Një grabitje me armë zjarri ka ndodhur nga persona të maskuar në qytetin e Lezhës në lagjen ‘Besëlidhja’.
Dy persona të paidentifikuar kanë grabitur 3 familje të një pallati, duke u marrë paratë, bizhuteritë dhe sende të tjera me vlerë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë natës rreth orës 02:00.
Tre familjet që janë grabitur banonin në katin e tretë të një pallati.
Sipas dëshmive të familjarëve të dhënë në komisariatin e policisë, ata janë mbajtur peng për rreth 2 orë nga autorët.
Nga burimet e para mësohet se autorët kanë përdorur dhunë ndaj kryefamiljarëve, pasi këta të fundit kundërshtuan grabitësit. Ata u larguan me shpejtësi sapo kanë marrë sendet me vlerë, duke përfituar dhe nga errësira.
Në dy prej banesave, janë dhunuar gratë, pasi ato banonin vetëm në shtëpi. Bashkëshortët e tyre jetojnë në emigracion prej disa vitesh.
Policia është duke hetuar për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarje, si dhe për identifikimin e kapjen e autorëve.