Regjisori Astrit Ismaili ka folur për gjithë zhurmën që është bërë në mediat serbe për shfrytëzimin e hapësirës së kishës së papërfunduar ortodokse për videoklipin “E Dehun” të Era Istrefit. Astrit Ismaili është ai që ka bërë konceptin dhe regjinë e videoklipit shumë të përfolur të Istrefit, të këngës “E Dehun” e tani, me anë të një reagimi ai ka treguar për gjithë polemikat dhe akuzat. “Si regjisor i videos “E Dehun” ndiej obligim të prononcohem në lidhje me artikullin e publikuar në portalet serbe, i cili pati jehonë edhe në mediat kosovare. Pa dashur të komentoj mbi konceptin e videos, projekt ky i cili është pritur shumë mirë nga publiku, dua të fokusohem në veprimtarinë time artistike, që ka të bëjë me rifunksionalizimin e objekteve të braktisura. Rikujtoj se në shtator të vitit 2012 unë isha një ndër themeluesit dhe ideatorët e projektit “Prishtinë-Mon Amour”, i cili u mbajt në pjesën e djegur dhe të braktisur të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
Bashkë me një grup vullnetarësh ne e pastruam dhe e funksionalizuam këtë hapësirë përmes një ngjarjeje me art performues, e cila brenda një ore u vizitua nga më shumë se 2500 vizitorë. Ky projekt u hapi rrugë aktiviteteve të tjera, të cilat i kthyen jetën kësaj hapësire pas 10 vitesh të kaluara pa asnjë aktivitet që i shërben rinisë. Në të njëjtën frymë, por në formë tjetër, u krijua edhe projekti “E Dehun”, ku për herë të parë objekti i papërfunduar i kishës ortodokse serbe u shfrytëzua artistikisht. Ky objekt i nisur për kishë e i papërfunduar me vite të tëra ka qëndruar i braktisur dhe pa funksion të qartë në mes të oborrit të Kampusit të Universitetit të Prishtinës. Gjendja e papërcaktuar e këtij objekti ka qenë motivi kryesor që unë të ndërmarr një iniciativë artistike, në mënyrë që të shfrytëzohet ky objekt dhe të ngjallet debati ne lidhje me fatin e tij. Unë besoj se duhet të ketë debat publik në lidhje me këtë objekt, në mënyrë që kjo hapësirë t’i shërbejë komunitetit dhe jam i lumtur që projekti ‘E Dehun’ po i shërben këtij qëllimi”, ka përfunduar Ismaili.