Home Aktualitet Prokuroria: Të hapura të gjitha pistat. Policia: Abort i vullnetshëm

Prokuroria: Të hapura të gjitha pistat. Policia: Abort i vullnetshëm

573
0

Dita e djeshme ka zbardhur lajmin më horror që është dëgjuar ndonjëherë në Shqipëri, ku bashkëshortja e kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë së Kavajës znj.Griselda Roshi (Zaimi) shtatzënë në muajin e nëntë ka denoncuar rrëmbimin e saj, detyrimin për të lindur fëmijën me dhunë dhe zhdukjen e foshnjës. Por, në orët e vona të natës së mbrëmshme, burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, shprehën rezerva për këtë denoncim të bashkëshortes së Elvis Roshit, i cili prej disa ditësh ndodhej për një vizitë familjare në Itali.

Policia deklaroi mbrëmë se ishte zbuluar klinika ku Griselda kishte shkuar vullnetarisht, por zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme dhe atyre për Krime të Rënda, nuk pranuan të japin ndonjë detaj, duke u mjaftuar me fjalët “jemi në verifikim e sipër të të gjitha pistave të mundshme”.

Gjithçka ka nisur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, ka marrë një denoncim nga vëllai i kreut të sapo zgjedhur të Bashkisë së Kavajës. Efektivët e Policisë për Krime të Rënda pranë Drejtorisë së Qarkut në Durrës dhe ata të Tiranës, kanë zbarkuar në banesën e familjes Roshi. Agjentët e policisë, me ndihmën e një psikologeje ka marr kallëzimin nga shtetasja Griselda Roshi.

Aty nga ora 10:00 e paradites së djeshme pranë familjes Roshi kanë zbarkuar edhe Prokurorët e Krimeve të Rënda Henrik Ligori dhe Njazi Seferi të shoqëruara nga hetuesja femër Eriona Daupaj, për të lehtësuar marrjen në pyetje të 27 vjeçares Roshi, e cila ndodhej në gjendje të rëndë psikologjike.

Ndërkohë, pak orë më pas, në Kavajë është kthyer edhe vetë kreu i sapo zgjedhur i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi i cili ishte njoftuar për ngjarjen. Prokurorët dhe efektivët e policisë, kanë marë për disa orë dëshminë e vajzës 27 vjeçare, e cila ndër të tjera ka rrëfyer se si kishte përfunduar në duart e rrëmbyesve e deri tek njoftimi i familjarëve për këtë tragjedi.

Dëshmia

“Kisha disa ditë që kisha vajt në banesën e prindërve që ndodhet në rrugën “Qemal Stafa”. Nga pasditja e ditës së djeshme (të martë) kisha lënë një takim me një shoqen time tek qendra tregtare “Kristal” ku do të shikoja edhe për ndonjë rrobë për bebin, pasi prisja dita ditës që të lindja. Atje kam takuar në lokal edhe kunatin (vëllain e Elvis Roshit) dhe mikeshën time ku edhe kemi pirë kafe. Aty nga ora 19:00 është larguar kunati nga lokali. Para se të largohet më tha që të më dërgonte në banesën e prindërve ku banoja, por, i kërkova të shkonte pasi do ikja vetë me taksi pasi të rrija edhe pak me shoqen.

Pas 15 minutave jam ngritur së bashku me shoqen dhe kam dal te taksitë për të ikur në shtëpi. Aty është afruar një makinë e tipit “Fuoristrdë” me xhama të errëta dhe kanë zbritur tre persona trup mëdhenj dhe më kanë kapur për krahu duke më futur në makinë. Nuk kishin maska dhe nuk jam në gjendje të jap detaje të fizikut të tyre. Në makinë më kanë ulur kokën dhe më kanë zbritur në një shtëpi që ndodhej afër një pyll diku në autostradë, të rrethit të Komunës Kashar.

Aty në një dhomë më kanë futur ku ndodhej një grua dhe më kanë shtrirë në një tavolinë. Aty me anë të dhunës psikike dhe presionit më kanë dhënë një serum në krah, ku kam humbur vetëdijen dhe kur jam zgjuar nuk e kisha bebin në barkë. Për shkak të hemorragjisë që kisha më kanë ndërruar edhe rrobat dhe bebin nuk e kam parë. Më kanë hipur sërish në po të njëjtën makinë dhe më kanë zbritur pak metra nga shtëpia e burrit në Kavajë.

Jam zvarritur me aq mundësi që kisha dhe jam afruar derës kryesore, ku kam lajmëruar njerëzit e burrit dhe më pas policinë. Nuk mbaj mend vendin ku më kanë dërguar dhe as përshkrimin fizikë të tyre”-mësohet se ka thënë ndër të tjera 27 vjeçarja Griselda Roshi para hetuesve të policisë dhe prokurorisë.

Hetimet

Nga ana tjetër, në kohën që merrej në pyetje 27 vjeçarja, prokurorët e çështjes kanë kryer një sërë veprimesh procedurale e hetimore. Gjithashtu, kanë shoqëruar në ambientet e policisë edhe të afërmit të 27 vjeçares Roshi, prindërit, motrën, vëllezërit e Elvis Roshit, vetë këtë të fundit, mikeshën me të cilën po pinte kafe, disa taksistë që punojnë gjithmonë në dalje të qendrës “Kristal” dhe shumë persona të tjerë. Nga të gjithë këta të pyetur, sipas të dhënave që “Shekulli” ka mësuar, familja Roshi nuk kishte ndonjë problem apo konflikt me persona të tjerë.

Edhe prindërit e vajzës, kanë konfirmuar të njejtën gjë, duke u shprehur se vajza e tyre të premten do të shtrohej në Spital pasi i kishte ardhur koha për të lindur. Gjithashtu, hetuesit dhe prokurorët e çështjes, kishin vendosur dhe dërguar vajzën edhe tek Mjekësia Ligjore për të kryer ekzaminimin mjekësore të 27 vjeçares, me ndihmën e disa gjinekologëve dhe mjekëve specialistë për të konstatuar se lindja ka qenë e dhunshme apo e vullnetshme.

Gjatë kësaj kohe, ekspertët e Mjekësisë Ligjore, kanë konstatuar vetëm disa shenja të mavijosura në njërin nga krahët e 27 vjeçares, që vajza pretendon se është kapur nga rrëmbyesit. Në asnjë pjesë të trupit, mësohet se mjekët nuk kanë konstatuar ndonjë shenjë apo dëmtim, të shkaktuar nga të goditurat apo dhuna e ushtruar nga rrëmbyesit, dhunë që edhe vetë 27 vjeçarja më pas e ka mohuar se kanë ushtruar ndaj saj, përveç presioneve psikologjike.

Policia

Në orët e vona të natës së mbrëmshme, kanë qenë burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilët njoftuan se historia e rrëmbimit të vajzës mund të jetë një sajesë e saj, duke mos dhënë arsyet se pse ishte bërë e gjithë kjo sajesë e tmerrshme. Sipas policisë, “rrëmbimin” e sajuar e ka zbuluar një qytetar i kryeqytetit, i cili punon si taksi në zonën e Komunës së Parisit.

Ka qenë ky taksisti i cili, pasi është marr në pyetje nga policia ka pranuar se në atë orë kur pretendon se është rrëmbyer bashkëshortja e kreut të sapo zgjedhur të Bashkisë së Kavajës, i kishte ofruar shërbim një vajze të re, e cila ishte shtatëzën dhe i kishte kërkuar ta shoqëronte në një klinikë private gjinekologjike që ndodhej në afërsi të Maternitetit të ri në zonën e Bërrylit.

Me ndihmën e këtij taksisti, sipas policisë, është zbuluar edhe klinika ku 27 vjeçarja mendohet se ka bërë abortin e vullnetshëm të bebit të seksit mashkull. Sipas policisë, nuk dihen arsyet pse vajza e ka bërë këtë veprim, duke pretenduar më pas për rrëmbim dhe detyrim për të abortuar fëmijën..

Këqyrja

Në orët e vona të mbrëmjes, ekspertë të Policisë Shkencore dhe asaj mjekësore kanë zbarkuar në këtë klinikë private duke sekuestruar dhe grumbulluar prova të mundshme materiale për të provuar abortin e kryer nga 27 vjeçarja. Gjithashtu, për të zbardhur këtë pretendim të policisë, janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës rreth 10 persona të ndryshëm, mes tyre, pronari dhe personeli mjekësor i kësaj klinike gjinekologjike

Janë sekuestruar të gjitha librat e regjistrit të lindjeve dhe aborteve në këtë klinikë, janë marrë mostra gjaku dhe analiza të ndryshme, që mendohet se janë bërë nga vajza 27 vjeçare dhe policia pritet të zbardhë me ndihmën e mjekëve edhe misterin e zhdukjes së bebit.

Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda dhe Prokuroria e Përgjithshme, të pyetur për këtë fakt janë treguar mjaft të rezervuar duke mos pranuar të japin asnjë detaj. Sipas tyre, “është regjistruar një kallëzim penal e bërë nga shtetasja Griselda Roshi dhe jemi në fazën e verifikimit dhe hetimit të çdo piste të mundshme. Po verifikojmë të gjitha pistat e mundshme, por, nuk kemi ende një konkluzion përkatës, kjo pritet të zbardhet në ditët në vazhdim”- thonë zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme. Pritet që në ditët në vazhdim, misteri i “rrëmbimit” apo “sajesa” e ngritur të zbardhet nga Policia dhe Prokuroria për Krime të Rënda.

* * * *

Dhimbje dhe habi në shtëpinë e Elvisit

Prisnin që t’u sillte djalin në shtëpi ndërkohë që ka mbërritur e përgjakur në orët e para të mëngjesit. Ajo çfarë i ka ndodhur Griselda Zaimi Roshit, bashkëshortes së kryebashkiakut të sapozgjedhur të Kavajës, është mbuluar nga një mister i vërtetë pas deklarimeve kontradiktore të prokurorisë dhe policisë mbi ngjarjen gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme.

Dëshmia e Griselda Rroshit

Griselda ka dëshmuar se ka qenë duke ecur mbrëmë rreth orës 19:15 në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Shtatzënë, pasi ka pirë një kafe me një mikeshë në një lokal, Griselda i është drejtuar një zone ku qëndrojnë taksi, për të shkuar më pas në shtëpinë e prindërve. Griselda kishte ardhur në Tiranë, pasi ditën e premte priste të lindte e të shtrohej në maternitet.

Sipas dëshmisë së 27 vjeçares, teksa ishte duke ecur drejt taksisë, një fuoristradë me xhama të zinj ka ndaluar përpara Griseldës dhe nga makina kanë dalë 3 burra të armatosur që e kanë futur me forcë në makinë. Ajo dëshmoi se ata e kanë rrahur, kërcënuar dhe çuar në një vendndodhje tjetër, të parapërgatitur, ku veç tre burrave qenë të pranishëm edhe disa të tjerë, madje edhe gra [mami]. Në ato momente, Griselda është goditur dhe ka humbur ndjenjat. Kur ka riardhur në vete, Griselda mban mend t’i jetë injektuar një serum, dhe disa momente më pas ka lindur.

Për shkak të hemorragjisë i janë ndërruar edhe rrobat dhe në orën 03:45 të 1 qershorit e kanë marrë sërish me fuoristradë dhe e kanë hedhur nga makina rreth 50 metra larg shtëpisë në Kavajë. E gjakosur, e rrahur, Griselda është zvarritur deri në shtëpinë e saj, pa fëmijën e sapolindur që ka mbetur në ambientin ku Griselda është mbajtur për më shumë se 6 orë. Ende në këto momente nuk dihet as ku është dhe as si është fëmija.
Kjo ishte dëshmia që vajza ka dhënë para prokurorëve të krimeve të rënda që kanë ngritur me urgjencë dje një grup të posaçëm.

Kallzimi u bë nga vëllai i Elvisit

Rreth orës 10 të paradites së djeshme, vëllai i kryetarit të Bashkisë së Kavajës është gjëndur në drejtorinë e policisë së qarkut Tiranë. Kallzimi për një krim makabër ka tronditur fillimisht oficerët që kanë marrë kallzimin të cilët menjëherë kanë sinjalizuar drejtuesit më të lartë të policisë së shtetit.

Vëllai i kryetarit të bashkisë së Kajavës ka rrëfyer se familja e tij nuk ka patur asnjë hasmëri dhe se ngjarja e rrëembimit të Griseldës ka ndodhur në rrugën Komuna e Parisit. Burime të policisë bëjnë të ditur për gazetën “Shekulli” se menjehrë pas kallzimit të bërë është ngritur grupi i hetimit i kryesuar nga prokurorë të Krimeve të Rënda.

Prokuroria dhe policia kanë qenë në gjatësi të ndryshme vale në deklarimet e tyre gjatë mbrëmjes së djeshme. Policia njoftoi se janë shoqëruar rreth 26 persona për të cilët policia e shtetit mendon se kanë dijeni me ngjarjen. Deri më tani dyshohet se fëmija i kryebashkiakut ka vdekur gjatë lindjes së detyruar, por askush nuk di të thotë më saktësi fatin e foshnjes së gjorë. Një ekspertizë mjekoligjore është kryer në orët e vona të pasdites së djeshme për të hedhur më shumë dritë mbi rrethanat e kësaj ngjarje të rrethuar me mister.

Elvisi: Pres që hetimet të zbardhin ngjarjet

Deputetë të PS dhe kreu i saj Edi Rama së bashku me bashkëshorten e tij, janë gjendur në shtëpinë e kryebashkiakut në orët e mbrëmjes së djeshme. Nuk kanë pranuar të bëjnë asnjë koment për ngjarjen e ndodhur. “Është e tmerrshme ajo që më ka ndodhur mua, një krim i llahtarshëm, po pres që hetimet të zbardhin këtë ngjarje”- tha mbrëmë Elvis Roshi, shtëpia e të cilit deri në orët e para të mëngjeti ka qenë “e rrethuar” nga qindra qytetarë të zonës që shprehnin solidaritet me dhimbjen e familjarëve. Elvisi është kthyer me urgjencë nga Italia sapo është telefonuar për ngjarjen.

Kush është Griselda (Zaimi) Rroshi

Griselda (Zaimi) Rroshi, 27-vjeç, është më e vogla e tre fëmijëve të familjes Zaimi nga qyteti i Përmetit. Çifti Muhamet dhe Alie Zaimi ka tre vajza Arbana, Enkelejdën dhe Griseldën. Motra e madhe ka mbaruar për frëngjisht ndërsa Enkelejda ka mbaruar për mjekësi. Griselda, e lindur më 29 maj të vitit 1984, ka studiuar në Kamëz. Pas vitit 1997, familja e Muhamet Zaimit është shpërngulur nga Përmeti për të jetuar në Tiranë.
Sipas miqve të familjes, ajo është njohur me Elvis Rroshin gjatë studimeve në Kamëz. Të njëjtat burime pohuan se Griselda dhe njëra nga motrat, prej pesë vitesh kanë një dyqan kozmetike në një prej qëndrave tregtare të kryeqytetit. Kryesisht ato tregtojnë materiale kozmetike, të cilat vijnë nga Franca.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here