Home Lifestyle “Nuk jetojmë dot më si njerëz normalë”

“Nuk jetojmë dot më si njerëz normalë”

151
0

Nëna e Klodit, thirrje Liri Berishës dhe Jozefina Topallit.
Ndihmoni familjen time!

Jeta e nënës së Klodit ka ndryshuar 100 për qind në harkun kohor të 6 muajve. Ajo nuk është më gruaja që dilte që në mëngjes në punë dhe kthehej pasdite pranë fëmijëve të saj. Pas publikimit të lajmit të Klodit që ishte homoseksual asgjë nuk është më si më parë. Ajo është pa punë, tre djemtë pa punë dhe jeton në një shtëpi me qira 40 metra katrorë në qytetin e Durrësit.
Gjatë një bisede me zonjën Lumturi, ajo shpreh shqetësimin e saj për gjithçka që i ka ndodhur këto kohë dhe mbi të gjitha për mosmbështetjen e askujt. Nuk më habit asgjë në këtë vend, shprehet ajo, me zërin që i dridhet, thjesht dua t’i bëj thirrje zonjës Liri Berisha dhe zonjës Jozefina Topalli, pasi edhe ato janë nëna, e jetës nuk i dihet. “Mbi të gjitha ato janë nëna, jeta është shumë e gjatë, unë ju uroj që ato të shohin vetëm gëzim dhe mirësi tek fëmijët e tyre, por jetës nuk i dihet.
Mua ato një sekondë nuk duhet të më kishin lënë të vetmuar. Një fjalë e tyre, për mua ishte një forcë e madhe. Sikur në ato momente të më kishte vdekur djali, por, si nëna, një fjalë e tyre mua do të më shëronte.”
Me gjithë këto thirrje që kemi bërë në media gjatë kësaj kohe, letrave dhe mesazheve pa fund që u kemi dërguar dhe nga ato si përgjigje kam marrë vetëm ftohtësinë dhe mospërfilljen e tyre. “Kjo është jonjerëzore, shteti ka të drejtë të mbrojë qytetarët e tij, shteti ka për detyrë të mbrojë familjen time”, – pohon zonja Lume.
“U bëj thirrje të dyja zonjave që të më ndihmojnë dhe të më kuptojnë si nënë, gjatë gjithë kësaj kohe jam ndier e fyer dhe e diskriminuar, jo vetëm nga njerëzit përreth, por edhe nga vetë autoritetet shtetërore”, – janë fjalët e 62-vjeçares që edhe pse e lodhur nuk ndalet së kërkuari të drejtat si një familje normale.
Familja ime ndihet e kërcënuar, jo vetëm nga ana ekonomike, por edhe nga ajo shpirtërore. Nuk guxoj të dal shëtitje me fëmijët e mi se na thonë “mami i pederastit”, “vëllai i pederastit”.
Atëherë si i bëhet halli!? Në verë kisha një kioskë të vogël afër detit, që më shpërbente sa për të blerë bukën, ndërsa tani që është mbyllur sezoni asnjë të ardhur nuk fus në shtëpi.
Deri në përfundimin e mandatit të Ambasadorit Amerikan në Shqipëri, gjithçka ishte normale, tregon ajo.
Madje, në festën pavarësisë së Amerikës, një ndër tre përshëndetjet kryesore ishte dhe ajo për nënën e Klodit të “Big Brotherit”, “ku mes të tjerash më përmendi edhe mua, duke më thënë që ti je motra ime, dhe u kërkoi të gjithë të pranishmëve të më respektonin dhe donin”, – por ç’të shikoj përtej, shprehet zonja Lumturi.
“Shikimi i njerëzve ishte diskriminues dhe askush nuk erdhi të më jepte dorën dhe të më përqafonte, apo qoftë edhe të trokisnin një gotë”. Aty ishin të gjithë, që nga politikanë e deputetë deri tek njerëzit më të thjeshtë. “Tani kemi një fije shprese nga ambasada Holandeze, por ende asgjë konkrete”, – shprehet ajo.
Nëna: Shoqatat përdorin emrin e Klodit dhe nuk e ndihmojnë atë
Shqetësimi i Klodit dhe i nënës së tij është për përdorjen e emrit Klodian Çela sa herë që bëhet fjalë për një bisedë për lejimin e homoseksualëve dhe mos diskriminimin e tyre. “Ata nuk mund të hanë në kurriz të djalit tim”, – pohon Lumturia.
“Në çdo zyrë për mbrojtjen e të drejtave të homoseksualeve shikon fotografinë e Klodit dhe nga ana tjetër janë po këto organizata që gjoja mbrojnë të drejtat e njeriut, por, në fakt, nuk bëjnë asgjë. Klodin tim nuk e kanë thirrur asnjëherë mes tyre.
Në fillim na kanë premtuar ndihmë. E kam takuar edhe Kristi Pinderin që tashmë është një nga themeluesit e ‘Ambasadës Pink’ dhe më ka thënë shprehimisht ‘na ke ne’, po unë që në atë periudhë nuk e kam parë dhe as është munduar të vijë të më takojë.
Çfarë janë këto shoqata që nuk mbrojnë të drejtat e askujt që marrin vetëm lekët, të përdorin dhe asgjë më tepër”, – shprehet e irrituar nëna e djalit që bëri jehonë për pranimin në publik të homoseksualitetit të tij.
Klodi: Kam nevojë për psikolog

E gjithë kjo periudhë ka qenë një presion i madh për të.
Pas qëndrimit 4 muaj në “Big Brother”, kur doli jashtë realiteti ishte krejt ndryshe nga ç’e kishte menduar. Jo vetëm komplimente, por edhe fyerje dhe ofendime pa fund për prirjet e tij seksuale. Gjithçka e ka përballuar me qetësi edhe pse situata të ndryshme e kanë bërë të mos ndihet mirë. Premtime për një punë, e nga ana tjetër nuk është bërë asgjë.
Presionet e vazhdueshme, kërcënimet që i kanë ardhur në facebook, kanë sjellë probleme në shëndetin e Klodit. “Gati-gati kam rënë në depresion”, – thotë ai. Me bindje pohon se ka nevojë për një psikolog. Nuk ka mundur të shkojë as te varri i të atit në Lezhë.
Nuk ka mundur as të shkojë të vizitojë gjyshen e sëmurë dhe nga ana tjetër nuk guxon të shkojë të marrë pasaportën në vendlindje, të gjitha këto për një arsye, të mos krijojë provokime nga ana e homofobikëve, të cilët Klodi i ka hasur jo pak këto kohë.
Shtëpia
Familja Çela jeton në një ambient 40 metra katrorë në një apartament të ri në qytetin e Durrësit. Ambientet janë shumë të vogla për një familje me shtatë anëtarë. Zonja Lumturi (nëna e Klodit) i kërkon shtetit që ta strehojë, por ajo nuk do asgjë falas.
Ajo pohon: “I lutem shtetit që le ta marrë shtëpinë që kemi në Lezhë, është një banesë që e ka zili gjithë qyteti, dhe iu kërkoj pushtetarëve të më japin një banesë këtu, pasi ne nuk mund të kthehemi dot më në atë vend. Ambienti është shumë diskriminues dhe nuk do ta përballonim dot atë valë urrejtje”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here