Home Aktualitet Noka: Rama mesazh ministrit “mendo ku ke gabuar”

Noka: Rama mesazh ministrit “mendo ku ke gabuar”

618
0

komisioni-hetimorNjë mesazh telefonik, i bërë publik nga ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka, i cili pretendon se është nisur nga kryeministri Rama në drejtim të ministrit Tahiri, ka ngjallur debate të forta në komisionin hetimor të ngritur për largimet, lëvizjet dhe emërimet në Policinë e Shtetit.

Sipas deputetit Noka, kryeministri Rama konstaton rritje të vrasjeve gjatë muajit mars, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe i kërkon ministrit Tahiri të marrë masa. Nga ana e tij, Ministri Tahiri deklaroi se mesazhi në fjalë ekziston, por është nisur nga telefoni i tij në drejtim të dy vartësve.

Sipas Nokës, ja SMS e plotë e Ramës ndaj Tahirit
“Nga muaji mars 2014 dyfish vrasje krahasuar me muajin Mars 2013, gjithashtu janë përkeqësuar gjithë treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët dhe shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues statistike. Kjo nuk është kurrkund ajo që ke marrë përsipër përballë qytetarëve, pra si unë edhe ti. Është e përsëritur thirrja për hir të punës dhe dashamirësisë njerëzore karshi teje, por ky kufi nuk mund të shkelet me neglizhencë fatale si ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë nuk jam shumë larg së menduari se problemi je ti dhe jo vartësit e tu dhe nëse janë të paaftë ata, nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty. Unë besimin që të kam dhënë, detyra dhe pritshmëria e publikut se meritojnë gjëkundi këtë pritshmëri. Flasim nesër për më tepër, por këto orë që kanë mbetur bëj më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar, cnuk bëre mirë e cdo bësh për të riparuar në qoftë se mundesh”.

Ndër të tjera, Ministri Tahiri deklaroi në komisionin hetimor se ndryshimet në kupolën e Policisë së Shtetit janë bërë në konsultim me ish-drejtorin Hysni Burgaj, për të vendosur në krye të policisë ekspertë e profesionistë të aftë e të përkushtuar.

Ministri Tahiri tha se në muajin shtator e kishte gjetur Policinë e Shtetit të gjunjëzuar, ndërsa një pjesë e drejtuesve nuk plotësonin kriteret e nevojshme për të drejtuar Policinë.

TAHIRI: TË GJITHË ATA QË IKËN NGA POLICIA E SHTETIT, DUHET TË IKNIN DHE NUK DUHET TË KTHEHEN MË ATY
Ora 15:30-Strazimiri: Mos ia ler të gjitha Tan Didit se gjynah. Keni marrë persona në shkelje të ligjit që mbajnë dy grada më poshtë. Pse persona që mbajnë gradën dhe shkelin ligjin mbajnë në punë persona që mbajnë dy grada më pak.

Tahiri: detyra ime është si ministër është që cdo hap i punës të bëhet bazuar në ligj dhe jo nga hamendësimi yt.

Strazimiri: Nuk është zbatuar e më thoni se nuk është puna ime
Tahiri: Ka përgjigje për gjithë praktikat ndaj zotit Burgaj për shkarkimin e drejtorëve e qarqeve. z Didi që nga dita e parë që ka marrë detyrën ka respektuar ligjin gërmë për gërmë. Të gjithë ata që kanë ikur nga Policia e Shtetit duhet të iknin dhe nuk duhet të kthehen më në Policinë e Shtetit.

Strazimiri: Po shpresoja deri në fund që ju të hapeni rreth kësaj cështje. Mënyra sesi flisni për ta është politizimi i krimit. Pse nuk caktoni urdhrin e lirimit?

Tahiri: I nderuar deputet kur e keni marrë këtë përgjigje nga Drejtori i Përgjithshëm do ua kishte dhënë një përgjigje. Për emërtesa lëvizje personeli, shkarkime transferime përgjigjet drejtori i Policisë së Shtetit, jo ministri. Ministri ushtron profesionin e tij dhe jam i bindur se kam respektuar kuadrin ligjor, gërmë për gërmë. E di që ju vjen keq për Kulicaj, Brecani etj

Strazimir: nuk bëhet fjalë për këta dhe ata që arrestuan babain tuaj, bëhet fjalë për 400 e ca persona që janë shkarkuar. Është respektuar ligjshëmria në këto këto, ju as këtë nuk e thoni. Kam ca pyetje të tjera po ky nuk e kalon dot testin e inteligjencës.

TAHIRI: NJOH CDO EFEKTIV, I UROJ PËR DITËLINDJE. ARRESTIMI I BABAIT, E PADENJË QË NJË MINISTËR TË MERRET ME KËTË CËSHTJE
Ora 14:50-Tahiri:
 Po të keni ndonjë kuriozitet për sms si komunikoj me vartësi e mi dhe me kryeministrin jam i hapur.

Pjerin Ndreu: A i ke njohur efektivet që kanë arrestuar babain tuaj?
Tahiri: Nuk më është dhënë rasti ti takoi. E quaj të padenjë që një ministër të merret me cështje që nuk kanë të bëjnë me detyrën. Kam dëgjuar deklaraten e disa ditëve me parë të një personi në këtë komision që me ka takuar mua dhe ka folur me mua. Nuk është i vërtetë një pretendim i tillë.

Nuk ështe ngjarje rutine dalja para komisionit hetimor. Unë e përjetoj me emocion bashkë me familjen time dhe bashkëpunëtorëve të mi. E përjetoj bashkë me cdo punonjës policie. Të cilët i uroj mëngjes për mëngjes kush ka ditëlindjen nga efektivet e policisë.

NOKA: RAMA SMS TAHIRIT “MENDO KU KE GABUAR”
Ora 13:00-Noka: Ju thatë që rezultatet tregojnë që keni bërë shumë mirë fillimin e reformës dhe ka dhënë efektin. Do ju lexoj një sms që ju ka ardhur para pak ditësh nga kryeministri juaj. “Nga muaji mars 2014 dyfish vrasje krahasuar me muajin Mars 2013, gjithashtu janë përkeqësuar gjithë treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët dhe shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues statistike. Kjo nuk është kurrkund ajo që ke marrë përsipër përballë qytetarëve, pra si unë edhe ti. Është e përsëritur thirrja për hir të punës dhe dashamirësisë njerëzore karshi teje, por ky kufi nuk mund të shkelet me neglizhencë fatale si ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë nuk jam shumë larg së menduari se problemi je ti dhe jo vartësit e tu dhe nëse janë të paaftë ata, nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty. Unë besimin që të kam dhënë, detyra dhe pritshmëria e publikut se meritojnë gjëkundi këtë pritshmëri. Flasim nesër për më tepër, por këto orë që kanë mbetur bëj më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar, cnuk bëre mirë e cdo bësh për të riparuar në qoftë se mundesh.” Është hera e parë që bie dakord me kryeministrin. Tani kush gënjen, ju apo kryeministri me këtë mesazh që ju ka dërguar ju?
Paulin Stërkaj: Ky komision po përgjon. Nga e keni marrë këtë sms?
Noka: Mesazhi më ka ardhur nga kabineti i kryeministrisë.
Tahiri: Ja ku e keni mesazhin, ua kam dërguar une dy bashkë punëtorëve të mi. Eshtë e turpshme që bini në keto nivele. Kjo është arsyeja pse policia ishte katandisur në atë derexhe.
Klosi: Kjo është shkelje e rëndë e sigurisë kombëtare. Nuk mund të pranojmë që ju përgjoni biseda telefonike të kryeministrit me ministrin. Për përmbajtjen mund të bëni çdo lloj pyetje, por që të pranoni që keni informacion për komunikimet e kryeministrit me ministrin kjo përbën një shkelje të rëndë.
Noka: Njëherë thanë është mashtrim, pastaj nuk e përgënjeshtruan. Unë e shoh që në sytë e kolegëve të mazhorancës ka lindur një shkëndijë se mund tu ofrohet ndonjë shans. Por ajo që është e vërtetë është e vërtetë, që ka ende drejtues që besojnë akoma më shumë tek unë se sa tek ministri që keni ju.
Klosi: E dimë që keni blerë pajisje për të përgjuar opozitën. Vazhdoni ta bëni dhe të hetoni me ketë historinë e përgjimit. Por që kjo gjë të bëhet në mënyrë kaq arrogante është e pafalshme për ne. Kërkojmë ndjesë që një krah i politikës shqiptare funksionon me këtë teorinë e përgjimit. Habitem nga ajo që ju se keni kuptuar që keni dalë në opozitë. Jetoni si insekt, që përgjoni njëri-tjetrin, opozitën kundërshtarët dhe mendoni se shqiptarët do t’ju votojnë se keni një sms që ministri ua ka dërguar bashkëpunëtorëve të tij.
Halimi: Zotërinjtë qajnë se i paska përgjuar opozita, deri dje qanin se i përgjonte mazhoranca. Ky është qëndrimi më absurd dhe më qesharak. Rashë dakord me ju që ta hetojmë në një komision tjetër, ku mazhoranca të qahet se e ka përgjuar opozita. Kjo histori është e qartë, të mos vazhdojmë më. Ne kemi tjetër hall, kemi tjetër hetim ta respektojmë të ftuarin siç kemi respektuar dhe të tjerët dhe e lemë këtë histori.

TAHIRI U PËRGJIGJET ANËTARËVE TË KOMISIONIT: POLICINË E SHTETIT E GJETA TË GJUNJËZUAR
Ora 12:00-Ristani: Pyetjet të bëhen një nga mazhoranca dhe një nga minoranca e komisionit.
Balla: Zoti ministër cila ishte gjendja e personelit në policinë e shtetit në momentin që ju morët drejtimin Ministrisë së Brendshme?
Tahiri: Inkurajoj komisionin që nëpërmjet gjetjeve të hetimit të nxisë më tej reformën në Policinë e Shtetit, e cila ka filluar dhe ju siguroj se kemi vullnetin e plotë se do të vazhdojë. Unë kam marrë detyrën në mes të shtatorit. Kishim pritshmërinë që e kishim konstatuar edhe gjatë kohës që ishim në opozitë lidhur me degradimin e kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit. Kemi bërë së bashku me partnerët ndërkombëtare iniciuam një vlerësim të plotë të brendshëm dhe të jashtëm të Policisë së Shtetit, s i takon burimeve njerëzore, kapacitetet për t’ju përgjigjur përmbushjes së misionit, teknologjisë, infrastrukturës policore, trajtimit të punonjësve të policisë të çdo niveli dhe mundësisë potenciale të Policisë së Shtetit për t’ju përgjigjur nevojave të qytetarëve për më shumë siguri për jetën dhe për pronën. Bazuar në vlerësimin tonë paraprak, situata që gjetëm në Policinë e Shtetit ishte shumë më keq se sa pritshmëria jonë. Kemi gjetur një situatë aspak pozitive sa i përket korrupsionit , politizimit të strukturave të policisë, trembje, tulatje dhe mungesë totale të vullnetit dhe dëshirës për të përmbushur misionin. Policia e Shtetit ishte e gjunjëzuar në momentin kur unë kam marrë detyrën.
Dhe sot kur lëvizjet në policin e shteti janë më pak se 2%, ata njerëz po i përgjigjën më së miri misionit kushtetues dhe pritshmërisë së qytetarëve për më shumë siguri. Burimet njerëzore kanë rëndësi maksimale në Policinë e Shtetit. Pamë që në Policinë e Shtetit ishte zhvilluar një tërmet sa i takon burimeve njerëzore. Kemi gjetur një polici me moshë mesatare 40-45 vjeç, shumë larg kritereve të BE-së. Kjo ka ndodhur sepse Policia e Shtetit është trajtuar si hambar për të punësuar ata që nuk gjenin dot punë në administratën e shtetit. Tradhtia, ose lidhja e disa prej drejtuese të policisë me segmente të caktuara të krimit dhe në raste të caktuara komandimi i aktiviteteve kriminale, kishte bërë që të humbte motivimi për tu përballur me krimin. Për këto shkaqe kam kërkuar, duke u konsultuar me ish-drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kam kërkuar lëvizje të menjëhershme të drejtuesve të policisë. Duke mbajtur parasysh që në të kaluarën lëvizjet në Policinë e Shtetit kanë qenë masive. Ne vlerësuam që policia duhet të zbriste në terren, afër qytetarëve, për të çuar shërbimin policor pranë qytetarit. Duke e kthyer piramidën e policisë nga një piramidë e shtrembër kokëposhtë siç e gjetëm , në një piramidë të rregullt që i përgjigjet komandës dhe domosdoshmërisë për të adresuar çështje të kriminalitetit afër qytetarëve. Ky është qëllimi i reformës që sapo ka nisur dhe kush nuk bën detyrën nuk është për Policinë e Shtetit.
Balla: A i plotësonin të gjithë drejtuesit e lartë të Policisë së Shteti që ju gjetët në detyrë kriteret e duhura për të mbajtur detyrat respektive që mbanin?
Tahiri: Së bashku me ish-drejtorin e Përgjithshëm zotin Burgaj vlerësuam se drejtuesit e policisë nuk i përgjigjeshin asnjë lloj ritmi për të garantuar siguri për qytetarët. Drejtori Burgaj në konsultim me mua vlerësoi se drejtimi i policisë duhej rinovuar me ekspertë e profesionistë, dhe njerëz të aftë dhe të zotë që mund të bënin atë pune. Kemi angazhuar potencialin më të mirë të Policisë së shtetit, për ta vënë në drejtim të policisë dhe për të ecur përpara në sfidat që ka. Një pjesë e drejtuesve që gjetëm në detyrë nuk plotësonin kriteret. Bëhet fjalë për njerëz që kanë qenë të përjashtuar dhe të rikthyer në detyrë pa asnjë vendim gjykate. Konkretisht zoti Mërgim Hoxha, drejtor i qarkut Lezhë, pa punuar asnjë ditë në Policinë e Shtetit, shkoi në atë detyrë direkt nga drejtori i ujësjellësit Lezhë. Mori gradën drejtues i parë në kundërshtim të hapur me ligjin për gradat duke pasur vetëm 1 vit e 7 muaj punë karrierë policore. Normalisht duhen 12 vjet e 8 muaj. Ky zotëri u bë dhe drejtor i akademisë së policisë, dhe ndërkohë ushtrohej në Facebook për fushatë të theksuar politike në zgjedhjet e fundit. Kemi gjetur drejtues në polici të cilët në dosje kishin të administruar vërtetim, PD dega Peqin, e administruar si vjetërsi pune, Ismail Shefit Elezi. Ishte llogaritur punësimi i tij për vjetërsi pune si nënkryetar i PD dega Peqin. Ky person ka depozituar këtë vërtetim në dosje dhe i është administruar ky vërtetim si në dosje si vjetërsi pune.
Ristani: Për këtë arsye e keni hequr zotin Elezi?
Tahiri: Për këtë duhet të pyesni drejtuesin e policisë. Osman Levanaku, administruar në dosjen e punës, roje PD e Shqipërisë. Roje tek PD mund të jetë punë e nderuar, ishte emëruar drejtori i FNSH-së.
Ristani: Ne ju kemi kërkuar dosjet përkatëse për të gjithë këta njerëz. Këto nuk na i keni sjellë në dosjet që kemi kërkuar.
Tahiri: I keni në dosje patjetër.
Ristani: Nëse këto që ju thoni janë arsye të shkarkimit të këtyre njerëzve dakord.
Tahiri: Këto janë disa nga arsyet të cilat përfshihen në vlerësimin tonë për drejtuesit e policisë.
Ristani: Të gjitha arsyet që ju po thoni janë arsyet që kanë çuar në largimet e këtyre njerëzve nga puna apo jo?
Tahiri: Ne vlerësimin tonë të burimeve njerëzore dhe veçanërisht të drejtuesve të policisë kanë dalë dhe këta elementë të cilët janë arsyeja pse këta persona janë rritur në detyrë në mënyrë të paligjshme.
Tahiri: Po arsyetoj gjendjen që kemi gjetur dhe që nuk e kemi çrrënjosur në tërësi. Shtetasi A.K. oficer policie, është arrestuar në një shtet të BE-së me një ngarkesë kokainë. Ka nxjerrë dokumentin e policisë për t’i shpëtuar procedimit në atë moment, duke deklaruar se ishte agjent në mbulim. Autoritetet kanë kërkuar sqarime tek drejtori i Përgjithshëm zoti Burgaj.
Ristani: Për cilën periudhë bëhet fjalë?
Tahiri: Vazhdon sot e kësaj dite çështja bashkë me partnerët ndërkombëtarë. Burgaj u kthen përgjigje se personi është larguar nga Policia e Shtetit për mosparaqitje në detyrë. Ndërkohë nuk ka ndodhur që drejtori të kthejë një përgjigje dhe nëndrejtori një tjetër përgjigje. Kjo tregon që nuk kishin asnjë lloj lidhje me njëri tjetrin. Ndërkohë zotëria është rimarrë në detyrë se i duhej për zgjedhje dhe e emëroi në Kukës.
Ristani: Nuk po hetojmë standardin e Policisë së Shtetit në vitin 2012. Mos na nxirrni nga shinat e hetimit që kemi.
Noka: Unë kam qenë ministër jo polic që të merresha me emërime dhe shkarkime.

PUNA E KOMISIONIT HETIMOR
Më parë në komision kanë dëshmuar si të njohur me fakte, Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ish-Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe një pjesë e mirë e punonjësve aktuale, por dhe ish-punonjësve të Policisë së Shtetit.
Komisioni Hetimor përbëhet nga 15-të anëtare, 7 nga opozita dhe 8 nga maxhoranca. Komisioni i Kërkuar nga Partia Demokratike drejtohet nga deputeti i PD-së, Arben Ristani, ndërsa nënkryetar është deputet i PS-së, Taulant Balla.

Komisioni Hetimor i votuar më datë 13 Shkurt 2014 në Kuvendin e Shqipërisë, nisi punën më datë 17 shkurt dhe sipas vendimit të Kuvendit ka një kohëzgjatje prej 2 muajsh, pra pritet të japë konkluzionet e tij më datë 17-prill.
Burime pranë Partisë Demokratike kanë bërë të ditur se deputetët e opozitës po përgatisin shkresën zyrtare për të kërkuar shtyrjen e afatit të punës së tij edhe për një muaj, pasi komisioni është në fazën e hetimeve dhe ende nuk kanë nisur diskutimet për të nxjerrë përfundimet e punës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here