Rikonstruksioni i tregut të fruta-perimeve, tek ish-uzina Dinamo, është kthyer në “mollë sherri” mes policisë së shtetit, policisë bashkiake inspektoriatit ndërtimor e vetë tregtarëve. Këta të fundit kanë nisur rikonstruksionin e tij, por bashkia i ka pezulluar punimet pasi ata nuk kanë marrë më parë leje.
Forcat e Komisariatit nr.4 të kryeqytetitt kanë shoqëruar mbrëmë vonë shefin e Inspektoriatit Ndërtimor të Bashkisë, Florenc Hoxha. Ai rezulton të ketë thyer urdhërin e pezullimit të ndërhyrjes së bashkiakëve, që u lëshua dje nga Drejtoria e Policisë së Shtetit e Qarkut Tiranë. Në orët e vona ai ka shkuar të prishë objektin, ndonëse ishte ndaluar një gjë e tillë nga policia e shtetit. Të revoltuar, tregëtarët e Uzinës Dinamo kanë dëmtuar një automjet të Inspektoriatit Ndërtimor.Rikonstruksioni i tregut të fruta-perimeve nga ana e vetë shoqatës së tregtarëve te uzina “Dinamo” ka degjeneruar dje gjithë ditën në përplasje fizike mes policisë bashkiake, inspektorëve urbanistikë të bashkisë dhe 200 shitësve në këtë zonë.
Është dashur ndërhyrja e policisë së shtetit për të normalizuar situatën. Në fakt që para një jave, shoqata e tregtarëve ka nisur rikonstruksionin e tregut, duke ndërtuar konstruksione metalike të ndara për çdo tregtar, si dhe ndërrimin e çatisë, me qëllim përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare. Por përpara katër ditësh punimet janë pezulluar nga policia bashkiake, me pretendimin se shoqata nuk ka aplikuar për leje. Në të vërtetë shoqata nuk ka aplikuar për leje, por drejtuesit e saj justifikohen se procedurat për leje kanë shumë burokraci dhe dyshojnë nëse bashkia do u jepte ndonjëherë leje për përmirësimin e situatës, pasi vetëm një muaj më parë, ajo u kërkoi që të mbyllnin tregun dhe të shkonin tek tregu që bashkia kish ndërtuar në autostradën Tiranë-Durrës.
Edhe pas këtij bllokimi ata kanë vijuar sërish punimet, por të enjten pasdite janë paraqitur sërish inspektorët e bashkisë dhe i kanë vënë në dijeni për aksionin e djeshëm. Në këtë situatë gjatë paradites së djeshme ata kanë shkuar në bashkinë e Tiranës dhe kanë kërkuar një takim me kryebashkiakun Basha, por edhe pse kanë pritur për rreth dy orë nuk i ka pritur njeri.
Ndërkohë që gjatë mesditës, te tregu i ish-uzinës Dinamo, ka shkuar inspektoriati ndërtimor i bashkisë, i drejtuar nga Florenc Hoxha, i shoqëruar edhe nga policia bashkiake për prishjen e konstruksioneve metalike. Por kjo ka ngjallur reagimin e ashpër të tregtarëve të cilët janë konfrontuar edhe fizikisht me bashkiakët. Menjëherë pas acarimnit të situatës ka mbërritur policia e shtetit, e cila i ka kërkuar palëve të qetësohen dhe të pezullohet prishja deri në verifikimin e dokumentacionit.
Ka qenë zëvendësdrejtori i policisë së Tiranës, Pandi Sulla, i cili ka shkuar personalisht tek tregu dhe ka urdhëruar ndërprerjen e prishjes së konstruktit metalik. Ai i ka kërkuar Florenc Hoxhës të ndërpresë prishjen dhe të bëhen bisedime në tryezë mes palëve.
Vendimi i zv.drejtorit të policisë u duartrokit nga të gjithë tregtarët. Pavarësisht nga kjo kryeinspektori vajti natën për të prishur objektet, u konfrontua me tregtarët, derisa u shoqërua në uniformat blu.