Avokati i Popullit Igli Totozani dhe stafi i tij monitoruan në terren përgatitjet dhe masat për të përballuar një fluks të mundshëm të refugjatëve sirianë që ndodhen në anën tjetër të kufirit me Greqinë, pranë qarqeve Gjirokastër dhe Korçë.
Totozani tha se plani i masave ka nevojë për më tepër transparencë dhe se çështja është e një ndjeshmërie të lartë për publikun. Ai theksoi se kriza e flukseve migratore është shqetësuese dhe përfaqëson një çështje të të drejtave të njeriut konform të gjithë konventave që ka ratifikuar Shqipëria.
Totozani u ka bërë thirrje banorëve, institucioneve, organizatave humanitare dhe mediave ta trajtojnë çështjen me humanizëm dhe përgjegjësi. Çdo qytetar i huaj, tha ai, që do të hyjë në territorin shqiptar do të ketë ndihmën dhe mbështetjen tonë në përmbushje të ndjeshmërisë si komb dhe të standarteve tek të cilat Shqipëria beson.
Avokati shprehu gjithashtu shqetësimin dhe kontestimin e institucionit të tij mbi vendimarrjen e qeverisë për ngritjen e një strukture apelimi në funksion të kërkuesve të azilit në Shqipëri. Akti i miratuar pa konsultime, sipas tij, nuk garanton një strukturë të pavaruar, rol që logjikisht sipas Avokatit të Popullit, duhet ta mbajë gjyqësori dhe jo një strukturë në varësi të Ministrisë së Brendshme.