Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama kërkoi krijimin e një fronti opozitar kundër pushtetit, që sipas tij, dëshmoi papërgjegjshmëri si para, edhe pas zgjedhjeve.
Ky ishte mesazhi politik që u dha nga LSI në përfundim të mbledhjes së kryesisë, një mesazh që duket se nënkupton kërkesën e LSI-së për formimin e një koalicioni opozitar.
Sipas Luan Ramës, u konfirmua ajo që denoncoi LSI, vjedhja skandaloze e votave.
“Bëmë një vlerësim politik të situatës politike në vend duke e vënë theksin tek domosdoshmëria e krijimit të një fronti opozitar kundër pushtetit që dëshmoi papërgjegjshmëri para dhe gjatë procesit të zgjedhjeve, atë që LSI e ka denoncuar si proçes të kriminalizuar, të dominuar nga paratë e krimit dhe drogës…Kjo është një njollë e madhe turpi për ata të verbër që s’kanë sy të shikojnë rastet skandaloze të vjedhjes së votes.”, – deklaroi Luan Rama në një konferencë për shtyp nga selia e LSI-së në Tiranë.