Home Ekonomi Pergjysmohen taksat e makinave

Pergjysmohen taksat e makinave

661
0

komisioniKomisioni i Ekonomisë rrit amnistinë. Taksë e përgjysmuar për ata që shlyejnë detyrimet deri më 30 qershor. Evazorët nga viti 2011 do paguajnë me taksën e përgjysmuar.
Të gjithë ata që nuk kanë paguar taksën e makinës, do të mund ta bëjnë këtë me çmim të përgjysmuar. Propozimi i ri i Financave, i diskutuar dje në Komisionin e Ekonomisë, parashikon që me ligjin e ri të trajtohet gjithë ai kontingjent që nuk ka paguar taksa edhe përgjatë vitit 2012 apo vitit 2011, kur ligji i atëhershëm hyri në fuqi. Propozimi i Ministrisë ishte që pagesa për vitet e prapambetura të bëhej me taksë të përgjysmuar, por me pagesë penalitetetsh, ndonëse edhe kjo ndryshoi dje gjatë debatit.
KOMISIONI
Deputeti Sherefedin Shehu propozoi dje që taksa e përgjysmuar e makinave për qytetarët që nuk e kanë paguar atë ndër vite, të paguhet pa penalitete nëse bëhet brenda qershorit. “Kisha diçka që lidhet me nenin 3. Unë mendoj që vonesat në pagesë janë kryesisht rrjedhojë e taksës së lartë. Për këtë arsye, në vazhdim të paragrafit të parë mendoj që të shtohet një fjali. Në rast se pagesa e taksës së makinës bëhet brenda datës 30 qershor 2013, ato përjashtohen dhe nga penalitetet për vonesë në pagesë”, tha Shehu. Kjo nuk është pritur mirë nga opozita, e cila duke e lidhur këtë me zgjedhjet, ironizoi që afati të mos ishte ai i propozuar nga deputeti Sherefedin Shehu për 30 qershorin, por të ishte 23 qershori data e zgjedhjeve. Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, i cili mbrojti para deputetëve propozimin e ri në ligjin “Për taksat kombëtare”, u shpreh se ky përgjysmim vjen në kuadër të lehtësimit të buxheteve familjare nga një taksë, që realisht ka një peshë të caktuar për xhepat e qytetarëve. Pjesë e propozimit të Financave ishte edhe ajo për përjashtimin nga taksa e makinave të përdorura, e atyre mjeteve që janë sekuestruar me vendim gjykate. Sipas Rushajt, kjo bëhet për të lehtësuar procedurën e shitjes së tyre dhe arkëtimin e parave në buxhet në një kohë sa më të shpejtë.
OPOZITA
Deputetët e Partisë Socialiste kanë kundërshtuar nismën e marrë nga qeveria për të ndryshuar një pjesë të mirë të taksave, e cila sipas tyre po krijon një gropë gjithmonë e më të madhe në buxhet. Deputeti Erjon Braçe tha se nisma për të përgjysmuar taksat dhe për të falur edhe ata që nuk kanë paguar ndër vite, është një amnisti e dytë, e cila nuk ka moral përballë atyre që paguajnë taksat rregullisht. “Sapo thatë që ligji ka dhe një lehtësi tjetër, që ata që s’kanë paguar taksat deri tani, do i paguajnë me këtë taksën e re të ulur? Ky është morali që ju po u reflektoni taksapaguesve në këtë vend. Kam parasysh amnistinë që keni bërë dhe këtë histori tani. Tani, unë që kam paguar taksën e me nivelin aktual, ç’duhet të bëj?”, tha Braçe. Nga ana tjetër, ai theksoi se, sipas llogarive, ndryshimet e fundit ligjore të bëra nga qeveria kanë pasur një efekt 14 miliardë lekë në buxhet dhe kjo nuk është argumentuar se si do të mbulohet. Deputetja Mimi Kodheli kërkoi të dinte nëse ky do të ishte ndryshimi i fundit në taksa, por nga ana e zëvendësministrit Rushaj u konfirmua që priten të tjera ulje taksash në ditët në vijim. Kjo u komentua nga opozita si një tentativë e qeverisë për të përfituar vota për zgjedhje, pasi kjo është rruga e vetme që i ka mbetur qeverisë për të përfituar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here