Mjekët apelojnë popullatën për të mos përdorur bathën si ushqim, pasi përdorimi i saj shkakton probleme shëndetësore.
Në disa zona rurale të Fierit mjeku hematolog Herblin Dollakaj jep alarmin për konsumimin e bathës, ku sipas tij këtë vit ka pasur shumë njerëz të moshave të ndryshme të shtruar në spital, të cilëve u është rrezikuar jeta nga përdorimi i këtij produkti.
Sipas mjekut specialist rastet më problematike janë ato të cilët e konsumojnë në mënyrë të përsëritur këtë ushqim, ndërkohë që më parë kanë qenë të shtruar në spital si pasojë e konsumimit të këtij produkti.
Në bazë të disa studimeve të fundit përdorimi i këtij ushqimi te shumë njerëz shkakton probleme shëndetësore deri në vdekje te pacientit.
Sipas mjekut hematolog te disa persona që konsumojnë bathë ndodh procesi i hemolizës dhe shkatërrimit i rruazave te kuqe. Zakonisht këta persona gjakun e shkarkojnë me anë të urinimit.
“Ju bëj një apel popullatës për moskonsumimin e bathës. Është i njëjti problem që na ndodh vit për vit, sidomos në zonën e Myzeqesë. Ka individë që vuajnë nga një sëmundje e gjakut dhe kur këta konsumojnë bathë ndodh hemoliza, ose shkatërrimi i parakohshëm i rruazave te kuqe. Ata që janë deficitar të enzimës në gjak mund të rrezikojnë dhe jetën sepse procesi i hemolizës varet kur ndalon. Është nga 4 deri në 7 ditë dhe duhet mbuluar me gjak e antibiotikë pasi mund të prekë edhe veshkat”, shprehet mjeku.
Apeli i mjekut hetolog thotë që personat që duan të konsumojnë bathë, fillimisht duhet të bëjnë analiza për të parë gjakun nëse janë deficitar të enzimës në gjak përndryshe rrezikoni jetën.