Ky Botëror do vazhdojë të flasë ende për Kosta Rikën. Kundër Greqisë së plakur, kombëtarja e Pintos kalon në avantazh, mbetet me 10 lojtarë dhe në minutën e 91-të merr një goditje të rëndë, duke u ndeshur me barazimin 1-1. Por ftohtësia dhe saktësia e tyre nga pika e penalltive bën që Ruiz me shokë të shkruajnë historinë, duke u kualifikuar për në çerekfinalet e Kupës së Botës, duke kujtuar që udhëtimi i tyre më i gjatë ishin 1/8-at në Botërorin italian, 1990. Tani, misioni i radhës e ka emrin Holandë.
KOSTA RIKA-GREQIA 1-1 (5-3 pen)
GOLAT: Ruiz 52′ / Papastatopulos 91′
KOSTA RIKA (5-4-1): Navas, Gamboa (Akosta 77′), Duarte, Gonzalez, Umana, Diaz, Ruiz, Borges, Teheda (Kubero 66′), Bolanjos (Brenes 83′), Kempbëll. Trajner: Horge Pinto
GREQIA (4-3-2-1): Karnezis, Torosidhis, Manolas, Papastatopulos, Holebas, Karagunis, Salpingidhis (Gekas 69′), Maniatis (Katsuranis 78′), Kristodolopulos, Samaris (Mitroglu 58′), Samaras. Trajner: Fernando Santos
KARTONË TË VERDHË: Duarte 42′, Teheda 48′, Grenados 56′ (nga stoli), Ruiz 70′, Navas 90′ / Samaris 36′, Manolas 72′.
I kuq: Duarte 66′
ARBITËR: Benxhamin Uilliams (Australi)
Ndeshja
Mbase asnjë prej të dyja skuadrave nuk e priste të ishte, por fakti që një sfidë pa favoritë mund të dërgonte si Kosta Rikën ashtu sikurse edhe Greqinë në çerekfinale, bën që pjesa e parë të dominohet nga frika. Amerikano-qendrorët tregojnë se kundërsulmi është arma e tyre më e fortë, por goditja e Bolanjosit në minutën e 8-të shkon mbi traversë. Ndërsa helenët presin dhe nuk kërkojnë të shpenzojnë energji të kota duke kërkuar disa goditje nga distanca, por saktësia mungon. Kosta Rika tremb në minutën e 20-të, por ndërhyrja e Karagunisit ndaj Kempbëllit është jashtë zone, ndonëse u dha ideja e një penalltie. Minutat kalojnë dhe ndeshja nuk ndizet, ndonëse grekët kishin rastin ta mbyllnin në avantazh pjesën e parë, kur një goditje e Salpingidhisit nga dy metra godet palestrinën e portierit Navas që shpëton me shumë fat në goditje këndi. Pjesa e dytë nuk ndryshon në ritëm, por golat nuk do të mungojnë. E para që do të festojë është Kosta Rika, kur një goditje pa shumë pretendime me të majtën e Ruiz do përfundojë në rrjetë, një gjuajtje e pisët nga jashtë zone që kap në befasi portierin Holebas. “Hirushja” e Botërorit mund të festojë, por magjia e saj duket se ka përfunduar në fazën e grupeve, teksa ka shpenzuar shumë energji kundër gjigandëve si Uruguai, Italia dhe Anglia. Por Greqia, që tashmë nuk ka më çfarë të humbasë, hidhet në sulm dhe kupton që Kosta Rika mund të çahet. Trajneri Santos bën lëvizjet e duhura duke shtuar dozën sulmuese, të cilat japin efikasitet, sepse amerikano-qendrorët mund të mbrohen vetëm me faulle dhe në minutën e 66-të mbesin me 10 lojtarë, pasi Duarte meriton kartonin e dytë të verdhë. Helenët kanë rastin e artë dhe besojnë te barazimi, i cili do të vijë në të 91-tën. Mitroglu lëshon një “predhë” në zonë me portierin Navas që e ndal atë, por jo goditjen e radhës që bën nga pak centimetra Papastatopulos, me sfidën që përfundon në kohën shtesë. Këto 30 minuta janë të kota, pasi edhe pse Greqia mundohet ta shfrytëzojë superioritetin numerik, ftohtësia në pasimin e fundit dhe në zonë mungon, prandaj çerekfinalistja do të vendoset nga penalltitë.
Penalltitë
Nga lotaria e penalltive nevojitet edhe pak fat, por në rastin e kostarikanëve goditja e 11-metërshave duket një mjeshtëri, sepse Borges, Ruiz, Gonzales dhe Kempbëll nuk falin, por greku Gekas po, në penalltinë e katërt, ajo që i jep shansin Umanas të shndërrohet në princin e kaltër për “Hirushen” Kosta Rika, sepse goditja e tij është e saktë dhe vendimtare, falë së cilës amerikano- qendrorët shkojnë në çerekfinale, ndaj Holandës.