Home Aktualitet Oferta e opozitës për krizën, Fule: Mundësi që s’duhet të humbasë

Oferta e opozitës për krizën, Fule: Mundësi që s’duhet të humbasë

723
0

Komisioni Europian i është drejtuar Shqipërisë me një tjetër apel për dhënien fund të krizës politike, si një nga shkaqet që sollën refuzimin e statusit të vendit kandidat.

Thirrja ka ardhur nga zëdhënësja e Komisionerit për Zgjerim Stefan Fyle, Angela Filote, gjatë një deklarate në Bruksel, ku komentohet oferta e opozitës si një mundësi që nuk duhet të humbasë.

“Shumica qeverisëse dhe opozita duhet të angazhohen dhe të punojnë bashkë, në mënyrë të tillë që një zgjidhje përfundimtare, afatgjatë të gjendet duke i dhënë fund ngërçit politik që ka penguar deri tani Shqipërine që të ndjekë plotësisht perspektiven e saj europiane”, tha Filote.

“Pres të njihem zyrtarisht me ofertën e opozitës”. Kështu i është përgjigjur kryeministri Sali Berisha interesit të mediave për ofertën e opozitës.

Pak ditë pas deklaratës së opozitës se nuk kërkon fletët e votimit, por kutitë e materialeve zgjedhore, kryeministri Sali Berisha është shprehur se kërkon të njihet në rrugë zyrtare me këtë ofertë.

“Më duhet të pres para se ta komentoj, pra duhet të shoh propozimin e Ramës. Ne mbetemi të hapur për shqyrtim serioz të propozimeve dhe garantoj se kërkesat e opozitës do trajtohen me rigorozitet”- tha ai.

Berisha ka komentuar edhe kërkesën për mocion mosbesimi ndaj tij dhe kryetares së parlamentit Jozefina Topalli. “Kjo është kërkesë e 5 viteve të fundit, le ta bëjnë. Zoti u dhëntë kurajë”- tha ai.

Nje dite me pare, opozita njoftoi nisjen e përshkallëzimit te protestave për transparencën e zgjedhjeve dhe dhënien fund të krizës politike, për të cilën qeveria refuzon ofertën e bërë nga opozita.

Koordinatori i Opozitës së Bashkuar, Preç Zogaj deklaroi se ishte pikërisht kriza politike faktori kryesor që Shqipërisë iu refezua statusi i vendit kandidat për integrim.

Ai theksoi se opozita e ka bërë publike ofertën e saj për t’i dhënë fund kësaj situate dhe ajo ndodhet tashmë në tryezën e Berishës, por mazhoranca refuzon zgjidhjen.
_______

Per nisjen e protestave vendosi edhe tryeza e Opozites se Bashkuar, mbledhur te shtunen. Ndër të tjera tryeza ka vendosur mbështetje për mocionet e mosbesimit, të propozura nga opozita për kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli. Ngjela tha se kërkohet hapja e kutive të materialeve zgjedhore dhe jo e kutive të tjera.

Në emër të Opozitës së Bashkuar Ngjela kërkoi mbështetje nga opinioni publik pasi demokracia ne vend, sic tha ai, është në rrezik.

Në takim merrnin pjesë Spartak Ngjela, Skënder Gjinushi, Nard Ndoka dhe Edi Rama, ndersa nuk ishin të pranishëm kreu i partisë Demokracia Sociale Paskal Milo dhe kreu i partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule.

***

Partia Socialiste do të kërkojë një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në lidhje me refuzimin e statusit kandidat për Shqipërinë, ku njëkohësisht do të kërkojë votëbesim për kryetaren, Jozefina Topalli dhe kryeministrin Berisha. Ky është vendimi i bërë dje publik nga kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili në fillim të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare bëri një analizë të situatës politike në vend. Nga një anë, tha kryesocialisti, duhet ta falënderojmë Jozefina Topallin, që me vulgaritetin e saj të bujshëm ndihmoi në demaskimin e farsës që luhet përditë në parlamentin e dalë prej votave të vjedhura, ku deri edhe votat i vidhen opozitës sy për sy, si të ishin tollonat e naftës apo dietat që kryetarja ia firmos vetes pa kriter e karar. “Por, më anë tjetër, le të mendojmë e vendosim për të kërkuar një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, lidhur me këtë dështim të madh në rrugën e integrimit, dhe le të shikojmë mundësinë e nismës së mosbesimit të kryetares si një pengesë e identifikuar deri nga vetë Komisioni Europian për arritjen e standardeve europiane në jetën parlamentare të vendit”, – bëri të ditur Rama.
Një nisëm mosbesimi, deklaroi kryesocialisti, “pikërisht për këtë dështim të pashoq, meriton edhe kreu i kësaj qeverie të dalë nga votat e vjedhura që po vjedh të ardhmen e këtij vendi për të mbajtur pushtetin e oborrit e pasuruar oborrin e pushtetit”. “Le ta eksplorojmë edhe këtë mundësi si një akt të dobishëm që mund të mos sjellë rrëzimin e qeverisë në Kuvendin e votave të hapura e të kontrolluara me favoret e pushtetit të korruptuar dhe korruptues, por padyshim mund të nënvizojë qartë ndarjen mes atyre që në atë parlament mbrojnë interesat e oborrit të Sali Berishës dhe ne që mbrojmë interesat e Shqipërisë që jeton jashtë atij oborri e jashtë Europës së Bashkuar për shkakun e atij oborri”, – sqaroi arsyet e mocionit të mosbesimit, Edi Rama. Sipas tij, dështimet e qeverisjes, të materializuara në krizën e demokracisë, drejtësisë, ekonomisë, në krizën e gjithanshme të krejt shoqërisë shqiptare, bënë që vendi ynë të hyjë në historinë e integrimit europian si i pari vend që merr kartonin e kuq të Bashkimit Europian për keqqeverisjen dhe i refuzohet statusi i kandidatit për mospërputhje të plotë me standardet europiane.

Krahas akuzave politike, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka apeluar edhe bashkimin e opozitës kundër qeverisë. Ne emër të të gjithë shqiptarëve, kryesocialisti ftoi kryetarin e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, që të marrë pjesë në tryezën e opozitës së bashkuar. “E ja pse, për të njëjtat arsye e në emër të së vetmes shpresë të shqiptarëve, ju bëj sot të gjithëve ju apelin për t’u ngritur më shumë se asnjëherë në rangun e lartë të shpresës që kjo parti duhet ta mishërojë ashtu si shqiptarët e dëshirojnë”, – u shpreh lideri i socialistëve. Krahas ftesës së kreut të LZHK-së, ai bëri publike edhe 14 kooptime të reja në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Më tej, lideri i selisë rozë komentoi dhe shqetësimin e deputetit Fino për Kryesinë dhe sekretariatin. “Por kjo i dashur Bashkim nuk është një kohë normale dhe sfida jonë është sot një tjetër, ndërkohë që lërmë të besoj se kjo qasje imja, në dukje jonormale sot është e duhura për t’i dhënë mundësinë gjithsecilit që në këtë betejë kaq të madhe, aspak normale, për të vetmen shpresë të shqiptarëve sot, të nxjerrë nga vetja më të mirën në shërbim të Partisë Socialiste”, – deklaroi Rama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here