Home Aktualitet Prokuroria e Hanoverit: Hetimet kane filluar ne Mars 2014

Prokuroria e Hanoverit: Hetimet kane filluar ne Mars 2014

698
0

laboratori-droge-xibrakeRrjeti i trafikut të kokainës që ngriti laboratorin e përpunimit të drogës në Xibrakë të Elbasanit, po hetohet paralelisht në Gjermani dhe në Shqipëri. Prokuroria e Hanoverit në një deklaratë të lëshuar sot për mediat bën me dije se ka nisur hetimet për këtë grup që nga marsi i vitit 2014, ndërsa dyshohet se trafikonin sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut për në Evropë.

Prokuroria e Hanoverit thotë se ishin dy persona në Gjermani të parët që ngjallën dyshime për hetime, më pas në vjeshtë të vitit 2014 është kërkuar ndihma e organeve hetuese shqiptare.

JA DETAJET E HETIMIT NË GJERMANI

“Që nga marsi i vitit 2014 Inspektorati Qendror për Krimet në Gëtingen (ZKI Göttingen) nën drejtimin e Prokurorisë së Hanoverit, Zyrës Qendrore për Çështje Penale në Fushën e Narkotikëve, po kryen hetime në mbulim në ngarkim të një rrjeti ndërkombëtar trafiku lëndësh narkotike, i cili dyshohej që trafikonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut për në Evropë. Fillimisht hetimet nisën në ngarkim të një shtetasi shqiptar 46-vjeçar, i cili banonte përkohësisht në Hameln, si edhe një 47-vjeçareje nga Bodenverderi (Bodenëerder), e dyshuar si bashkëpunëtore e tij.

Pasi në vjeshtën e vitit 2014 u shtuan dyshimet që baza e kokainës ndodhej në Shqipëri, autoriteteve të atjeshme iu dërgua një kërkesë për mbështetje, duke u përcjellë edhe informacionet e nevojshme. Hetimet në Shqipëri çuan në zbulimin e një laboratori të madh kokaine në një kompleks ndërtesash të veçuara dhe të ruajtura me masa shumë të larta sigurie në afërsi të qytetit të Elbasanit. Në datën 14.01.2015 njësitë speciale të Policisë së Shtetit Shqiptar kryen kontrolle ndër të tjera edhe në këtë objekt. Gjatë kontrolleve të kryera u arrit të sekuestroheshin në një automjet rreth 20 kg kokainë e pastër. Më tej, autoritetet shqiptare sekuestruan edhe disa armë, midis të cilave një armë automatike, para’ në monedha të ndryshme me një vlerë totale prej mbi 400.000 eurosh si edhe disa automjete dhe sasi të mëdha kimikatesh.

Nga hetimet paraprake dyshohet që kokaina është përzier në Amerikën e Jugut me substanca të parrezikshme dhe pas mbërritjes përftohej sërish në Shqipëri. Dyshohet që laboratori i kokainës ka funksionuar prej disa muajsh. Ende vazhdojnë hetimet për të zbuluar se sa drogë mund të jetë prodhuar gjithsej në laborator.

Në Shqipëri u arrestuan 11 shtetas. Ndër të arrestuarit janë edhe dy kolumbianë si edhe 46-vjeçari nga Hamelni. Përveç tyre u arrestua edhe njëri nga nipërit e ish-diktatorit shqiptar Enver Hoxha. Me sa është bërë e ditur, pjesa më e madhe e të akzuarve në Shqipëri ka marrë masën e sigurisë arrest me burg.

Hetimet e autoriteteve shqiptare i mbështetën atje edhe një prokuror i Prokurorisë së Hanoverit, oficerë krimesh të Inspektoratit të Gëtingenit dhe Policisë Federale Kriminale si edhe ekspertë të Zyrës Kriminale të Landit Nidersaksen.

Të mërkurën në Hameln dhe Bodenverder u kontrolluan banesat e 46-vjeçarit dhe 47-vjeçares së dyshuar si bashkëpunëtore e tij.

Hetimet vazhdojnë. Informacione të mëtejshme mund të merren pranë Prokurorisë së Hanoverit.

BASHKËPUNËTORËT

Së paku tre emra personash që dyshohet se kanë bashkëpunuar me grupin e kokainës, janë shpallur në kërkim policor, pasi nuk ranë në pranga gjatë aksionit të zhvilluar në Tiranë dhe në Elbasan më 14 janar. Genxi Xhixha, 39 vjeç, person me hyrje-dalje të shumta në Shqipëri, e fundit më 12 janar të këtij viti, dyshohet se është personi me rolin kryesor. Ai jeton prej vitesh në Kubë dhe mendohet se ka qenë personi që siguronte kontaktet për furnizimin e laboratorit të Xibrakës me lëndë narkotike.

Një tjetër person “në kërkim policor” është Pranvera (Aga) Ebeling, një emër i dalë në skenë në informacionin shkresor të ardhur nga Gjermania më 17 dhjetor 2014, e dyshuar si transportuese e drogës, por që në asnjë rast në Shqipëri apo në Gjermani nuk është gjetur ndonjë provë direkte për implikimin e saj.

Ebeling është larguar nga Shqipëria më 3 janar 2015, ndërsa në banesën e saj në Gjermani u bë kontroll pas operacionit në Tiranë dhe Elbasan, por nuk u gjetën prova apo materiale komprometuese. Personi i tretë është një shtetas me emrin “Karlos”, për të cilin dy kolumbianët që punonin në laborator, kanë thënë se është bashkëkombës i tyre, por me nënshtetësi holandeze.

Ky person i kishte sjellë në Shqipëri “dy kimistët” e kokainës dhe u kishte bërë edhe dy pagesa në vlerën 9 mijë euro, duke shkuar disa herë edhe te laboratori i kokainës në Elbasan. Prokuroria ka kërkuar dëshmi nga nëntë personat e arrestuar në lidhje me detaje të veprimtarisë së tyre apo për persona të tjerë të përfshirë në trafik, por asnjëri prej të pandehurve nuk ka pranuar të japë shpjegime.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here