Home Aktualitet Polici Rrugor: E pashe gjithe skenen e vrasjes se Artan Santo-s

Polici Rrugor: E pashe gjithe skenen e vrasjes se Artan Santo-s

565
0

autoretPunonjësi i policisë rrugore është përballur sy më sy me vrasësit para se ata të qëllonin mbi biznesmenin Artan Santo. “Tentova të afrohesha, por killeri më drejtoi pistoletën. E qëlloi viktimën sapo zbriti nga makina dhe u larguan në sekondë me motor. I ndoqa deri tek Diga e Liqenit, por aty m’u zhdukën nga sytë. Motori i tyre ishte shumë më i shpejtë”

vrasja santoEfektivi i Policisë Rrugore, që u përball me personat që ekzekutuan me armë bankierin Artan Santo, ka rrëfyer momentet kur ai është përballur me agresorët dhe ndjekjen e tyre. Sipas tij, gjithçka kishte ndodhur në fraksionet e një momenti, kur vrasësit i ishin afruar veturës së zezë të bankierit dhe e kishin qëlluar sapo ai kishte hapur derën. Efektivi i Policisë Rrugore, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, thotë se e pati të pamundur të reagonte apo të ndërhynte, pasi një nga vrasësit i kishte drejtuar armën. Dëshminë e tij, efektivi i policisë rrugore e ka dhënë për hetuesit që po merren me vrasjen e bankierit Artan Santo. MAPO zbardh një pjesë të dëshmisë së tij, dhënë për kolegët, ku ky punonjës pohon se si vepruan vrasësit profesionistë. Instinkti për të vepruar është përballur me një pistoletë të drejtuar nga ai. Polici i rrugores i ka ndjekur vrasësit deri tek Diga e Liqenit, ku ata i kanë humbur nga sytë.

Ku ishit kur ndodhi vrasja e bankierit Santo?
Duhet të ketë qenë ora rreth 9:18 minuta. Kam qenë pak më sipër bankës. Kam qenë duke u afruar për të kontrolluar trafikun në kryqëzim. Ishte një fragment sekonde, kur pashë që aty ndaloi një veturë me një targë me 3 numra të njëjtë, njëri pas tjetrit. Vetura ndaloi aty në formë skiç, si diagonal në rrugë, dhe mendova se mund të bllokonte rrugën. Kur po shkoja aty, pashë që nga pas ishte një motor i zi dhe dy njerëz që kishin veshje të errëta. U mata të vija fillimisht këmbën në këmbalecin e motorit që të nisem, por ndalova, sepse pashë që ata nuk lëvizën. U krijua një moment pështjellimi dhe mendova çfarë po ndodhte. Menjëherë sapo motori ndaloi, personi që ishte në ndenjësen e pasme të motorit, kërceu nga mjeti dhe u hodh në rrugë. S’po kuptoja çfarë po ndodhte dhe u afrova. Në atë moment, personi nxori armën. Hodha edhe një hap, por ai ma drejtoi mua. U largova pas, ndërsa pashë që në këtë moment po zbriste nga vetura një burrë i madh në moshë. Kështu m’u duk. Mendova se duhej ta kishin me të dhe po mendoja me vete: po me këtë ç’punë kanë. Më vonë mora vesh se ky burrë ishte një njeri mjaft i rëndësishëm.

E patë kur e qëlluan?
Pashë që ai zbriti nga vetura dhe ishte me shpinë. Sapo ai hodhi këmbën në tokë, ai e qëlloi nga pas. Unë u fsheha pas pemës. Ai nisi ta qëllonte dhe ta ndiqte nga pas, ndërsa bankieri po mundohej të largohej. E ndoqi nga pas dhe ai u rrëzua. Aty e qëlloi prapë. Në këtë kohë, isha futur pas pemës dhe po thërrisja në radio: Vrasje në Bllok, vrasje në bllok. Por nuk mund të qëndroja përballë, sepse pasi të vrisnin këtë person, objektivi i ardhshëm do të isha unë, sepse isha i identifikuar me uniformë policie.

Po personi tjetër që ishte në motor, çfarë veprimesh kryente?
Ai nuk po lëvizte, qëndronte në motor. Dhe sapo ai mbaroi punë, motori u nis. Nuk humbën asnjë sekondë.

Arritët të dallonit ndonjë gjë të veçantë tek personat apo ndonjë targë të motorit ?
Jo, aspak. Motori nuk kishte targë fare dhe nuk kishte mundësi për ta dalluar. Ishte tërësisht i zi. Mund të them se ishte motor i fuqishëm. Por nuk kishte kohë të fiksoje ndonjë gjë, sepse gjithçka ka ndodhur në një periudhë kohore shumë të shkurtër, ku nuk mund të fiksoje ndonjë detaj të veçantë. U krijua një lloj çoroditjeje dhe shumë njerëz që ishin aty, u stepën dhe nuk po e kuptonin në moment. Vetëm kur ai qëlloi zotërinë, gjithçka ishte e qartë.

Asnjë detaj nuk arritët të fiksonit?
Ishte e pamundur ju thashë. Unë kam parë çdo gjë të zezë. Nuk mund të them që kishte këtë apo atë veshje. Madje, edhe pistoletën që kam parë më është dukur e zezë, edhe vetë momenti kur më ka drejtuar pistoletën. M’u duk si grykë topi dhe jo si grykë pistoletë. Kam fiksuar se ajo ishte e ngjashme me pistoletën “TT”, por nuk jam i sigurt, nëse ishte “TT”, apo armë tjetër.

Menduat në ndonjë moment të nxirrnit armën ?
U mendova dhe nisa të veproja, kur isha pas peme. E zbërtheva këllëfin, por gjithçka ndodhi shumë shpejt, pasi isha pas pemës dhe shumë mundësi për të vepruar nuk kisha.

Çfarë ndodhi më pas?
Ata kishin veshje të zeza. Xhupa të zinj, kishin skafandër të zezë dhe kaq. Nuk kam fiksuar më tepër, gjithçka ndodhi në pak momente. E gjitha kjo situatë besoj se zgjati më pak se një minutë. Pasi motori u largua, shkova kapa motorin, e ndeza, por ata kishin ikur goxha para meje. Iu vura pas në ndjekje. Ata morën rrugën të Garda e Republikës, më pas dolën te liqeni, te diga e liqenit artificial. Edhe unë isha pas tyre. Por kur dolën tek diga, u futën tek ura poshtë dhe aty i humba nga sytë. Nuk munda t’i dalloj më.

Nga cili drejtim ikën ?
Nuk e di. Deri aty munda t’i ndjek, por ata kishin një motor mjaft të fuqishëm. Ata u zhdukën poshtë urës dhe unë nuk munda t’i gjej. Gjatë kësaj kohe, po komunikoja në radio për të orientuar sallën. Më vonë mora vesh se një koleg tjetër i imi, i kishte ndjekur deri pranë ‘Urës së Gjoles’, por edhe atij i kishin shpëtuar nga sytë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here