Instituti për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni të mërkurën ka bërë thirrje që nxënësit shqiptarë që jetojnë në këtë vend të mos mbeten të përjashtuar nga projekti për një abetare të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Është një iniciativë e mirë edhe në fushën e integrimeve brenda shqiptarëve. Megjithatë, ne kemi vërejtjet tona sepse ne mendojmë se projekte të tilla, të cilat janë me karakter mjaft madhor dhe kombëtar, duhet të shkojnë përmes rrugës institucionale. Rrugë institucionale konsideroj Ministrinë e Arsimit dhe institutet shkencore këtu tek ne”, ka deklaruar Shefqet Zekolli.
Ndonëse nuk ka marrë ftesë për t`iu bashkangjitur kësaj nisme, zv/Ministri shqiptar në Ministrinë e Arsimit në Shkup, Safet Neziri, shpreson se në të ardhmen në këtë proces do të përfshihen edhe shqiptarët e Maqedonisë.
“Besoj se në të ardhëm kjo iniciativë do të zgjërohet edhe më tutje. Mendoj se nga Republika e Shqipërisë ajo do të vijë si rezultat i marrëveshjeve që do të nënshkruajmë në të ardhmen, sepse ne besojmë se lokomotivë të këtij procesi kemi Tiranën dhe Prishtinën”, ka deklaruar Neziri.
Nga viti i ardhshëm shkollor nxënësit e klasave të para në Shqipëri dhe Kosovë do të mësojnë me të njëjtën abetare. Procesi për unifikimin e librave që nis me abetaren pritet të vazhdojë edhe me tekstet e tjera shkollore.
Ku mund ta gjej ket abetaren e vjeter??
BRAVO EDHE VELLEZERIT TANE NE ILIRIDE TE MESOJNE ME NJE ABETARE SI VELLEZERIT E TYRE NE DARDANI E SHQIPERI, PASI NE FUND TE FUNDIT NE MANASTIRIN E TYRE U BE EDHE KONGRESI QE PERCAKTOI KETE GJUHE TE SHENJTE QE FLASIM NE SOT, SHQIPEN PRA CDO ZOG SHQIPTARI ATE TE MESOJE PA PASUR PARASYSH SE NE CFARE SHTETI JETON , RROFTE SHQIPJA E PASTER EDHE KOMBI YNE….