Prokuroria e Tiranës ka depozituar në gjykatë kërkesën për gjykimin e 16 personave, të akuzuar për përfshirje në skandalin e naftës vigin.
Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se plot 17 mijë tonë naftë virgin janë deklaruar si të eksportuara jashtë vendit, ndërkohë që ky produkt shitej në tregun vendas në kundërshtim me ligjin. Sipas prokurorisë, të pandehurit përmes falsifikimit të dokumenteve e deklaronin naftës virgin si të eksportuar me anije drejt Libisë në një kohë që këto anije largoheshin pa ngarkesë nga porti i Vlorës. Në listën e të akuzuarve, veç biznesmenëve janë edhe punonjës të antikontrabandës, tatimeve dhe doganave.
Përmes një deklarate për mediat, Prokuroria e Tiranës bëri të ditur se në përfundim të hetimit të procedimit penal ka paraqitur kërkesën për gjykimin e të pandehurve Hajri Elezaj, Iljas Fisheku, Bledar Rama, Edmond Ferraj, Dashamir Kasaj, Arian Daci, Flamur Merkaj, Genci Prence, Fadil Abdurrahmani, Kadri Hajredini, Vladimir Koteci, Reshat Aleksi , Gazmend Serjanaj, Fatmir Kaja dhe Nikollaq Llozi si dhe të personit juridik “Euroil Sha”.
Sipas organit të akuzës, biznesmeni Hajri Elezaj, aktualisht me masën e sigurimit “arrest në shtëpi” akuzohet për veprat penale të “Mashtrimit me pasoja te renda”, “Falsifikimit të dokumentave”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
I pandehuri Iljas Fisheku, aktualisht me masën e sigurimit “detyrim për paraqitje”, akuzohet për veprën e “Mashtrimit të kryer në bashkëpunim” së bashku me të pandehurin tjetër Bledar Rama. Të pandehurit Edmond Ferraj dhe Arian Daci akuzohen për “Falsifikim të dokumenteve”.
Dashamir Kasaj, i hetuar me masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa Fadil Abdurramani dhe Flamur Merkaj, të hetuar me masë sigurimi “detyrim për paraqitje”, akuzohen për moskallëzim të krimit. Edhe të pandehurit Gazmend Serjanaj, Genci Prence, Kadri Hajredini, Reshat Aleksi, Nikollaq Llozi, Fatmir Kaja dhe Vladimir Koteci akuzohen për moskallëzim të krimit.
Ndërkohë sipas prokurorisë, personi juridik “Euroil sha.” me përfaqësues ligjor shtetasin Hajri Elezaj akuzohet për veprën penale të “Mashtrimit me pasoja te rënda”, “Falsifikimit te dokumentave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Organi i akuzës bëri të ditur se midis shoqërisë ‘Armo Sha’ dhe shoqërisë ‘Euroil Sha’ janë lidhur kontrata me objekt shitblerjen e “virgine naftës”, e njohur me emrin teknik “benzine e Hidropastruar”.
Sipas kërkesës për gjykim, fajësia e të akuzuarve provohet mes të tjerash nga procesverbali i marrjes së dokumentave pranë “Armos”, dokumentat e bllokuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mbi ekspërtët e naftës virgin në vitet 2007-2009, dokumenta të deklaratave doganore të kryera në emër të “Euroil”.
NAFTA VIRGIN
Nafta Virgin është nënprodukt qe del nga rafinimi i naftës bruto, pas një procesi dytësor për pastrimin e saj nga squfuri. Ajo shërben si lëndë e parë për prodhimin e benzinave me numër oktani të lartë, si rrjedhim ky nënprodukt blihet me qëllimin e vetëm për t’u eksportuar jashtë shtetit.
DENONCIMI
Skandali i kontrabandës së naftës “virgine”, u denoncua nga ish-ministri i Energjetikës Dritan Prifti, sipas të cilit, përgjatë viteve 2007-2009 në kundërshtim me ligjin nafta “virgin” ishte shitur në tregun vendas edhe pse ishte produkt i destinuar për eksport. Prifti do te jete dëshmitari i parë që pritet të dëshmojë në gjyqin ndaj 16 të akuzuarve.