Home Aktualitet Ministri Tahiri shkarkon gjithe efektivet e Antikrimit Ekonomik

Ministri Tahiri shkarkon gjithe efektivet e Antikrimit Ekonomik

601
0

saimir-tahiri-artan-didiMinistri i Brendshëm pezullon të gjithë policët e Antikrimit Ekonomik në 12 drejtoritë e qarqeve. Shoqërohet edhe drejtori i Ministrisë.
Ministri: Do t’ua hetojmë deri në fund edhe pasurinë, kush del i ndershëm, rikthehet në detyrë.
Ikin 150 oficerë pas dekonspirimit të aksionit “Fund marrëzisë”

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pas një takimi me kreun e Policisë, Artan Didi, ka vendosur dje pezullimin e të gjithë efektivëve të sektorit të Antikrimit Ekonomik në 12 drejtoritë e policisë në qarqe. Lajmin e paralajmëruar e bëri të ditur vetë kreu i dikasterit të Brendshëm, i cili tha se bashkë me drejtorin e Përgjithshëm, ka mbledhur drejtorët e policisë në qarqe, ku pas analizës së fazës së parë të aksionit “Fund marrëzisë”, u vendos të shkrihet Seksioni i Krimit Ekonomiko–Financiar në çdo drejtori të policisë në qark. Ministri Tahiri bëri me dije se të gjithë efektivët e policisë në këto seksione pezullohen dhe do t’i nënshtrohen një hetimi të thelluar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, Drejtoria e Standardeve dhe Drejtoria e Inspektimit të ministrit të Brendshëm. Kreu i dikasterit të Brendshëm njoftoi se hetimi ndaj efektivëve të Antikrimit Ekonomik që do marrë në shqyrtim të gjitha praktikat e deritanishme lidhur me lejimin e paligjshmërisë së lojërave të fatit, procedimet policore dhe penale të kryera, deri te deklarimi dhe verifikimi i pasurisë për secilin prej efektivëve të policisë në këto seksione. Ministri Tahiri garantoi ndërkohë se efektivët e Policisë së seksioneve të Krimit Ekonomiko–Financiar në drejtoritë e policisë në qarqe, të cilët pas verifikimit do rezultojnë se kanë bërë detyrën ndershmërisht, do rikthehen menjëherë në vendin e punës që kanë pasur. Nga ana tjetër, “ata që do rezultojnë se nuk kanë bërë detyrën ose janë përfshirë në aktivitete të paligjshme, do jenë subjekt të masave administrative ose do përjashtohen nga Policia e Shtetit dhe do t’i nënshtrohen hetimit penal”, tha ministri.

Masat
Masa ekstreme e pezullimit nga detyra e rreth 150 efektivëve të sektorëve të Krimit Ekonomik në drejtoritë e policisë së qarqeve në të gjithë vendin ka ardhur pas aksionit “Fund marrëzisë”. Ditën e hënë, pak orë para nisjes së operacionit ku morën pjesë 6 mijë policë, Ministria e Brendshme ka vendosur nën monitorim gjithë strukturat e Antikrimit Ekonomik në të gjitha qarqet. Dy shefa sektorësh në Tiranë e Korçë dhe tre oficerë u përgjuan duke njoftuar pronarët e kazinove kur policia po fillonte veprimet në terren. Ndërkaq, burimet nga Ministria e Brendshme thonë se vendosja nën përgjim dhe tanimë pezullimi i efektivëve të Antikrimit Ekonomik ka ardhur për faktin e thjeshtë se në gjithë vendin u gjetën dhe bllokuan 472 pika kazinosh, bastesh e lojërash fati. “Ekzistenca e këtyre pikave dhe funksionimi i tyre në mënyrë të pashqetësuar jashtë kuadrit ligjor ka krijuar dyshime se policia prej kohësh e ka toleruar këtë situatë. Struktura që duhej të vepronte ka qenë pikërisht Antikrimi Ekonomik”, thanë burimet e Ministrisë, duke shpjeguar shkrirjen e sektorit në drejtoritë e policisë në 12 qarqe.

Kontrolle të ashpra kazinove
Në daljen para medias, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, foli edhe për kuadrin e ri ligjor që do të përgatitet për lojërat e fatit. “Dëshiroj të falënderoj atë minorancë fare të vogël që përfaqësojnë operatorët e ligjshëm të lojërave të fatit, të cilët të thirrur dje në një takim prej nesh, kanë pranuar një regjim mjaft të shtrënguar që do vendoset mbi këtë treg, për të ndaluar paligjshmërinë dhe për të vendosur rregull të fortë mbi shërbimin që ofrohet nga vetë ata”, tha ministri. Ai theksoi se së bashku me kolegët, do propozojnë një projektligj të ri, i cili do t’i japë fund përfundimisht biznesit të lojërave të fatit brenda një afati të arsyeshëm kohor. Tahiri theksoi se deri atëherë, në këtë periudhë tranzitore, tregu i lojërave të fatit do t’i nënshtrohet një regjimi të shtrënguar dhe kontrolli intensiv e kapilar nga Policia e Shtetit, e sigurisht nga vetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Lojërave të Fatit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here