Aplikimi i lejeve të drejtimit me pikë, miratuar tashmë me ligj, do të sjellë zëvendësimin e patentave aktuale me karta dixhitale. Në kartën elektronike do të memorizohet çdo ulje apo ngritje pikësh për secilin drejtues mjeti. Sipas Drejtorit të Lejeve të Drejtimit pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, Lekë Gjoni, zëvendësimi i patentave aktuale do të ndodhë vitin e ardhshëm, me implementimin e sistemit me pikë. “Çdo patentë do të memorizojë pikët për secilin drejtues, të cilat do të lexohen me pajisje të posa-çme. Kartat aktuale nuk e krijojnë këtë mundësi, kështu që implementimi i sistemit me pikë do sjellë për pasojë zëvendësimin e patentave me dokumente dixhitale”, – thotë Gjoni.
Patentat me pikë
Më 13 qershor 2013 qeveria miratoi vendimin e heqjes së pikëve për çdo shkelje të drejtuesve të automjeteve. Për realizimin e këtij projekti është bërë përpunimi i të dhënave të lejeve të drejtimit të arkivuara që para viteve 1990 deri në ditën e sotme dhe është bërë dixhitalizimi i dosjeve të shtetasve të pajisur me leje drejtimi. Sipas Gjonit, aktualisht po punohet me hedhjen e të dhënave të plota të drejtuesve të automjeteve në arkivën elektronike, ku do të shënohen edhe pikët përkatëse të tyre.
Pikëzimi do realizohet automatikisht, në drejtorinë tashmë të dixhitalizuar të patentave. Në rast se një qytetar ndalohet për kundravajtje rrugore, ai do të marrë ndëshkimin ligjor sipas ligjit në fuqi, gjobën me vlerën e caktuar, bashkë me zbritjen e caktuar të pikëve. Për pikët e hequra do të informohet nga personi i autorizuar me ligj (polici rrugor). Menjëherë në këtë moment, në regjistrat e Drejtorisë së Përgjithshëm të Shërbimeve të Transportit Rrugor shtetasit do i zbritet sasia e pikëve. Në rast se qytetari nuk do të realizojë të njëjtën kundravajtje rrugore për një kohë, për shembull një vit, atëherë pikët e hequra nga rasti i parë do t’i rishtohen, por në rast se qytetari realizon të njëjtën shkelje, atëherë penaliteti do të jetë edhe më i lartë. Në këtë mënyrë, çdo patentë do të ketë një total prej 20 pikësh, sasi që do të ulet pas çdo shkeljeje të rregullave të qarkullimit. Çdo qytetari që do të ndalohet nga autoritetet përkatëse për shkelje të kundravajtjes rrugore, do t’i komunikohet që, veç gjobës, do t’i hiqen një sasi e caktuar pikësh nga patenta.
Pikët e humbura
“Për të rimarrë pikët e humbura, drejtuesi i mjetit duhet t’u nënshtrohet kurseve të kualifikimit dhe provimeve për kategorinë më të lartë të shënuar në lejen e drejtimit të anuluar”, shkruhet në vendimin e qeverisë të muajit qershor. Në rast se qytetari konsumon të gjitha pikat e patentës, i hiqet leja e qarku-llimit për një kohë të caktuar. Ndërkohë që “Programet dhe kohëzgjatja e kurseve të trajnimit për të rimarrë pikët e humbura përcaktohen nga ministria përgje-gjëse për transportin rru-gor, në aktet që rregullojnë veprimtarinë e autoshkollave dhe të programeve të testimit”.