Pas tkurrjes dramatike elektorale që pësoi në 23 qershor koalicioni i djathtë – zbriti në kuotën 39.5% në rang vendi – eksponentë të ndryshëm të tij kanë përsëritur shpesh refrenin se “opozita nuk është çështje numrash, por çështje cilësie e zërit opozitar”. Në fakt, cilësia e zërit opozitar do të ishte e majftueshme në kushtet e pluralizmit të mendimit, por jo në kushtet e pluralizmit politik, i cili është vendosur në Shqipëri që në vitin 1991. Sepse janë numrat ato që përcaktojnë fituesin në pluralizmin politik dhe jo cilësia e fjalëve. Gjithashtu, numrat përcaktojnë nëse shumica është e cilësuar në parlament apo jo. Gjë që është e rëndësishme për parandalimin e arrogancës së mazhorancës, ose, siç ka shkruajtur Alexis de Tocqueville në librin “Demokracia në Amerikë”, për parandalimin e “tiranisë së shumicës”.
Parë nga këndvështrimi numerik, zgjedhjet e parakohshme për Kryetarin e Bashkisë së Korçës ishin një test i pjesshëm i përkrahjes që koalicioni i djathtë ende gëzon në elektorat. Dhe numrat e asaj gare tregojnë se tkurrja e filluar në 23 qershor vazhdon.
Duke qenë një garë lokale për kryebashkiakun, pritej që pjesëmarrja në zgjedhje të ishte më e ulët se në 23 qershor, kur në lojë ishte posti i kryeministrit të vendit. Dhe në fakt, vetëm 22 mijë zgjedhës morën pjesë në votimin e 3 nëntorit, nga 35 mijë që kishin marrë pjesë në 23 qershor (një tkurrje e numrit të votuesve prej pothuaj 40%).
Secili nga kandidatët mblodhi më pak vota se sa morën në 23 qershor partitë respektive që i përkrahën në 3 nëntor. Por kandidati i majtë (Sotiraq Filo) mori 70% të votave që partitë përkrahëse të tij morën 4 muaj më parë, ndërsa kandidati i djathtë (Sotiraq Stratobërdha) mori vetëm 40% të votave që partitë përkrahëse të tij morën 4 muaj më parë. Dhe si rezultat i pjesëmarrjes më të ulët të të djathtëve, epërsia e majtë u rrit nga 9 mijë vota që ishte në 23 qershor, në 10.7 mijë vota në 3 nëntor.
Në krahun e majtë, u përfshi në fushatë e gjithë qeveria, me në krye Kryeministrin dhe Zv.Kryeministrin, si dhe Zyra e Rilindjes që paguante votuesit e filmuar nga Fiks Fare. Si rrjedhojë, votat e majta u tkurrën vetëm 30% në krahasim me 23 qershorin. Ndërsa në krahun e djathtë, fushatën e përballoi kryesisht kandidati Stratobërdha, me ndihmën sporadike të Gjergji Papës, Kryetarit të PD-së së Korçës, dhe të pak politikanëve vizitues të PD-së nga Tirana. Dhe rezultati, pavarsisht se ç’ndodhi me të majtën, ishte një tkurrje prej plot 60% e votave të djathta, në krahasim me 23 qershorin.
Por edhe më domethënëse se kjo shifër ishte tkurrja e votave të djathta sipas bastioneve elektorale të qytetit. Kështu, në bastionin e majtë, kandidati Stratobërdha doli relativisht më mirë se në bastionin e djathtë, si edhe më mirë se në lagjet e komunitetit egjiptian e rom (lagjet 6-8, të cilat kanë anuar gjatë viteve sa majtas, djathtas). Në bastionin e majtë ai mori 45% të votave që partitë përkrahëse të tij morën 4 muaj më parë, ndërsa në bastionin e djathtë mori vetëm 38% e në lagjet 6-8 mori vetëm 36%. Dhe një rregullsi e tillë vihet re edhe nga analiza e rezultateve qendër për qendër. Gjë që tregon se Stratobërdha si kandidat ka performuar më mirë se sa partia që e kandidoi…
Rezultatet e kësaj analize japin një mesazh i qartë. Si të përsëriten zgjedhjet e Korçës, si të mos përsëriten (pas kërkesës së demokratëve dhe hetimit të Prokurorisë për blerje votash), që PD-ja të luajë në të ardhmen rolin e një opozite të fortë numerike, e cila mund të sjellë masivisht përkrahësit e saj në kutitë e votimit, duhet të rinovojë sa më shpejt të gjithë strukturën e saj drejtuese, duke filluar nga kryetarët e rretheve. Zgjedhja e kryetarëve të rretheve me parimin një anëtar një votë do të hapte rrugën e daljes në krye të figurave të reja, të cilat mund të motivojnë elektoratin e djathtë për betejat e ardhshme elektorale – më e afërta është pas një vitit e gjysëm. Gjithashtu, kjo gjë do t’i hapte rrugën rinovimit të ekipeve drejtuese në rrethe, si dhe të Këshillit Kombëtar, i cili do të zgjedhë dhe ekipin e ri drejtues të PD-së.
Një ushtri e demoralizuar nuk mund të inkurajohet nga komandatë të vjetër që e kanë çuar në disfatë…