Home Shendetesi Nervi shiatik, kurat popullore kundër dhimbjes

Nervi shiatik, kurat popullore kundër dhimbjes

1161
0

Nervi shiatik haset më tepër në moshën aktive, te të rinjtë që punojnë në profesione që kërkojnë ngritje peshash, të tilla si ndërtim, ngarkim-shkarkim, por dhe ata që bëjnë ecje të gjata në këmbë dhe qëndrojnë në këmbë për një kohë të gjatë. Kohët e fundit është vënë re një tendencë në rritje e rasteve te personat, që qëndrojnë për një kohë të gjatë në një pozicion të palëvizur, siç mund të jetë përpara kompjuterit, timonit, makinës qepëse me orë të tëra. Preken më tepër meshkujt, megjithatë është rritur dhe numri i femrave, kryesisht tek amvisat që bëjnë punë në ambientet e shtëpisë me ngritje peshash, etj. Sëmundja manifestohet me dhimbje të forta në fund të kolonës lumbare, të cilat në pjesën më të madhe janë dhimbje të menjëhershme dhe i sëmuri ankohet me shprehjen: këputa mish. Shpesh herë para kësaj dhimbjeje referohen ngritje peshe jashtë forcës së tyre. Dhimbja shfaqet në zonën mediale dhe përhapet në pjesën e tules (regjionin gluteal), në këmbë, në pjesën mbrapa ose anash këmbës. Nga mënyra e dhimbjes ndikohet në përcaktimin e topografisë së nivelit të shtypjes së nervit shiatik. Në shumicën e rasteve dhimbja është e fortë, ka karakter mekanik. Kjo do të thotë se dhimbja acarohet d.m.th., shtohet jo kur i sëmuri shtrihet në shtrat, por ajo acarohet kur i sëmuri qëndron në këmbë ose ecën dhe kjo dhimbje qetësohet kur i sëmuri qëndron shtrirë (kolona në pozicion horizontal). Shpesh dhimbja kalon brenda 24 orëve dhe qetësohet me paracetamol apo me antiinflamatore jo steroidë si: (voltaren, ibuprofen, etj). Në pjesën dërrmuese i sëmuri i drejtohet mjekut për trajtim të mëtejshëm.

Disa kura popullore
Për përmirësimin e dhimbjeve të nervit shiatik, ekzistojnë kura dhe çajra të ndryshme të rekomanduara nga mjekë popullorë. Një nga mënyrat më të suksesshme që ka dhënë rezultate në lehtësimin e dhimbjeve është bërja e masazheve me vaj dhe akull. Masazhet duhet të bëhen çdo ditë për 30 minuta çdo seancë. Çdo i sëmurë që vuan nga dhimbjet e nervit shiatik duhet t i vazhdojë masazhet për 15 ditë. Për përmirësimin e dhimbjeve të nervit shiatik shërben edhe kura e përftuar nga përzierja e 100 gramë jodio, 30 gramë vaj gruri, 4 lugë gjelle vaj ulliri, 30 tableta aspirinë dhe një kuti rozmarinë të njomë. Të gjitha këto përzihen së bashku në një enë dhe lihen në qetësi për 5 orë. Pasi kjo përzierje ka marrë trajtën e pomadës, bëhet masazhi i këmbës për 15 deri në 20 minuta, atje ku nervi shiatik është i ngacmuar. Kjo kurë vazhdon për 7 deri në 10 ditë rresht. Menjëherë pas përdorimit ju do të keni mundësi të shihni edhe efektet pozitive të kësaj kure.

Çaji i përgatitur nga gjethet e urthit
Një tjetër mënyrë është edhe çaji i përgatitur nga gjethet e urthit. Gjetheve të njoma të urthit, u shtohen 4 gota me ujë dhe lihen për t u zier për 20 minuta. Pasi kullohet, pihet nga 1 filxhan esëll në mëngjes dhe një filxhan tjetër para gjumit. Çaji pihet i ëmbëlsuar me mjaltë. Kjo kurë vazhdon për një muaj. Tjetër linjë për të lehtësuar dhimbjet e nervit shiatik është edhe përdorimi i lëvozhgave të drurit të shelgut, gjethe dhe sythe mështekne, lulet e shtogut, lulet e blirit, si dhe gjethet e hithrës dhe këputje. Pasi imtësohen mirë dhe përzihen, merret një lugë nga kjo përzierje dhe zihet në një enë me kapak të mbyllur për 5 minuta me 200 miligramë ujë. Më pas kullohet dhe pihet sa më i ngrohtë. Nëse dhimbjet e nervit shiatik janë të forta, nga përzierja merren 4 lugë dhe vlohen për 5 minuta në gjysmë litri ujë. Më pas ëmbëlsohet me mjaltë dhe pihet çdo 2 orë, nga 1 gotë çaji, por që të jetë shumë i nxehtë. Në vijim të kurave popullore, por japim edhe atë të përgatitur nga kallinjtë e bredhit të bardhë, të cilët zihen në 200 mililitër ujë. Pasi kalon 2 orë kullohet dhe ëmbëlsohet me mjaltë. Ky çaj pihet i ngrohtë esëll çdo mëngjes dhe në mbrëmje vonë nga 1 gotë çaji.

Më së shumti, shtog
Shtogu është një bimë shumë e njohur në vendin tonë. Lulet e shtogut janë të pasura me substanca vepruese, që kanë efekt mjekues në shumë sëmundje. Në sajë të këtyre substancave çaji i përftuar prej tyre ndihmon dukshëm në lehtësimin e dhimbjeve të shkaktuara nga nervi shiatik. Pas studimeve të shumta të kryera për mënyrën e qetësimit të dhimbjeve, që shkakton nervi shiatik dhe dhimbjet e kolonës vertebrale është vërtetuar se çaji i përftuar nga lulet dhe frutet e shtogut ka dhënë rezultate mjaft të mira në lehtësimin e dhimbjeve. Ato përmbajnë acide organike, vitaminat A e C, esencë, si dhe një faktor veprues, që jep rezultate të mira në mjekimin e dhimbjeve, që shoqërojnë disa sëmundje. Efekte pozitive ky çaj ka dhënë edhe në uljen e temperaturës së lartë. Këshillohet pirja e menjëhershme e çajit, i ëmbëlsuar me mjaltë ose sheqer sipas dëshirës. Ndërsa lulet përdoren për të qetësuar dhimbjet e traktit tretës dhe në rastet e sëmundjeve, që shoqërohen me fryrje të barkut. Bima rekomandohet edhe në sëmundjet e të ftohurit, si gripi, dhe ndihmon në zhbllokimin e rrugëve të frymëmarrjes. Rezultate mjaft të mira çaji jep edhe në pakësimin e djersës, shumë problematik ky fenomen tani në stinën e verës. Pirja e çajit përpara se të dilni do të sillte efekte pozitive. Çajin mund ta pini edhe në mbrëmje para se të flini, për të bërë një gjumë të qetë. Mjaft mirë përdoret lëngu i përftuar nga lulet dhe frutet në problemet e fytit dhe mishrave të dhëmbëve. Në rastet e acarimit dhe skuqjes së tyre, rekomandohet të bëhet gargarë disa herë në ditë, deri sa të jeni shëruar plotësisht.

Si përgatitet çaji
Për përgatitjen e çajit nevojiten 2 lugë çaji me lulet e shtogut, të cilat hidhen në një enë me ujë të valuar. Ena mbulohet me kapak dhe përmbajtja lihet në qetësi për 15 minuta. Çaji kullohet dhe pihet i ngrohtë dhe i ëmbëlsuar sipas dëshirës, me mjaltë ose me sheqer. Mund të përdoren 1 deri 3 doza të tilla në ditë. I njëjti veprim bëhet edhe për përgatitjen e çajit me frutet e kësaj bime. Pihet një gotë në ditë, sidomos para gjumit. Frutet e njoma mund të përzihen me verë të kuqe dhe të pihet brenda ditës. Kjo kurë shërben për qetësimin e nervit shiatik dhe vazhdon deri në tri javë.

Këshilla praktike
– 20-40 vjeç, është mosha te të cilët shfaqen më shpesh dhimbjet e nervit shiatik.
– 90 për qind, e të sëmurëve që vuajnë nga kjo dhimbje mund të shërohen duke i bërë masazhe këmbës.
– 6 muaj, është koha që duhet të kalojë, më pas i sëmuri mund ta ketë të domosdoshme operacionin.
– Përdorni 2 aspirina çdo ditë, pasi parandalon rishfaqjen e dhimbjeve.
– Gjatë kohës që jeni duke parë TV mbani këmbën lart duke vendosur një jastëk poshtë saj.
– Kur keni dhimbje qëndroni shtrirë për 3 ditë në një krevat të fortë.
– Mos ngrini pesha të rënda, apo të bëhen lëvizje të sforcuara, pasi ngacmon nervin.
– Këshillohet të evitoni qëndrimet në karrige ose kolltukë shumë të butë.
– Mbani një dietë të pasur me fruta perime.
– Përdorni korse në mënyrë që beli të mos përkulet, për të mos ngacmuar nervin.
– Mjekët këshillojnë bërjen e kompresave me ujë të ftohtë ose akull të këmbës që ju dhemb.

Trajtimit i kësaj sëmundjeje në vendin tonë
Kjo sëmundje mund të trajtohet në dy mënyra, pra me ndërhyrje kirurgjikale, e cila realizohet në rastet kur hernia diskale është e rënduar dhe me shumë dhimbje, me mpirje të forta dhe humbje të funksioneve të ndryshme. Mënyra tjetër e trajtimit të saj është ajo konservative që do të thotë trajtim medikamentoz dhe fizioterapeutik. Në këtë rast pacienti i nënshtrohet paralelisht kurave të ndryshme, sipas shkallëve medikamentoze dhe edukimit postural (korrigjim i drejtqëndrimit të kolonës), i cili konsiston në forcimin dhe arritjen e simetrisë së kolonës nëpërmjet muskujve dhe grupeve muskujve të ndryshëm. Një tjetër mënyrë e trajtimit fizioterapeutik është edhe terapitë pasive për kolonën, transaksionet e ndryshme të kolonës, elektroterapitë e ndryshme të cilat përmirësojnë inevimin e muskujve dhe lehtësimin maksimal të dhimbjeve. Një pjesë tjetër shumë e rëndësishme e trajtimit të konservator është përgatitja dhe këshillimi verbal të pacientëve.Këtë të fundit këshillohen se si duhet të sillen gjatë aktiviteteve fizike të jetës së tyre të përditshme. Në këtë mënyrë, ata duhet të eliminojnë peshat e rënda. Gjatë punëve të ndryshme që kanë të bëjnë me ngritje peshash ata duhet të realizojnë një balancim të tyre në të dy anët, në mënyrë që të krijohet ekuilibër dhe të shmangen dëmet apo dhimbjet e kolonës. Për drejtuesit e automjeteve dhe pasagjerët që kryejnë udhëtime të gjata, këshillohet që të përdorin jastëkë të ndryshëm, por gjithmonë të butë, në mënyrë që të sigurojnë drejtqëndrimin e duhur. Po ashtu, pacientët të cilët kryejnë punë zyrtare, ku vendqëndrimi në pjesën më të madhe të kohës është në karrige, këshillohet që të përdorin karrige rrotulluese dhe legeni të pozicionohet një pëllëmbë sipër gjurit, pra jo një pozicionim jo vertikal. Ndërkohë, që gjatë kohës që këta pacientët ose individë të tjerë të paprekur nga hernia diskale janë të shtrirë duhet të kenë parasysh që krevati të jetë i fortë dhe mundësisht ortopedik që të mos lejojë asimetrinë e mundshme të kolonës. Këto janë disa nga këshillat kryesore që pacientët e prekur nga sëmundja në fjalë duhet t’u kushtojnë vëmendje të lartë. Sigurisht, që trajtimi dhe këshillimi i mëtejshëm bëhet në klinika dhe nën kujdesin e mjekut specialist.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here