Shkarkime nga më të bujshmet, dorëheqje nga më të dyshimtat dhe marrëveshje prapa kuintave të cilat rrezikojnë ministrat e qeverisë “Berisha”. Me këto tre fjalë do ta përkufizonim qeverinë e drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha. Pas 19 shkarkimesh dhe largimesh të ministrave nga kjo qeveri në pesë vjet, lind pyetja se mbi cilin ministër do të bjerë lapsi tani? Burime parë ekzekutivit bëjnë me dije se pas liberalizmit të vizave, Berisha do ti bëjë një tjetër riformatim kabinetit të tij, pasi emra të rinj presin “pas derës” për të marrë stafetën e ndonjë portofoli ministror. Gazeta boton emrat e rinj që do jenë pjesë e kabinetit qeveritar dhe ministrat që rrezikojnë të shkarkohen.
Ndryshimet
Emri i parë që rrezikon të largohet është ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili kohët e fundit është vënë në shënjestër nga sulmet e opozitës. Lajmi konfirmohet nga burime brenda selisë blu të cilët shprehen se Vasili do të zëvendësohet nga deputeti Vangjel Tavo, i cili “braktisi” Partinë Socialiste dhe u bashkua me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Duke qenë se LSI-së iu shtua edhe një deputet më shumë, duke kompensuar ikjen e Dritan Priftit, pritet që të jepet edhe shpërblimi për deputetin në fjalë. Kështu numri dy i LSI-së, Petrit Vasili, pritet të zëvendësohet nga një përfaqësues tjetër i LSI-së,
Vangjel Tavo.
Po ashtu, marrëveshja e Partisë për Drejtësi dhe Unitet e Shpëtim Idrizit me kryeministrin Sali Berisha, pritet të pasohet me emërimin e tij në qeveri. Idrizi mund të vendoset në krye të Ministrisë së Emigracionit, e cila do të jetë një degë e Ministrisë së Integrimit, ashtu sikurse ndodhi me Ministrinë e Inovacionit e cila u shkëput nga Ministria e Transporteve. Po ashtu edhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha do të lërë karrigen e tij, por jo i detyruar nga kryeministri. Basha do të sakrifikojë portofolin ministror pasi do të kandidojë për kreun e Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011. Ndërkaq, flitet se i rrezikuar është edhe ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj.
Largimet e 19 ministrave
Për pesë vjet me radhë, nga 3 shtatori i vitit 2005 e deri tani, qeveria “Berisha” ka pritur dhe ka përcjellë plot 19 ministra. Këtu nuk bëhet fjalë për lëvizje nga një ministri në tjetrën, por për shkarkime përfundimtare apo dorëheqje. Arsyet janë sa të ndryshme aq edhe të çuditshme. Pjesa më e madhe e ministrave ka lënë gjurmë të pashlyeshme në qeveri dhe më pas janë larguar për t’i lënë radhë të tjerëve që të ndreqin gabimet e tyre. Duke marrë shkas nga shkarkimi i ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, gazeta boton sot 19 ministrat që ka ndërruar kryeministri Sali Berisha dhe historitë e secilit prej tyre.
Kabineti i parë
U cilësua si kabineti i reformave. Ishte qeveria që mori mandatin në datën 2 shtator 2005 dhe pati edhe bekimin me disa vota të opozitës. Deri para zgjedhjeve lokale, kreu i qeverisë, Berisha, komentonte se nuk kishte nevojë për ndryshime. I vetmi që u detyrua të bënte një dorëheqje morale ishte kandidati për Bashkinë e Tiranës, Sokol Olldashi. Në krye të Ministrisë së Brendshme, Olldashi cilësohej si një nga anëtarët më të suksesshëm të kabinetit. Por për të hyrë në garën për Bashkinë e Tiranës, Olldashi duhet të jepte dorëheqjen dhe nga posti i ministrit, por edhe nga ai i deputetit. Olldashi u zëvendësua nga deputeti i PD-së, Bujar Nishani, për tu kthyer më pas si ministër i Transporteve. Por rezultati i zgjedhjeve lokale në 2007-n kërkoi dhe një rishikim të kabinetit qeveritar të drejtuar nga kryeministri Berisha. Presioni i aleatëve, bilanci i zgjedhjeve, por edhe kritikat e opozitës, ishin një arsye e mirë për të bërë një rifreskim të ekzekutivit. Nga ky ndryshim Aldo Bumçi u largua nga Ministria e Drejtësisë dhe në vendin e tij u emërua Ilir Rusmali. Po ashtu, një tjetër dikaster që u prek ishte dhe ai i Ministrisë së Kulturës. Bujar Leskaj u zëvendësua nga deputeti i PD-së, Ylli Pango. E njëjta gjë dhe me Ministrinë e Integrimit, ku në vend të deputetes së Shkodrës, Arenca Trashani, u emërua zëdhënësja e PD-së për fushatën elektorale, Majlinda Bregu. Kabineti i dytë i qeverisë “Berisha” preku vetëm postet që mbanin deputetët e PD-së. Për të ruajtur balancat mes PD-së dhe aleatëve, kreu i qeverisë, Berisha, u detyrua të mos ndryshonte vendet e partive aleate në qeveri. Vendim që i kushtoi jo pak PD-së, duke qenë se kritikat kryesore për qeverinë vinin në drejtim të aleatëve. I vetmi lëshim që bëri kryeministri Berisha përballë presionit të aleatëve, ishte dhënia e një posti në qeveri Partisë Demokristiane. Ndard Ndoka zëvendësoi në Ministrinë e Shëndetësisë që drejtohej më parë nga ministri Maksim Cikuli.
Pesë vjet qeverisje
Gjatë gjithë qeverisjes pesë vjeçare të kryeministrit, qeveria “Berisha” ka ndryshuar tetë herë, me gjithë ndryshimet e fundit të bëra pak kohë më parë. Janë ndryshuar mjaft ministra, kanë ardhur figura të reja, janë zëvendësuar sërish dhe tashmë, “fytyra” e qeverisë është me tre ministra të Lëvizjes Socialiste për Integrim, një ministër të PBDNJ-së, një ministër të PR-së. I fundit që u shkarkua ishte ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili duket se do të tërheqë edhe të tjerë nga pas.
Ministrat stabël
Përveç ndryshimeve të herëpashershme, nuk mund të themi që qeveria “Berisha” nuk ka ruajtur asnjë ministër. Kështu, ministri i Financave, Ridvan Bode, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu dhe ministri i shtetit Genc Pollo, janë në këtë qeveri që nga 3 shtatori 2005 e deri më sot. Pavarësisht lëvizjeve të shumta që kanë bërë, nga një ministri në tjetrën, e rëndësishme është që ata kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e kabinetit qeveritar.