarojnë bashkiakët e Korçës. Këshilli Bashkiak i Korçës në deklaratën e tij ka theksuar se do të bashkohen me protestat e shoqatave atdhetare. Konsulli u bë i njohur për deklaratat e tij ku i bënte thirrje korçarëve të regjistroheshin si grekë, deklarata, të cilat shkaktuan reagime të forta. Pas tre javësh mungesë ai është rikthyer dje në konsullatën greke të Korçës, ndërkohë që sot vijnë përsëri deklarata kundër tij.

Vlorë, firmoset peticioni: Jo regjistrimit mbi baza etnike, fetare
Nga “Sheshi i Flamurit” ka nisur grumbullimi i firmave të peticionit për anulimin e ligjit të gjendjes civile që favorizon ndërrimin e kombësisë dhe shpalljes të paligjshme të formularit të regjistrimit me vetdeklarim etnie dhe feje. Peticioni është hartuar nga 75 shoqata kulturore dhe atdhetare dhe nëpërmjet tij kërkohet anulimi i ligjit të gjendjes civile, “i cili favorizon ndërrimin e kombësisë nga shqiptare në të huaj, kryesisht greke, si dhe, mos aplikimin e këtij formulari për regjistrimin e popullsisë, ku kërkohet deklarimi i etnisë dhe fesë.”  Vetë zv. kryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu ka firmosur i pari peticionin. Ai u shpreh mes të tjerash se, “janë dashur disa javë kohë për të përfshirë në axhendën e shoqërisë shqiptare çështjen e gjetjes së mjeteve ligjore për të kundërshtuar regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike e fetare”. Ai nënvizoi se, aktualisht ekzistojnë strukturat e nevojshme ligjore për ta kundërshtuar këtë proces që “deformon shtetin shqiptar”. Sipas tij, “Kurrë shqiptarët nuk janë identifikuar me fenë. Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Duke iu referuar partive politike tha se “ka një heshtje e cila mund të rrezikohet që të vetëshndërrohet në hedhje baltë të atyre të cilët sot kanë marrë përsipër të mbrojnë kauzën historike të mbrojtjes së identitetit të Shqipërisë e kombit”. Peticioni që të bëhet nismë ligjvënëse duhet të mbledhë 20 mijë firma. Nisma e nisur në Vlorë do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Pasi të arrihen 20 mijë firma peticioni do t’u drejtohet institucioneve të larta të vendit, Parlamentit të Shqipërisë, Presidentit, Kryeministrit, Kryetares së Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese, Bashkimit Europian dhe për dijeni Trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here