Home Politike Pedagogia 52-vjeçare e Inxhinierise se Ndertimit akuzon Bashen: Ti je një vrasës

Pedagogia 52-vjeçare e Inxhinierise se Ndertimit akuzon Bashen: Ti je një vrasës

646
2

Kandidati demokrat për bashkinë e kryeqytetit është përballur paraditen e djeshme me një situatë të papritur. Gjatë një takimi në kuadër të fushatës elektorale në Fakultetin e Inxhinierisë, një pedagoge i është drejtuar Bashës me fjalët: VRASËS!

Incidenti ndodhi ndersa Basha ishte duke thënë që “do zgjidhim problemet e Tiranës, se do tu rrimë problemeve në kokë etj”. Në këtë moment pedagogia është ngritur dhe ka thënë: “Në krye ke qenë, pse nuk i ke zgjidhur problemet? Pse nuk kemi rend, pse nuk kemi qetësi, ke qenë ministër i brendshëm..”.

Studentët kanë nisur të duartrokasin. Dy persona shoqërues të kandidatit të PD-së kanë tentuar ti presë fjalën pedagoges, por ajo ka vijuar duke e quajtur “Ti je vrasës dhe maskara”.

E takuam Florën dje në mbrëmje dhe folëm me këtë grua që na ka bërë të gjithëve të ndihemi më mirë dje. Faleminderit zonja Hanelli dhe nga Shekulli.

Znj.Hanelli, a ishit lajmëruar ju për këtë takim?

E mora vesh nga studentët çfarë do të ndodhte. Më thonë se kandidati për kryetar bashkie do të prezantonte programin e tij elektoral.

Kur u zhvillua takimi?

Takimi ishte planifikuar të zhvillohej në orën 11.00, por Basha u paraqit aty në orën 12 e 30.

Takimi ishte i organizuar nga rektorati i Universitetit Politeknik?

Lulzim Basha u prezantua se kishte ardhur në universitet me kërkesë të studentëve, por për ishte i organizuar nga rektorati dhe i kanë dhënë atë lloj dekori. Takimi u zhvillua në sallën më të mirë të leksioneve që ka universiteti ynë.

Po çfarë ndodhi konkretisht?

Siç ju thashë, takimi filloi me më shumë se një orë e gjysmë vonesë. Salla ishte e mbushur me të huaj, kryesisht nga mesi i sallës deri në fund. Asnjë prej tyre nuk ishte student në universitetin tonë. Një pjesë ishin edhe në moshë të madhe dhe kurrsesi nuk mund të ishin studentët dhe u përvijua aty aq e qartë diferenca. Asnjë prej studentëve nuk duartrokiste ndërsa pjesa nga fundi ulërinte. Është turp për atë fakultet ku unë kam jetë të tërë që unë punoj që dëgjoja ato britma.

Po pedagogët u detyruan të marrin pjesë?

Në fakt në sallë nuk kishte shumë pedagogë që morën pjesë përveç kryesisë së rektoratit por unë dua të them një detaj. Mua më pa edhe rektori, zv.rektori edhe dekani. Vjen dekani aty ku isha ulur unë në mes të dy bankave dhe më thotë: Flora, takimi është për studentët. I përgjigjem: Po ç’thua mo Andrea, ne jemi njësh me studentët, nuk ndahemi me ta, ndaj dhe do të qëndroj të dëgjoj se çfarë thuhet. E kuptova shumë mirë përse erdhi.. Por unë e dua shumë atë vatër, e dua aq shumë sa nuk mund të lejoj që të përdhoset në mes të ditës.

Por çfarë ndodhi saktësisht?

Kandidati për kryetar bashkie filloi të fliste për të ardhmen. Një njeri që nuk i njohim asgjë nga e shkuara, na flet për të ardhmen. Një hiç nga pikëpamja intelektuale. Që këtu mund t’i vije vizën. Filloi të fliste për të ardhmen dhe miklonte përfaqësuesit e fakultetit dhe ata njerëz që ishin të tij duke thënë se i ka patur partnerë dhe do t’i ketë në punët publike. Kjo tek shpura e tij krijoi ovacion ndërsa ata studentë që ishin, ulën kokën.

A është normale që auditorët e një fakulteti të përdoren për fushatë elektorale të një kandidati për kryetar bashkie?

Jo nuk është aspak normale. Edhe po të jetë e vërtetë që studentët të kërkojnë që të zhvillojnë një takim, autoritetet drejtuese të fakultetit kurrsesi nuk duhet të lejojnë të organizohet një i tillë. Edhe sikur ky kandidat të fliste për të ardhmen e arsimit në Shqipëri. E vërteta ishte se aty ai shpalosi vetëm programin e tij elektoral dhe kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë deri më tani.

Kjo ndodh vetëm për të retushuar zotërinë në fjalë. E neveritshme për mua. Për t’i dhënë këtij një sfond rinie përdorin fakultetin. Ndaj vendosa t’ia them dy fjalë. Ato që askush nuk guxon t’ua thotë publikisht. Ata ishin të parapërgatitur dhe nuk lejonin të bënin pyetje pedagogët dhe unë thuajse e kam marrë fjalën dhunshëm.

A mund të më thoni çfarë dialogu keni patur mes jush?

Jo në fakt nuk ishte dialog por unë thashë gjithçka që kisha për të thënë. E pyeta çfarë bëre për 6 vjet ti me qeverinë tënde? Çfarë i ke dhënë këtij vendi? I vodhe paratë për të ndërtuar një rrugë? Shite atdheun tim? Apo vrave,- i thashë. Vrave katër baballarë. Je vrasës.

Cili ishte reagimi i kandidatit të PD, Basha?

Ngeli. U zverdh. Nuk foli asnjë fjalë.

Çfarë ndodhi më pas?

Erdhën dy persona të mëdhenj në moshë. Nuk ishin studentë. Më kapën për duarsh të më nxirrnin përjashta. I kam urdhëruar që të heqin duart se unë isha në atë vatër iluminimi ku kam dhënë zemrën time për 28 vjet. U thashë që jam në shtëpinë time. Më pas i jam drejtuar Bashës sërish me fjalët: Vrasës! Vrasës! Vrasës! Ke lënë katër familje me jetimë, o vrasës!-i thashë.

Njerëzit e Bashës u mjaftuan vetëm më kapjen e duarve apo…?

Jo, jo. Ata tentuan të më nxirrnin jashtë zvarrë dhe unë u mbajta fort pas karrigeve. Më pas më vijnë dy studentë, që unë nuk u njoh kush ishin, u thanë atyre të hiqnin duart nga mua. Filluan të lëvizin dhe studentët e tjerë. Kjo shkaktoi panikun e tyre, dhe më pas u tërhoqën. Më vonë filluan ulërimat e përkrahësve të tyre dhe ishte e kotë që të rrija aty. Unë braktisa sallën. Studentët e mi më duartrokitën dhe më pas filluan të iknin dhe ata.

Pas këtij incidentit keni patur shqetësime apo problem pas asaj që ka ndodhur?

Jo. Thjesht kam marrë shumë, shumë telefonata përshëndetëse nga shumë njerëz.

A prisni që drejtuesit e fakultetit të marrin masë ndaj jush?

Me ata di unë si të merrem.. Lejuan që një pedagoge që ka 28 vjet punë të ndershme në këtë universitet të merret zvarrë nga ca çapaçulë dhe rrugaçë që ishin futur aty. Por jam e sigurt që ambienti universitar është në mbështetjen time. Ata nuk kanë çfarë të më bëjnë. Jam e nderuar, e respektuar dhe çdo shkallë të punës sime e kam ndërtuar me shumë djersë. Nuk kanë çfarë të më bëjnë.

Znj.Flora, për mendimin tuaj si ka mundësi që shumë njerëz mendojnë si ju dhe nuk reagojnë si ju…

Unë nuk mund të gjykoj të tjerët. Por fakti që ju më parë më pyetët “a keni frikë për masat që mund të merren ndaj meje” është edhe përgjigja për mosreagimin e shumë qytetarëve. Por unë nuk mund t’i gjykoj për këtë. Shumica e njerëzve janë për bukën e gojës ndaj kurrsesi nuk mund t’ia lejoja vetes gjykimin tim ndaj reagimit apo mos reagimit të tyre. Jam e bindur se shumica e njerëzve nuk reagojnë nga frika e revanshit dhe nga mungesa e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Ky djali, Basha është një agresion psikologjik mbi njerëzit, i kalkuluar nga ai, sozi e të cilit është Basha. Një klon i atij njeriu që nuk i gjen dot një qelizë të mire. Është agresion psikologjik mbi publikun. Një qenie kaq e re dhe kaq gënjeshtare nga këmbët te koka. 7 pasaporta vetëm një bandit ndërkombëtar mund të këtë duke përdorur shtetin shqiptar.

Në rrokullimën e gënjeshtrave që zënë gënjeshtrën, ai nuk ka më zgjidhje. Nga pikëpamja intelektuale është siç thashë më lart, një mediokër që më fyen kohën time për ta dëgjuar.

Po në rast se ky kandidat nuk do të vinte në fakultetin tuaj a do të shkonit në takime të tjera për t’u përballur me të?

Jo. Unë mbrojta dinjitetin tim dhe të vendit të punës ku kam një jetë të tërë që kontribuoj. Po kështu fola dhe në emër të studentëve të mi që nuk flisnin, por që më kanë mbështetur dhe tërë kohën më kanë telefonuar sot për të më pyetur nëse kisha nevojë për ta.

* * * * * * ** * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

Flet Delira Hanelli, vajza e pedagoges së Inxhinierisë së Ndërtimit, e cila u bë sot e njohur për gjithkënd sepse i tha Lulëzim Bashës vrasës.

Me Delirën kontaktuam në mbrëmje, disa orë pasi kishte ndodhur incidenti, dhe ajo vazhdonte të ishte e tronditur nga ajo që kishte përjetuar në momentin kur dy djem të rinj, badigardë të Bashës, kishin tentuar të nxirrnin jashtë sallës mamanë e saj.

Delira mundohet të sjellë në kujtesë atë çfarë tha e ëma në atë takim elektoral, që sipas saj, u organizua në ambientet e shkollës ku Flora Osmani Hanelli ka punuar prej 25 vitesh.
Kritike nga natyra, dhe fakti që dikush bënte politikë në ambientet e fakultetit, kanë qenë arsyet që e kanë çuar Flora Hanellin, pedagogen e rreptë të Algjebrës, të shpërthejë duke i thënë ato që mendonte në sy kandidatit të mazhorancës për Bashkinë e Tiranës.

Delira nga tronditja dhe nxitimi për të çliruar mamanë e saj nga badigardët nuk kishte arritur të dëgjonte Bashën kur ka thënë “ta tregoj kush është vrasës me 9 maj”, por pasi ia kishin thënë kolegët e saj studentë, i dukej një kërcënim i hapur.

Zonjushë Delira, mund të na tregoni çfarë ndodhi sot në takimin e studentëve dhe pedagogëve në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, ku mamaja juaj dhe pedagoge e këtij fakulteti replikoi ashpër me kandidatin demokrat Lulëzim Basha?

Në fillim dua të theksoj faktin që në takimin që mendohej të ishte me studentët e fakultetit tonë, kishte një grup të rinjsh që u ulën në fund të sallës, të cilët nuk ishin pjesë e fakultetit; asnjë nga studentët, shokët e mi, nuk i njihnin ata. Këta të rinj kishin ardhur për të duartrokitur Bashën gjatë fjalimit.

Kur kishte kaluar një fare kohe që Basha fliste dhe bënte premtime, mamaja ime, u çua në këmbë dhe i tha “ti ke qenë gjashtë vjet në pushtet dhe s’ke bërë asgjë.. Unë kam 25 vjet në këtë fakultet dhe nuk mund të lejoj që të shpërdoret nga ju. Ky vend është vendi i iluminimit dhe nuk mund të lejoj që ju ta ktheni në një vend kusarie…”

Në atë kohë pashë dy çuna që iu afruan mamit dhe e preknin sikur donin ta nxirrnin jashtë me zor. Ndërkohë që u ngrita për të mbrojtur mamin dëgjova studentë të saj që u thonin atyre badigardëve “mos e prekni, hiqi duart”. Pastaj ne të dyja dolëm bashkë, në fillim ishim të tronditura dhe shikonin sikur po na ndiqte njeri, po s’kemi pasur deri tani asnjë problem.

Mamaja juaj është aktiviste me ndonjë parti?

Jo. Jo. Mamaja ime s’është me asnjë parti. Ajo është natyrë opozitare, është kritike. Por të kërkoni e të pyesni, ajo asnjëherë nuk është aktivizuar me këto partitë.

Studentët si reaguan?

Ishin disa aty që brohorisnin për Bashën nuk ishin studentë, ju ua thashë që nuk i kishim parë asnjëherë në fakultet. Ndërsa studentët e mamit duartrokitën në momentin kur ajo foli. Një nga studentet e saj i erdhi në zyrë e i tha që “fole me fjalët e shpirtit”. Ajo i kishte të dy prindërit pa punë.

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

(E përditësuar) – Kandidati demokrat për bashkinë e kryeqytetit është përballur paraditen e sotme me një situatë të papritur. Gjatë një takimi në kuadër të fushatës elektorale në Fakultetin e Inxhinierisë, një pedagoge i është drejtuar Bashës me fjalët: VRASËS!

Incidenti ndodhi ndersa Basha ishte duke thënë që “do zgjidhim problemet e Tiranës, se do tu rrimë problemeve në kokë etj”. Në këtë moment pedagogia është ngritur dhe ka thënë: “Në krye ke qenë, pse nuk i ke zgjidhur problemet? Pse nuk kemi rend, pse nuk kemi qetësi, ke qenë ministër i brendshëm..”.
Studentët kanë nisur të duatrokasin. Basha ka tentuar ti presë fjalën pedagoges, por ajo ka vijuar duke e quajtur “Ti je vrasës dhe maskara”.

Të gjendur në vështirësi, truprojat e Bashës mesohet ta kenë nxjerrë jashtë pedagogen në fjalë. Sipas personave të pranishëm në takim, studentët e kanë duartrokitur gjestin e pedagoges së tyre.

Sipas një studenti të kontaktuar nga gazeta “Shekulli”, pedagogia e cila ka debatuar me Bashën quhet Flora Osmani dhe është pedagoge e lëndës së Analizë Algjebër. Po sipas këtij burimi, Basha i është drejtuar zonjës me fjalët “do e shohim pas 9 majit cili është vrasës!”

Më pas, takimi vazhdoi me fjalën e Bashës i cili ftoi studentët e fakultetit të ndërtimit të bëhen pjesë e hartimit të planit të ri urbanistik të Tiranës, dhe projekteve të tjera zhvillimore.

 

Previous articleShpërthim pranë çadrës së PS-së, plagoset kalimtari
Next articlePublikohen fotot e vrasjes se Bin Laden

2 COMMENTS

Leave a Reply to musa lleshi Cancel reply

Please enter your comment!
Please enter your name here