Home Aktualitet Shembet plotësisht godina tek Fakulteti Ekonomik

Shembet plotësisht godina tek Fakulteti Ekonomik

570
0

godina-ekonomikuKa rënë pas 5 orësh (në orën 18:00) nga çasti i shpërthimit me tritol godina e kundërshtuar dhe e konsideruar si e paligjshme pranë Fakultetit Ekonomik.

Forcat xheniere të ushtrisë dhe policia, fillimisht me një shpërthim të komanduar me 300 kallëpe lëndë plasëse, kanë arritur të shembin pjesërisht godinën 4-katëshe pranë Fakultetit Ekonomik në Qytetin Studenti. Aksioni i nisur që dje në orën 10:00 ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme dhe shpërthimi është kryer fiks sot në orën 13:10.

Në këtë çast, pas shumë masash paraprake nga ana e policisë, duke futur këtu edhe ndalimin e qarkullimit në pesë rrugë për makinat dhe njerëzit, urdhri i shpërthimit është dhënë nga zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Pandi Sulla.
ndertesa duke u shembur

Xhenierët, që kryen shpërthimin, thanë se nuk mund të bëhej një goditje më e fuqishme, për të mos shkatërruar ndërtesat e tjera rrotull.

Më pas, rreth orës 16:00, një fadromë ka nisur goditjen e kolonave të objektit, për ta rrëzuar pak nga pak.

Proces që ka zgjatur rreth 5 orë dhe më në fund godina, e cila vazhdimisht qëndronte e mënjanuar nga ana lindore, është rrëzuar po në atë anë, aty ku dëmi nga lënda plasëse dukej edhe më i madh.

Ministria e Mbrojtjes pas aksionit lajmëroi për përfundimin me sukses të tij, ndërsa ajo e Brendshme njoftoi se gjatë gjithë natës do të punohet për pastrimin e zonës nga mbetjet e godinës së shkatërruar në pronësi të Kol Gjokmarkaj.

Familja Gjokmarkaj pas shpërthimit ka bërë apel për lirimin e familjarëve të tyre (tre vëllezër dhe motra e tyre, për të cilët ishte parashikuar si shtëpi edhe godina e shkatërruar) nga mjediset e policisë, meqë shpërthimi përfundoi. Ata tentuan të futen sot në godinë bashkë me fëmijë.

QENI SHPËTON GJALLË GJATË SHPËRTHIMIT TË GODINËS
Meqë ende ne nuk e kemi në kulturën tonë të kujdesemi për kafshët barazisht si për njerëzit, para shpërthimit janë marrë të gjitha masat që të largoheshin njerëzit, por jo kafshët. Një qen i gjendur tek godina, apo i vajtur më pas aty teksa nuk kishte këmbë njeriu, duket se e ka ndihmuar vetëm fati të shpëtojë shpirtin e tij nga shpërthimi. Teksa tritoli ka plasur dhe shtëllungat e tymit janë zmadhuar, duket mrekulli që një qen, me sa duket rruge, “ka çarë” zonën e rrezikut mirë e bukur, siç duket në këtë foto. E të lehurat e tij ishin mjaft të qarta pavarësisht zhurmës së shpërthimit.

ORA 16:00 FADROMA-MATRAPIK NIS GODITJEN E KOLONAVE
Rreth orës 16:00, pranë godinës ka mbërritur një fadronë matrapik, që ka nisur prishjen në anën jugore të godinës, duke dëmtuar kolonat e saj. Inxhinierë të INUK-ut kanë vënë në dukje se prishja do të bëhet edhe në ballkonet e ndërtesës pak nga pak, që të lehtësohet pesha e saj dhe gjatë rënies të mos shkatërrojë objektet e tjera përreth.
fadroma

Kjo ndërhyrje e dytë erdhi pas shembjes vetëm të pjesshme me tritol nga forcat e xhenios. Në momentin e shpërthimit kanë qënë rreth 300 kallëpe lënde shpërthyese, që ishin vendosur vetëm sa për ta dëmtuar godinën, jo për ta hedhur plotësisht në tokë, pasi rrezikoheshin ndërtimet e tjera përreth.

ORA 13:55 MB: KAQ SHPËRTHIM ISHTE PARASHIKUAR
Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se, shpërthimi sipas parashikimeve. Burime zyrtare konfirmuar për A1 Report dhe Shqiptarja.com se, është realizuar plani për të prishur themelet e godinës pa leje. “Tani godina pa themele do të rrezohet në mekanike”, bënë të ditura burimet e Ministrisë së Brendshme.

Sipas ministrisë, “kaq shpërthim ishte parashikuar, pasi perimetri i dëmeve do ishte më i madh”. Tani do të vazhdohet prishja në mënyrë mekanike e ndërtesës me anë të fadromave. Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se, nuk do të ketë shpërthim të dytë.

ORA 13:40 SHPËRTHIMI DËMTON NJË BANESË DHE NJË LOKAL
Një banesë bashkë me një lokal është dëmtuar nga shpërthimi që është bërë për shembjen e ndërtesës tek Fakulteti Ekonomik. Besnik Tresa, pronati i një lokali dhe i banesës ka bërë të ditur për A1 Report, se në lokalin e tij janë shkarktuar dëme të mëdha.

“Janë shkaktuar dëme të shumta materiale. Janë dëmtuar xhamat, karriget, veshjet e aluminit dhe ka shumë dëme të tjera materiale”, tha Tresa.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarin, Arsen Rusta i cili ndodhet në vendin e ngjarjes, Tresa ka deklarua se, “edhe malli që ishte aty brenda është dëmtuar. Na thanë vetëm që të largoheshim nga biznesi. Dëmi i shkaktuar shkon në 10-15 mijë euro, pasi ende nuk kemi hyrë brenda lokali, pasi nuk na lë policia të futemi”.

ORA 13:11 REALIZOHET SHPERTHIMI TEK EKONOMIKU
Policia dhe forcat xheniere të ushtrisë kanë realizuar një shpërthimi të pjesshëm, për shëmbjen e një godine 5-katëshe, që ndodhej përballë godinës së Fakultetit Ekonomik në një hapësirë që është lënë për tu ndërtuar Kampus Universitar. Urdhëri i shembjes është dhënë nga zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Pandi Sulla.

Në vendin e ngjarjes ka pasur dhjetëra forca policie, si dhe drejtues të uniformave blu.

Tek godina kanë qenë të pranishëm edhe forcat e ushtrisë të cilët kanë kontrolluar zonën. Shembja ishte parashikuar që të kishte ndodhur në orën 10:00 të mëngjesit të sotëm por është shtyrë për për disa orë pasi nuk ishte pastruar ende e gjithë zona nga makinat që ndodheshin të parkuara.

Pasi gjithçka ishte në rregull në orën 13:00 është shtypur butoni që ka sjellë edhe shkatërrimin e pjesshëm të godinës që ishte pa leje.

ORA 11:45 SHTYHET SHPERTHIMI I GODINES
Shtyhet për në orën 13:00 shembja me shpërthim e ndërtesës tek Fakulteti Ekonomi. Lajmi është bërë i ditur nga gazetar i A1 Report Arsen Rusta, i cili ndodhet në vendngjarje. Sipas tij, forcat e ushtrisë dhe policia kanë vendosur që të shtyjnë orarin e shembjes, pasi janë duke u shtuar edhe disa kallëpe të tjera tritoli.

Në vendin ku ndodhet godina ka mbërritur edhe ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, që kanë inspektuar punën. Ndërkaq ÇEZ ka ndërprerë edhe energjinë elektrike në zonë.

Kallëpet e tritoli të vendosur në katin nëntokë janë të madhësive, 200-250 gramë, ndërsa aktualisht zona është pastruar nga makinat dhe nga lëvizjet e njerëzve.

ORA 09:30 TENSIONOHET SITUATA TEK EKONOMIKU
Tensionohet situata tek godina 4-katëshe që ndodhet përballë fakultetit Ekonomik që është vendosur për tu shembur. Gruaja pronarit të kësaj godine, bashkë me fëmijën e saj, kanë tentuar që të hyjnë brenda ambienteve. Mësohet se, policia ka shoqëruar bashkëshorten e Kol Gjokmarkajt, i cili është edhe pronari i kësaj godine.

Nga vendi i ngjarjes, gazetari i A1 Report, Arsen Rusta bën të ditur se, bashkëshortja e Kol Gjokmarkaj, është shoqëruar për në Komisariatin numër 1, pasi ka tentuar të hyjë në godinën bashkë me një fëmijë 4-5 vjeç.

Gazetari Rusta bën të ditur se, në vendin e ngjarjes, ka shumë forca policie tek ndërtesa, ndërsa janë disa punëtorë që po i japin dorën e fundit përgatitjeve. Ndërtesa është duke u rrethuar me një rrjetë hekuri dhe një beze me qëllim mos lejimin e copave të betonit që të mos shkaktojnë dëme të tjera.

Janë 250 kallëp me lëndë plasëse që janë vendosur për shembjen. Policia është duke lëvizur edhe automjetet që kanë qenë të parkuar në zonën pranë shpërthimit. Në vendin e ngjarjes ndodhet edhe zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Pandi Sulla.

Tek ndërtesa te Ekonomiku, kanë mbërritur drejtuesit e lartë të Policisë Tiranës dhe policia ka kërkuar që perimetri i sigurisë të jetë më shumë se 150 metra.

ORA 07:30 FITON EKOMONIKU, SOT SHEMBET NDERTESA
Godina 4-katëshe, që ndodhej në hyrje të fushës së Qytetit Studenti, i përcaktuar si vendi ku do të ndërtohet kampusi i UT-së, është rrethuar dje me eksploziv për t’u hedhur në erë gjatë ditës së sotme në orën 10:00. Kjo godinë ishte pa leje dhe u ngrit me nxitim për tre muaj, gjatë fushatës zgjedhore të 23 qershorit.

Protesta e studentëve të Ekonomikut për prishjen e dy ndërtimeve pa leje në terriotin universitar, i ka dhënë frytet e saj. Pas pezullimit të punimeve, gjatë paradites së djeshme, policia e shtetit ka rrethuar me shirit godinën katër katëshe, që ishte ngritur në hyrje të Qytetit Studenti, një truall i përcaktuar për ndërtimin e kampusit të universitetit të Tiranës. Godina 4-katëshe, do të shembet duke u hedhur në erë me eksploziv, gjë e cila ka shumë gjasa të ndodhë gjatë ditës së sotme. Kjo pasi ekspertët, duhet të hapin rreth 300-400 vrima në të gjitha kolonat mbajtëse të godinës, dhe në të të fusin sasinë e caktuar të eksplozivit, në mënyrë që gjatë shpërthimit të këputen kolonat mbajtëse dhe godina të shembet brenda saj, pa dëmtuar objektet përreth.

Ka qenë inspektoriati ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) që ka mbërritur i pari për të shpërthyer me eksploziv godinën ku banonin 3 familje në gjakmarrje. Ndërkohë që në këtë aksion janë angazhuar edhe 7 eskpertë xhenierë të ushtrisë, të cilët ishin pjesë e skuadrave për pastrimin e zonës së Gërdecit nga mbetjet e rrezikshme të shpërthimit. Janë pikërisht këta personat që do të përcaktojnë sasinë e eksplozivit që do të futet në secilën nga 300 vrimat që do të hapen në kolonat mbajtëse të godinës.

Por duket se kjo nuk ka qenë aq e lehtë. Kjo pasi, fillimisht, pësoi një defekt gjeneratori dhe më pas matrapiku që kishte sjellë me vete INUK për hapjen e vrimave, duke bërë që ndërhyrjë të ndërpritej për disa orë dhe të riniste sërish gjatë pasdites. Aksioni ka vijuar gjatë gjithë natës, ndërsa ekspertët do të vendosin gjatë ditës së sotme se cili do të jetë momenti më i përshtatshëm për shpërthhimin, një praktikë kjo që zbatohet për herë të parë në vendin tonë, për një objekt që ndodhet në një zonë kaq shumë të banuar.

Përplasja
Ndonëse nuk ka pasur kundërshtime fizike, pronari i godinës shprehet i revoltuar pasi, sipas tij, është përdorur politika e selektimit për shëmbjen e objektit. Ndërkohë që ka pasur një përplasje për kopetencat mes vetë punonjësve të shtetit. Ministria e Brendshme ka vënë në dispozion të kësaj situate 3 furgonë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë, por kreu i INUK, Zyhdi Dajti, ka nisur të bëjë edhe shpërndarjen e këtyre forcave speciale në rrethimin e zonës. Kjo ka revoltuar komandantin e FNSH-së, Osman Levanaku, i cili ka kundërshtuar urdhrat dhe detyrat që kreu i INUK ndante për policët e ndërhyrjes.

Në vend ka mbërritur edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, i cili ka qetësuar situatën dhe ka rikthyer FNSH-të në funksionin e saj në gjendjen e gadishmërisë dhe për të vepruar vetëm në rast se do rrezikoheshin inspektorët e INUK apo do të kishte acarim të situatës.

Ky objekt është njëri nga dy objektete që ndodhen në territor universitar, dhe për të cilët, studentët dhe pedagogët e Ekonomikut protestuan për tre javë më radhë për shembjen e tyre.

6-katëshi
Një tjetër godinë 6-katëshe ndodhet ngjitur me fakultetin e Ekonomisë. Edhe aty policia e shtetit ka pezulluar punimet, por duket se vendimi për prishjen e tij nuk është aq i lehtë, pasi objekti ka marrë më parë një leje për t’u ndërtuar në këtë zonë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here