Aktori Mevlan Shanaj është kanosur me armë nga në person, që aktualisht është në kërkim nga Policia. Të shtënat me armë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në banesën e Mevlan Shanajt, në Pogradec, kanë vënë në alarm policinë e qytetit juglindor.
Mësohet se shtetasi Adrian Hoxhallari fqinji i Shanajt, ka qëlluar me armë në drejtim të banesës së tij, por, fatmirësisht, aktori u ka shpëtuar plumbave. Ndërkohë, agresori është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia është vënë në kërkim të tij.
Nga hetimet paraprake mësohet se Shanaj e Hoxhallari kanë kosnumuar një grindje mes tyre për një vend parkimi, afër banesës së tyre, buzë Liqenit dhe më pas grindja ka degjenruar në sherrin me armë ditën e sotme.
SHANAJ: KONFLIKTI PER VENDIN E PARKIMIT
Ora 12:39- Vetë aktori Mevlan Shanaj, zbardh sot detaje të kanosjes për ‘NEW24’. Ai sqaron se autori ka qëlluar 8 herë me plumba në drejtim të banesës së tij dhe gjithcka ka ndodhur nga një konflikt mbi vendin e parkimit.
“Është një rast i hidhur, i shëmtuar, gjithsesi dua të them që unë sot jam i gëzuar sepse është qëlluar drejt familjes sime, në banesën time, për fatin tim të mirë plumbat hasën në rezistencën e betonave dhe kështu kanë shpëtuar fëmijët. Është qëlluar 8 herë me pistoletë, Plumbat erdhën nga një njeri që e e kam komshi. Nuk kam pasur më parë konflikte me të. Ka ardhur koha të bëj një apel të fuqishëm, Shqipëria duhet ta rishikojë edhe njëherë çështjen e përdorimit të armëve”, – tha Shanaj.
Sipas tij, edhe pas kësaj kanosjeje autori vazhdon të lëvizë i lirë në qytetin e Pogradecit, prandaj drejtësia duhet të bëjë punën e saj për ta gjetur.
Është e turpshme që kanë kaluar kaq shumë orë dhe ai njeri rri i lirë dhe pi nëpër lokale me vetë policiët. Unë vetë si Mevlan mund ta gjej atë në Pogradec, por nuk dua që të bëj zgjedhje të tilla, dua të veprojë drejtësia, shteti të tregohet serioz.”, – shtoi aktori.
ARRESTOHET SHTETASI ADRIAN HOXHALLARIT
Ora 17:40- Rreth orës 17:30 burime nga policia e Pogradecit, bënë me dije se kanë mundur të arrestojnë autorin e kanosjes. Adrian Hoxhallari, i cili strehohej në një banesë të vjetër në fshatin Osnat, 3 km larg Pogradecit. Ai qëlloi 8 herë me pistoletë në drejtim të banesës së aktorit në Tushemisht të Pogradecit, ndërsa fatmirësisht nuk ka patur të lënduar edhe pse brenda saj ndodhej e gjithë familja Shanaj.