Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë vetëm për dy javë djegien e fletëve të votimit, veprim i cili do të mbyllte çdo rrugë negocimi mes mazhorancës dhe opozitës. Në mbledhjen e djeshme, anëtarët e KQZ-së votuan pro shtyrjes së vendimit pa afat, por i kontaktuar nga “Shekulli” Ristani pohoi se miratimi i vendimit është shtyrë vetëm për dy javë. Gjatë kësaj kohe, politika shqiptare duhet të gjejë rrugën e kompromisit ose të dy forcat politike do të ndahen përgjithmonë në çështjen e zgjedhjeve dhe reformave. Mbledhja e djeshme e KQZ-së nisi në një atmosferë disi të tensionuar, edhe për shkak të përplasjes së dy ditëve më parë në Kuvend. Përfaqësuesit socialistë në KQZ kërkuan shtyrjen e marrjes së vendimit për djegien e fletëve të votimit. Sipas juristit Genc Gjonçaj, marrja e vendimit për djegien e fletëve në një kohë kur dy forcat kryesore janë përfshirë në një proces negociatash për gjetjen e mënyrës për hetimin e zgjedhjeve parlamentare, do të shkatërronte frymën e bashkëpunimit. Përfaqësuesi i PS-së tha se argumentet e përdorua nga administrata e KQZ-së nuk qëndrojnë dhe akuzoi administratën se “vendimi për asgjësimin dhe djegien e fletëve të votimit bëhet vetëm për një qëllim të vetëm, atë të zhdukjes së provave të manipulimit të zgjedhjeve të kaluara”. “Asgjësimi i fletëve të votimit do të krijonte premisa për pengimin e organeve të drejtësisë dhe do të pengonte marrjen e vendimeve të drejta. Unë kërkoj që ju të tërhiqni, të ndryshoni apo të zhbëni materialin që keni shkruar. Nuk mund të ketë një ftesë për të diskutuar për djegien e fletëve të votimit sot. Mos bëni figurën e Neronit të shekullit XXI”, – u shpreh Gjonçaj. Pas leximit të qëndrimit zyrtar të PS-së, dy përfaqësuesit e opozitës braktisën punimet e mbledhjes. Të njëjtin qëndrim lidhur me shtyrjen e afatit për djegien e fletëve të votimit, mbajti edhe përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Niazi Kosovrasti. Duke theksuar rëndësinë e gjetjes së kompromisit midis dy aktorëve politikë për zgjedhjet parlamentare, përfaqësuesi i PD-së kërkoi shtyrjen e votimit deri në një afat të papërcaktuar. “Ka një korrespondencë të zotit Astrit Patozi dhe i zotit Gramoz Ruçi. Meqenëse akoma në PD lidhur me këtë letër të Patozit nga zoti Ruçi nuk ka ardhur një përgjigje se cili është mendimi përfundimtar, unë mendoj, dhe do t’iu lutesha, që kjo mbledhje të mos zhvillohet sot dhe të pritet pak kohë deri sa të vijë një përgjigje nga PS-ja se si e mendon ajo zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve”, – theksoi Kosovrasti. Këto propozime u hodhën në votim dhe anëtarët ishin pro shtyrjes së miratimit të vendimit. Por, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ishte i vetmi, që votoi kundër shtyrjes së vendimit për djegien e fletëve të votimit, duke theksuar se shtyrja e datës së pastrimit të fletëve të votimit do të rrezikojë zhvillimin e zgjedhjeve lokale. “Detyra jonë është organizimi i zgjedhjeve të ardhshme. Ne kemi qëllim zbatimin e ligjit dhe për këtë arsye do të isha kundër shtyrjes, megjithëse pranoj se kemi edhe pak kohë në dispozicion”, – tha Ristani. Kreu i KQZ-së zbuloi detaje nga negociatat, duke u shprehur se dy forcat kryesore tashmë i kanë ndërprerë negociatat. Ai iu bëri thirrje anëtarëve të KQZ-së që të mos bëhen pjesë e politikës, por të jenë garant të zbatimit të ligjit. “Për sa i përket komisionit hetimor unë di që, po kjo nuk është në dijeni zyrtare, nuk është formuar dhe nuk ka funksionuar. Nuk kemi pse të bëhemi ne pjesë e debatit politik. Politika kishte një vit për ta zgjidhur, s’e zgjidhi, punë e tyre”, – sqaroi Ristani.
______________
Vetëm një ditë më parë, PS-së përmes deputetit Xhafaj deklaroi se nuk do të njohë qeverinë zjarrvënëse, duke i bërë apel të mos djegë fletët, pasi bashkë me to digjet dhe shansi i zgjidhjes së krizës.
Po dje, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, iu drejtua me një ketër PE-së ku shprehte pikërisht këtë shqetësim.
Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj ka deklaruar nga foltorja e kuvendit se opozita është e vendosur dhe e gatshme për mbledhjen e komisionit hetimor për të hetuar zgjedhjet e shkuara, pa të cilat, sipas tij nuk mund të ketë zgjedhje të ardhshme të lira e të ndershme.
“Mos luani me zjarrin. Ne nuk e njohim qeverinë zjarrvënëse”- tha Xhafaj, duke iu referuar vendimit të KQZ-së për djegien e fletëve të votimit dhe pastrimin e kutive për t’i pasur gati për vendoret e ardhshme.
Xhafaj ka theksuar se vendimi per te djegur fletet tregon qarte se duhet te zhduket prova qe fshihet brenda tyre. Sipas tij, nje pushtet qe djeg voten nuk mund te cilesohet legjitim.
_________________
Vendimi, KQZ djeg fletët e votimit. Hapja e kutive do kushtojë 3.1 milionë lekëTIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë gati projektvendimin dhe ditën e premte pritet të miratojë djegien e fletëve të votimit. Në një kohë kur PS dhe PD pohojnë se janë ende duke negociuar për krizën politike dhe çelësi i zgjidhjes janë fletët e votimit, KQZ bën gati një vendim që mund të minojë çdo marrëveshje mes dy partive. Të kontaktuar nga “Shekulli”, anëtarë të KQZ u shprehën në dy linja të ndryshme në lidhje me çështjen e fletëve. Të djathtët pohuan se do të zbatojnë ligjin dhe fletët duhet të digjen ndërsa të majtët thanë se është një projekt vendim, i cili do të shqyrtohet ditën e premte dhe qëllimi i tyre është ta ndryshojnë.
Projektvendimi i KQZ-së është vënë në lëvizje nga vendimi i presidentit Topi për të dekretuar tetë majin si datën e zgjedhjeve lokale. Madje për të përmbyllur këtë proces, KQZ ka miratuar edhe një buxhet të posaçëm. Në projektvendimin, i cili pritet të miratohet në mbledhjen e ditës së premte, KQZ parashikon të gjithë procesin, nga hapja e kutive deri tek djegia e fletëve të votimit si dhe afatet kohore brenda të cilëve duhet të përmbyllen përgatitjet. Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një vendim që mund të kalohet edhe me një shumicë të thjeshtë, pra me një votim katër me tre, projekti pritet të miratohet pa probleme nga dita e premte dhe menjëherë do të fillohet me zbatimin e tij.
Që në momentin e hyrjes në fuqi të vendimit të KQZ-së, deri në përfundimin e këtij procesi duhet një periudhë kohore rreth tre muaj. Kjo sipas KQZ-së, për faktin se i gjithë procesi i përgatitjes dhe miratimit të buxhetit si dhe procedurave të prokurimit kërkojnë kohën e duhur në përputhje me përcaktimet ligjore për prokurimet publike. “Së fundmi, eksperienca e konsiderueshme që administrata e KQZ-së ka në përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore ka treguar që përgatitja e logjistikës, duke përfshirë edhe impenjimin maksimal të të gjithë administratës, kërkon një afat tremujor për të respektuar të gjithë kërkesat dhe afatet që përcakton Kodi Zgjedhor”, -thekson KQZ.
Projektvendimin të cilin pritet ta miratojë brenda kësaj jave, KQZ e justifikon me nevojën që ka administrata për fillimin e procesit të shqyrtimit të sasisë së gjendjes së materialeve ekzistuese për të parashikuar buxhetin që do të duhet për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme. Materialet që do të përdoren gjatë zgjedhjeve lokale të 8 majit 2011 do të përbëhen nga kutitë e votimit dhe kutitë e materialeve zgjedhore; paketa e kancelarive; kopje të kodeve zgjedhorë; kodet e sigurisë si dhe boja me të cilin ngjyroset gishti i votuesit.
Nëse për boshatisjen e kutive aktuale të votimit do t’i duheshin tre muaj kohë, për përgatitjen e zgjedhjeve lokale, KQZ parashikon t’i nevojiten rreth shtatë muaj kohë. Duket se efekti kohë është arsyeja e miratimit të vendimit në mbledhjen e ditës së premte më datë 17 shtator. Projektvendimi i publikuar në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së, është gati dhe pret që të fillohet së zbatuari menjëherë pasi të jetë votuar në komision. Madje, një tregues tjetër i faktit se KQZ kërkon ta mbyllë shpejte procesin e boshatisjes së kutive të fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhor ka të bëjë me vendosjen e datës së fillimit dhe përfundimit të këtij procesi brenda vitit 2010.
Hapja e kutive do të kushtojë 3.1 mln lekëI gjithë procesi i hapjes së kutive zgjedhore dhe djegies së fletëve të votimit do të kushtojë rreth 3.1 milionë lekë. Këto janë para të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i ka në buxhetin e tij prandaj edhe do t’i kërkojë qeverisë shtesë fondesh. Fondi prej 3.1 milionë lekësh do të përdoret për pagat e punonjësve që do të punësohen me kohë të pjesshme vetëm për këtë qëllim si dhe blerjen e materialeve të nevojshme për kryerjen e procesit, siç janë lëndët djegëse, dosje, zarfe, letër A4, doreza plastike, fshesa, thasë plastikë, kamionët për transportimin e materialeve, automjete për transportimin e punonjësve, etj.