Kryeministri i vendit Edi Rama i pranishëm në ceremoninë e organizuar me rastin e dhurimit të 30 motorëve dhe kamerave për makinat e policisë nga nje kompani turke, theksoi nevojën e një transformimi rrënjësor të policisë së shtetit gjë qe tashmë sipas tij ka nisur dhe është në rrugë të mbarë.
Rama ka risjellë në vëmendje gjendjen e rëndë në të cilën sipas tij qeveria e re e gjeti policinë e shtetit, ndërsa garantoi se vëmendja e qeverisë ndaj tyre do të jetë maksimale për të hapur një epokë të re ku policia e shtetit të ketë dinjitetin e duhur dhe ku të gjithë, përfshi edhe politikanin apo autoritetin më të rëndësishëm, të jenë të barabartë para ligjit.
“Do të fillojë faza dy e transformimit të policisë së shtetit me hapin e parë drejt inovacionit në polici, që do të na bëjë të kapërcejmë vite të tëra prapambetje dhe do të na bëjë që në një kohë shumë të shkurtër të mbërrijmë në standarde të panjohura më parë të sigurisë në marrëdhëniet e qytetarit me policinë e shtetit”, tha Rama.
Tahiri: Akuzave u përgjigjemi me punë
Ndërkohë, ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri deklaroi se akuzave dhe debateve boshe të opozitës do t’u përgjigjen me punë dhe fakte konkrete, të cilat tashmë kanë filluar të bëhen realitet.
Sipas Tahirit, reformat tërësore në policinë e shtetit përmes investimeve afatgjata do të bëjnë të mundur modernizimin e policisë së shtetit për te ofruar më shumë siguri për qytetarët dhe shoqërinë
“Fytyra e re e policisë duhet që të ofrojë siguri e jo frikë. Kamerat që do të vendosen në bordin e makinave të policisë, në motorë dhe në trupin e efektivit të policisë do të bëjë që asnjë prej efektivëve të mos sfidojë ligjin dhe të mos mbyllin sytë përballë një problemi”, tha Tahiri.
Sipas tij, përmes futja e teknologjisë do të sjellë transparencë në punën e policisë dhe do të largojë gjithmonë e më shumë korrupsionin nga radhët e saj.
“Po hartohet sistemi i kamerave dhe do të monitorohet çdo detaj i punës së policisë. Do vendosen kamerat në motorët dhe tek makinat e agjentëve të policisë. Nuk do të ketë më tolerancë ndaj paligjshmërisë, nuk do ketë të paprekshëm që e sfidojnë ligjin me para apo imunitete të ndryshme”, tha Tahiri.