Alkatrazi ishte një prej burgjeve më të frikshëm të Amerikës, një fortesë e ngritur në një ishull shkëmbor në Gjirin e San Franciscos. Uji i akullt i Gjirit ishte garancia më e mirë që askush nuk do të mund të arratisej. Dhe askush nuk arriti… deri në 11 qershor 1962. Atë natë, tre burra arritën të ikin nga qelia e tyre dhe u zhdukën në Gji, me një trap të ndërtuar vetë. Frank Morris, truri i arratisjes si dhe John Anglin dhe vëllai i tij, Clarence, nuk u panë kurrë më.Më vonë, autoritetet zbuluan copa të trapit. Ishte shpërbërë në det. Të tre të dënuarit me sa duket kishin notuar. A ia kishin dalë mbanë? Debati vazhdon.Philip Bergen, Kapiten i Rojeve në Alkatraz nga viti 1946 deri në 1955, beson se mbijetesa ishte e pamundur: “Nëse do të hynin në ujë, do të mbyteshin për 30 minuta. Me siguri i ka kapur hipotermia dhe janë fundosur”. Por Patrick Mahoney, i cili drejtonte motobarkën që udhëtonte mes Alkatrazit dhe Steresë ka disa dyshme. “Ndieja që nuk do t’ia kishin dalë mbanë, por mendova se do të gjenim ndonjë trup. Ne nuk gjetëm asnjë kufomë”.Në shumë vite që kanë kaluar që nga ajo natë qershori 1962, askush nuk ka raportuar që të ketë parë Frank Morrisin, John Anglinin, apo Clarence Anglinin. Ata mund t’i kenë mbijetuar Alkatrazit. Don De Nevi, një profesor në Kolegjin Merritt në Oakland, ka shkruar një raport në lidhje me arratinë bashkë me Clarence Carnes, një i burgosur në Alkatraz. Carnes mbërriti në Rock kur ai ishte vetëm tetëmbëdhjetë vjeç dhe kaloi afro 20 vjet aty. Ai ishte një njeri i besuar i tre të dënuarve që u arratisën. Don De Nevi shkruan: “Carnes ishte i burgosuri më i rëndësishëm në Alkatraz. Ai kishte fituar respektin e pothuaj të gjithë të burgosurve të tjerë, sepse ai e dinte se si ta mbante gojën mbyllur. Ai ishte, në një kuptim, Padrino i Alkatrazit”. Carnes i tha De Nevit se plani për t’u arratisur filloi me një të burgosur që quhej Allen West, i cili ishte caktuar për të lyer tavanin e qelive.Ndërsa punonte, West zbuloi se me punë, ai ndoshta mund të kalonte përmes tavanit të qelisë deri në sistemin e ventilimit. Tubi i ventilimit ishte ndërtuar me shtylla të tërthorta brenda. Ishte e pamundur që të priteshin. Por West mendoi se, në qoftë se ai do të shkëpuste të gjithë tubin nga mbështetësja e tij, mund të mbërrinte me lehtësi në çati. West kërkoi ndihmën e John dhe Clarence Anglin, të dy të dënuar për vjedhje banke dhe që kishin një histori arratish nga institucionet e tjera. Sipas De Nevit, vëllezërit Anglin kishin disa aftësi të tjera të dobishme: “Anglinët qenë ekspertë në ndërtim trapesh, sepse ishin rritur në moçalet e Floridas. Ata dinin si t’i ndërtonin, si t’u manovronin rrymave dhe ishin ekspertë në not”.Figura qendrore në planin e arratisë ishte një i burgosur me emrin Frank Morris. Ish-kapiteni i rojave në Alkatraz, Philip Bergen, e përshkroi me një farë respekti: “Ai ishte një mendimtar. Çdo gjë e lidhur me këtë arrati ka dalë nga mendja e Frank Morris”.Carnes i kishte treguar Morrisit për një korridor që përshkonte bllokun e qelive. Tupat e ngrohjes dhe ujit brenda korridorit formonin një shkallë drejt kullës së ajrosjes. Morris besonte se ai dhe të tjerët mund të gërmonin tejpërtej mureve të qelive të tyre drejt këtij korridori të fshehtë, gjatë “orës së muzikës”. Bergen kujton këtë pjesë të përditshme rutinore në Alkatraz dhe shpjegon se si të arratisurit e shfrytëzuan atë: “Në pjesën e parë të mbrëmjes, ishte ajo që quhej ‘ora e muzikës’. Kushdo që kishte një instrument me tela mund të luante. Dhe kur luhej muzika, ajo kishte një efekt shurdhues tek oficeri që bënte inspektimin”.Anglinët, West, Morris hapën secili nga një vrimë në mur në qelitë respektive. Të dënuarit menduan edhe një tjetër dredhi të shkëlqyer në mënyrë që të mos ndihej mungesa gjatë apelit. Don Eberle, i cili kryesoi hetimin e FBI për arratisjen, e përshkroi kështu këtë mashtrim: “Ata vendosën se duhej të bënin koka false, në rast se ndonjëri prej tyre nuk do të ishte kur të kalonte roja. Kjo do të ndodhte në një kohë kur dritat ishin të ulura dhe kur do të qe e vështirë të shihje gjë tjetër përveç kokës”.Leon Whitey Thompson ishte një nga shumë të burgosurit që ndihmuan të arratisurit: “Morris më pyeti si bëhej si përzierje boja që ka mishi, pasi unë jam një artist, kam bërë shumë piktura me vaj në Alkatraz. Unë nisa të pyes veten, pse është kaq i interesuar në ngjyrën e mishit dhe atëherë fillova ta kuptoj, pasi e donin për kokat false”. Ato i bënë nga sapun, pluhur betoni dhe bojë të vjedhur. Një nga Anglinët kish punuar në një berberanë dhe hoqi disa flokë për t’ia vendosur këtyre kokave.Për tetë muaj, Morris dhe vëllezërit Anglin linin qelitë e tyre natën për të shpuar në kullën e ventilimit dhe të mblidhnin gjërat që u duheshin për arratinë. Clarence Carnes, që pa shumë gjatë 18 viteve të tij në Alkatraz, ishte i impresionuar me përpjekjet e tyre: Në dorëshkrimin e tij, Clarence Carnes shkruante, “… shumë herë gjatë viteve kisha takuar njerëz, të cilët ishin përpjekur të arratiseshin. Por e meta e tyre kish qenë se kishin planifikuar shumë pak dhe kishin qenë shumë të nxituar. Ata nuk kishin qenë të matur në planifikim dhe kjo i kish mposhtur. Por jo këtë herë”.Për rojet që patrullonin gjatë pranverës së 1962, numërimet, rutina, mërzia, nuk ishin të ndryshme nga herët e tjera. Por të burgosurit e tjerë kishin gjëra të tjera në kokë. Gjatë ditëve, mu nën hundën e rojave, ata ndihmuan të katër të arratisurit në përgatitjet e tyre. Një nga punët më të rëndësishme ishte t’u kalonin fshehurazi mushamatë. Duke punuar në qelitë e tyre natën, katër të burgosurit i përdornin mushamatë për të grumbulluar ushqim, të cilin ata më pas e vendosën në tunelet e arratisë. Në një vend të fshehtë pune, të mbuluar me batanije, Anglinët dhe Morris me radhë montuan një trap, duke përdorur edhe mushamatë e vjedhura. Kish ardhur më në fund koha e arratisë.Krejt në heshtje, të burgosurit u larguan nga qelia për herë të fundit. Por menjëherë hasën problemin e parë… Allen West nuk ishte në gjendje të rrëshkiste përtej gropës që kish hapur në murin e qelisë së tij. Të tjerët nuk ishin të gatshëm që të prisnin. Allen West, njeriu që kish përgatitur planin që në krye të herës, ishte lënë pas. Frank Morris dhe vëllezërit Anglin arritën të kalojnë të sigurtë përtej qelive të tyre dhe të dilnin në korridor. Që aty, u ngjitën nëpër tubat e ngrohjes drejt tavanit, hoqën tubat e ajrosjes që kishin përgatitur gjatë tetë muajve të fundit dhe dolën në tarracë. Ende të papikasur, ata rendën në anën tjetër të tarracës dhe u kacavorrën poshtë, përjashta burgut. U drejtuan për nga deti. Një prej shumë problemeve që hasën të arratisurit ishte se si të frynin mushamatë e të nxirrnin në det mjetin e madh. Frank Morrisit i kish ardhur një ide gjeniale në mendje. Ai kish marrë një fizarmonikë të vogël të njohur si koncertina, që e përdorte gjatë orës së përditshme të muzikës. Don Eberle, hetuesi i FBI, përshkroi më vonë se si qe përdorur instrumenti gjatë arratisë: “Ata kishin nxjerrrë tastat janë koncertinës dhe kështu mund të fusje dorën në njërën anë të saj dhe ta shtyje lartë e poshtë. Kështu do të funksiononte tamam si një gjyryk”.Edhe pse ngadalë, trapi nisi të fryhej. Kur ishte gati, të tre burrat e shtynë atë në ujë në bregun e Alkatraz dhe i hipën. Frank Morris, John Anglin, dhe Clarence Anglin kishin arritur të iknin nga ishulli. Brenda në burg, kokat false që kishin lënë prapa gënjyen rojat që hidhnin nga një sy brenda qelive. Kur arratia u zbulua më në fund, ajo shkaktoi një prej kërkimeve më të mëdhaja që kanë ndodhur ndonjëherë. Patrick Mahoney, një ish-roje në Alkatraz, ishte mes atyre që morën pjesë në kërkim: “Ne na urdhëruan të dilnim në gji dhe natyrisht, të fillonim të shikonim rreth ishullit. Dhe pastaj mbi Ishullin Angel, të kontrollonim plazhet për të parë nëse ndonjë gjë që u përkiste atyre kish dalë në breg. Që në fillim u bë e qartë se nuk do t’i gjenim. Ia kishin dalë apo jo, këtë askush nuk e dinte me siguri”.Gjatë 24 orëve të para, ekipet e kërkimit u kthyen duarbosh. Pastaj, filluan të gjejnë copa të trapit të të arratisurve. Përveç kësaj, një rremë e bërë vetë u zbulua tek lundronte midis Alkatrazit dhe Ishullit Angel. Kjo përputhej me një tjetër që të dënuarit kishin lënë pas në qeli. Dy ditë pas arratisë, një qese e mbështjellë me llastik u gjet pranë Ishullit Angel. Në të ndodhej një bllok adresash, 80 fotografi familjare dhe sasi të hollash që i përkisnin një prej të arratisurve. Disa, si hetuesi i i FBI Don Eberle, filluan të dyshojnë që të arratisurit kishin mundur të mbijetojnë: “Ndoshta koha më e hershme që kanë hyrë në ujë ka qenë 10:30. Zbatica filloi atë natë në ora dhjetë. Dhe ajo është shumë e fortë. Dhe unë jam i bindur që ata i ka marrë rryma drejt Oqeanit Paqësor”.Veç kësaj, një anije norvegjeze pikasi një trup që pluskonte 20 milje përtej urës së Portës së Artë ditën e arratisë. Ndonëse nuk mundi ta arrijë, përshkrimi që ata bënë i përshtatej Frank Morrisit. Por nga ana tjetër, ka disa prova që tregojnë se të paktën një prej të arratisurve ka mbijetuar. Një ditë pas arratisë, një burrë që pretendonte se ishte John Anglin, i kish telefonuar një kompanie ligjore në San Francisco që njihej se përfaqësonte të burgosurit e Alkatrazit. Eugenia McGoëan ishte avokate në kompaninë ligjore. Ajo mori telefonatën: “Dhe ai më tha, unë jam John Anglin. Dua të kontaktoj me zyrën e Marshallit të SHBA. I thashë: Nuk e bëj këtë nëse nuk marr vesh kush je. Ai më tha: a e di kush jam? Dhe unë i thashë: Jo. Më tha: atëherë lexo gazetën, dhe e mbylli telefonin”.I burgosuri i Alkatrazit, Clarence Carnes, pretendoi se disa javë pas arratisë, mori një kartolinë nga të arratisurit. Në të kishin shkruajtur mesazhin e koduar, për të cilin ishin marrë vesh dhe që konfirmonte arratinë. Ai thoshte: “Kemi ikur të peshkojmë”. Carnes besonte se Morris dhe vëllezërit Anglin kishin patur ndihmë nga jashtë, që ua kish mundësuar një i burgosur brenda. Ai pretendonte se Eellsworth Johnson, mbreti i Harlemit, kish bërë të mundur që një varkë të merrte të burgosurit. Sipas Carnes, më pas varka i çoi të burgosurit në lagjen Hunter Opint të San Franciscos. Philip Bergen, ish-kreu i rojave në Alkatraz, ka dyshime për këtë histori: “Mendoj se kjo ishte një ëndërr e Carnes dhe se nuk ka pikë të vërtetë në të”.
Allen West u mor disa herë në pyetje në lidhje me Bumpy Johnson. Ai gjithashtu u shtrëngua të zbulonte ndonjë kontakt tjetër që mund të kish ndihmuar të burgosurit. Ai mohoi gjithçka. I burgosuri tjetër në Alkatraz, Leon Thompson, ka rrëfyer: “Besoj se West nuk u ka treguar asgjë atyre, ai qe një njeri besnik”. Historitë që treguan të burgosurit në Alkatraz nuk impresionuan aspak FBI-në dhe hetuesit si Philip Bergen. Ai ende beson se të tre burrat u mbytën vetëm pak minuta pasi hynë në ujë. “Sigurisht, asnjëherë nuk mund të thuhet me siguri totale, por jemi goxha të sigurtë se janë të vdekur pasi nuk pati më asnjë gjurmë prej tyre. Megjithatë, ata u vunë në listën e të humburve dhe jo në atë të të vdekurve”.Ndonëse burgu i Alkatrazit u mbyll disa vite më parë, arratia e famshme e qershorit 1962 vazhdon të mëdyshë hetuesit. Në fakt, me kalimin e viteve janë investiguar me mijëra pista, por më kot. A do të zgjidhet ndonjëherë kjo çështje legjendare? Për momentin, mandatet e arrestit për të tre të arratisurit mbeten aktivë dhe kërkimi për përgjigje vazhdon.