Home Sport Milani turperohet, Sasuolo i jep leksion

Milani turperohet, Sasuolo i jep leksion

570
0

berardi-domenicoMbase trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, do të preferonte më shumë mjegull, që disfata e kuqezinjve të mos ishte e dukshme. Efekti i vitit të ri është zbehur që në daljen e dytë: pas fitores 3-0 kundër Atalantës, Milani kapitullon 4-3 në fushën e Sasuolos. Duhej të ishte mbrëmja e Hondës, që hyri në 30 minutat e fundit në fushë, por është kthyer në atë të Domeniko Berardit, i cili pa mbushur 20 vjeç e ka të ardhmen të garantuar. Pas 13 minutash dominim kuqezi, startoi spektakli i tij personal. Sulmuesi, gjysmën e kartonit të të cilit e zotëron Juventusi, pasi ndëshkoi Romën, merr me shuplaka “Djallin” me një poker të jashtëzakonshëm.

Repertori i Berardit – Sasuolo, që nuk shënonte prej më shumë se 400 minutash në kampionat, i realizon tre gola Milanit në më pak se 20 minuta, duke konkretizuar përmbysjen spektakolare. Berardi fillimisht zë në befasi Zapatën dhe gjen golin e parë. Më pas përfiton nga një gabim i dyfishtë i Boneras dhe shënon të dytin me një kthesë të shkëlqyer. Paskëtaj niset nga e djathta dhe me një goditje të topit në ajër shënon dhe golin e tretë, duke përfituar edhe nga një përgjumje e Emanuelsonit. Mirëpo djaloshi nuk kënaqet me aq, pasi në fillim të pjesës së dytë arrin të shënojë edhe golin e katërt, duke penetruar mirë në zonën kuqezi dhe duke i dhënë shuplakën e katërt portierit të Milanit. Të merituara duartrokitjet për 19-vjeçarin, në momentin që del nga fusha e lojës. Një duartrokitje edhe për drejtorin sportiv të Juventusit, Fabio Paratiç, i cili e bindi Sasuolon të shkëmbejë gjysmën e kartonit tij me atë të Marones. Mbrojtja e Milanit nuk bën një figurë të mirë, por dhe mesfusha ka përgjegjësitë e veta. Aksi Noçerino-Emanuelson është i mjerueshëm dhe merr një shuplakë të rëndë, kësaj radhe në transfertë.

Reagimi është i vonuar – Ajo që është më shumë për të ardhur keq, është se kuqezinjtë e kishin nisur në mënyrën më të mirë të mundshme takimin, duke kaluar në avantazh pas 9 minutash lojë me anë të brazilianit Robinjo, i shërbyer në zonë nga De Jong. Pas katër minutash vjen goli i dytë, meritë për të cilin ka Kristani, i cili niset nga e djathta dhe shërben në zonë Balotelin, që nuk humbet rastin për shënim. Më tej kuqezinjtë gabojnë gjithçka, pasi i japin mundësi Sasuolos që të kundërsulmojë duke qëndruar shumë të zbuluar. Të gjithë presin reagimin e Milanit me fillimin e pjesës së parë, por si një dush i ftohtë për ekipin e Alegrit vjen goli i vendësve, dy minuta pasi kishte startuar pjesa e dytë e lojës. Pavarësisht meritave të Sasuolos, që shpëtoi stolin e Di Françeskos, ka ndikuar edhe paraqitja e Milanit, shumë i shëmtuar për të qenë i vërtetë. Kuqezinjtë tregojnë fytyrën më të shëmtuar në këtë sezon, të dobët, pa ide dhe pa forcë për të reaguar në momentin e duhur. Zgjimi në 30 minutat e fundit nuk mjafton. Debuton Honda, i cili është dhe i pafat në ndeshjen e parë, pasi shtylla i mohon golin. Montolivo ngushton shifrat në minutën e 86-të me një goditje që gjen cepin e shtyllës së majtë. Ka ende shpresë, por që shuhet nga Pegolo dhe fati i keq. Në fillim është portieri i Sasuolos që bën një mrekulli ndaj Balotelit, më pas me portë të boshatisur Pacini godet traversën. Gjyqtari pas pesë minutash shtesë vërshëllen fundit e takimit, në Rexhio Emilia starton festa e vendësve, ndërsa në krahun tjetër as mjegulla nuk i fshin dot problemet e Milanit të Alegrit, që mund të konsiderohet si më i shëmtuari i 28 viteve të fundit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here