Home Aktualitet Ndërhyrje nga ajri në Korcë e Dajt, vatër e re zjarri në...

Ndërhyrje nga ajri në Korcë e Dajt, vatër e re zjarri në Bulqizë

631
0

Rreth 22 vatra aktive zjarri rezultojnë në të gjithë vendin, sipas Ministrisë së Brendshme mbrëmjen e djeshme, por sot në mëngjes raportohet për një vatër të re zjarri mbi qytetin e Bulqizës.

Zjarrfikësit nuk kanë mbërritur ende në vendngjarje, ndërkohë që nuk dihet nëse bëhet fjalë për një zjarr të qëllimshëm, sic kanë rezultuar shumica e zjarreve në qarkun e Dibrës.

Ndërkohë që Drejtoria e pyjores në Korcë njofton për një përmirësim të situatës së krijuar nga zjarret. Zjarret sipas këtij institucioni janë në kontroll, pasi ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri e helikopterit turk.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Leonard Olli në një deklaratë të bërë sot për News24, sqaron se bashkë me trupat që gjenden në terren do të vazhdojnë edhe operacionet nga ajeri të helikpterit slloven e atij turk.

“Helikopteri slloven po operon në malin e Dajtit dhe në vijim do shkojë në Iballë të Pukës, ndërsa avioni turk po kryen operacione në Parkun Kombëtar të Bozdovecit, n ë Korcë”, tha ai.

“Ndërhyrja sot nga ajri do t’i zvogëlojë vatrat e zjarrit”, shtoi Olli.

Situata e zjarreve mbrëmë
Qarku Berat: Ka 1 vatër zjarri në rrethin e Skraparit, në vendin e quajtur Therepel, komuna Bogovë, zjarri është në pyll me shkurre.

Qarku Dibër:
 Ka 5 vatra zjarri aktive. Zjarri në “Liqeni i Bruçit”, në Parkun Kombëtar Lurë, vazhdon të jetë aktiv. Vazhdojnë të jenë aktive edhe vatrat e zjarreve në “Kulemath”, komuna Selishtë; në Kacni, komuna Selishtë; në Zallë-Gjoçaj, Derjan, rrethi Mat dhe zjarri në Macukull.

Qarku Korçë.
 Ka aktive 1 vatër zjarri aktive, atë në Parkun Kombëtar të Bozdovecit, i cili edhe gjatë ditës së stome ka qenë shumë aktiv. Kanë punuar 140 efektivë të FA-ve, forca nga Shërbimi Pyjor dhe ai zjarrëfikës. Tereni i vështirë dhe era e fortë kanë favorizuar zjarrin dhe kanë vështirësuar shumë punën për izolimin e tij. Janë nën kontroll dhe të izoluara tashmë vatrat e zjarrit në malin e Elbit, komuna Hoçisht, vatra e zjarrit në fshatin Stratobërdë, komuna Vithkuq dhe vatra e zjarrit në fshatin Floq, komuna Mollaj.

Qarku Kukës: Ka 2 vatra zjarri aktive. Vatra e zjarrit në Bjeshkët e Bardhocit, komuna Tërthore dhe vatra e zjarrit në vendin e quajtur Rrethi i Bardhë, komuna Margegaj.

Qarku Tiranë. Ka 1 vatër zjarri aktive. Situata në Malin e Dajtit, edhe ditën e sotme, ka qenë problematike. 150 forca të ushtrisë kanë punuar dhe kanë vënë nën kontroll situatën e tek antenat televizive. Pjesa tjetër prej 150 forcash të ushtrisë dhe një mjet zjarrfikës, po punojnë për vënien nën kontroll të zonës jugore të parkut. Vatra e djeshme e zjarrit në Linzë dhe dy vatrat e shfaqura sot, në fshatin Picallë dhe Sauk i Vjetër, me ndërhyrjen e mjeteve zjarrëfikëse, forcave të ushtrisë dhe komunitetit u fikën.

Qarku Shkodër: Ka aktive 8 vatra zjarri. Në Rrethin Shkodër, ka 2 vatra aktive. Vatra në vendin e quajtur Qafa e Erës, komuna Shllak dhe vatra në fshatin Prekal komuna Postribë. Në rrethin e Malësisë së Madhe ka 3 vatra zjarri. Në këtë rreth vazhdojnë të jenë aktive: zjarri në fshatin Vermosh të komunës Kelmend, zjarri në Fushë Zezë komuna Kastrat, zjarri tek Gropa e Selcvës si dhe vatra në vendin e quajtur Lugina e Rrjollit, Komuna Shkrel. Në Rrethin Pukë, vazhdojnë të jenë aktive 3 vatra zjarri. Më problematike është vatra e zjarrit në vendin e quajtur “Livadhet e Priftit”, komuna Iballë, e cila është zgjeruar dhe vatrat e zjarrit në Kunorë-Dardhë, komuna Blerim dhe Orosh, komuna Qafë Mali. Në vatrat e mësipërme kanë punuar gjatë ditës djeshme 60 forca të Repartit ushtarak të Vaut të Dejës, të përqendruara në komunën Iballe, forcat dhe mjetet e PMNZSH-së, forca të komunitetit dhe të Shërbimit Pyjor.

Qarku Lezhë: Ka aktive 3 vatra zjarri. Vatra e zjarrit më problematike në rrethin e Mirditës është në fshatin Arrëz, komuna Kaçinar. Vatrat e zjarrit në fshatin Fan komuna Fan, në fshatin Planet, Gryk Orosh, dhe Lgjin, komuna Orosh janë nën kontroll.

Qarku Vlorë: Ka 1 vatër aktive zjarri, ajo në Karaburun, kullotë, ku ka qenë e pamundur të ndërhyet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here