Hetim për katër policët e policisë rrugore, të cilët edhe pse të vendosur në pika kyçe, kanë bërë shumë pak ose asgjë për kapjen e autorëve që ekzekutuan në një pritë mafioze biznesmenin, Artan Santo. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pjesë e hetimeve do të jenë katër efektivë policie të cilët me veprimet ose mosveprimet e tyre kanë ndikuar që autorët të largohen nga vendi i ngjarjes dhe jo vetëm nga aty, por edhe jashtë Tiranës.
Më konkretisht grupi hetimor do të hetojë efektivin e policisë që ka qenë i vendosur pranë Liceut Artistik, pasi ai duhet të paktën të kishte vënë re lëvizjet e çuditshme të motorit dhe ta kishte ndaluar atë. Nën hetim do të jetë edhe efektivi i policisë tek banka “Credins”, i cili nuk ka lajmëruar në kohë sallën operative, por vetëm pasi janë larguar autorët. Ky është edhe polici që i ka ndjekur autorët dhe ka parë edhe skenën e vrasjes së Santos. Por, në hetim do jetë edhe një prej efektivëve të Policisë Rrugore të vendosur pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pasi motori ka lëvizur përgjatë këtij bulevardi, por pa u ndaluar nga asnjë efektiv. Nën hetim do të jetë edhe polici i vendosur pranë Librit Universitar, pasi ky ka qenë edhe drejtimi i parë prej nga është larguar edhe motori, pak minuta pas vrasjes.
Sipas grupit hetimor, autorët janë kthyer pa vajtur tek nënkalimi, në një rrugicë që shkon tek kompleksi Dinamo dhe duke përdorur disa rrugica, kanë dalë në Selitë dhe nëpërmejt Yzberishtit kanë dalë në Kashar, Kamëz dhe më pas për të përfunduar ndoshta në Fushë-Krujë, Bubq apo Fushë-Kuqe, aty ku kanë humbur për herë të fundit nga sytë e policisë.
RASTET
Të paktën për 6 muajt e fundit në kryeqytet janë shënuar 12 atentate, të cilat janë ende pa autorë. Vrasja e parë u regjistrua në 16 janar, ku autorët, pasi kishin siguruar më parë informacionin konfidencial se Astrit Gjepali kishte marrë 5 ditë leje për të dalë nga burgu, e kanë ndjekur makinën dhe e kanë ekzekutuar. Vetëm një javë më pas, makinës së biznesmenit Xhemal Çela në Durrës i vihet eksploziv, duke shkaktuar vdekjen e biznesmenit. Në 19 shkurt ekzekutohen në automjetin e tyre në një pritë në Milot, Klodian Ndreca dhe Taulant Prendi. Vetëm një javë pas këtij ekzekutimi, në Tiranë hidhet në erë biznesmeni i ndërtimit, Armando Ceka. Një ditë pas kësaj, po me eksploziv në makinë u vra Baki Xhabafti. Në 20 mars, në afërsi të “Urës së Thive” në Shkodër, dy persona me motoçikletë i bëjnë atentat biznesmenit të duhanit, Ndue Cini.
Në 25 mars, një predhë anti-tank ka goditur banesën e kreut të komunës së Farkës, Fatbardh Plaku. Në 4 prill, ekzekutohet në një pritë në Tapizë, Gjin Nika dhe bashkë me të vdiq edhe Fabio (Ersild) Xhunga. Ndërsa në 9 maj, në Berat, në një tjetër atentat ekzekutohet biznesmeni Adriatik Mustafaraj, 52 vjeç, i cili kishte shërbyer edhe si shef i policisë rrugore. Në 1 qershor, ekzekutohet në rrugën “Riza Cerova” në Tiranë, ish-kreu i CEZ-it për Laçin, Viktor Skeja. Në 14 qershor, në Durrës, dy persona me motor ekzekutojnë me armë zjarri biznesmenin Kujtim Dervishi, i cili kishte qenë ortak me biznesmenin Xhemal Çela, që u ekzekutua me eksploziv në janar. Për të ardhur tek ekzekutimi i së enjtes, kur bankieri Artan Santo, u ekzekutua në një atentat tipik mafioz, teksa shkonte nga banesa për në bankën e tij, në zonën e ish- Bllokut në Tiranë.