Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka shpërthyer në akuza ndaj PS-së edhe nga Qarku i Beratit.
Gjatë një mitingu elektoral, Meta tha se LSI nuk ka hequr asnjë grua socialiste nga puna, duke iu përgjigjur akuzave të Ramës, ndërsa akuzoi PS-në se largoi gratë dhe i zëvendësoi me njerëz me probleme me drejtësinë.
Meta hodhi akuza edhe në drejtim të kryesuesit të listës së PS në qarkun e Beratit, Blendi Klosi, duke e quajtur kumarxhi që shoqërohet me kriminelë.
“Kush i hoqi ato gra për të çuar në parlament njerëz me probleme që i hapën Shqipërisë një njollë të zezë. Nuk i hoqi LSI-ja. Ish-bashkëkryetari im zgjodhi vendin më të gabuar, Beratin për të hapur luftë në LSI, me inskenime dhe shpifje nga më të papranueshmet. Ka 2-3 muaj që në krye të grupit të punës ka ardhur një kumarxhi që rri me kriminelë dhe përdor policinë e Beratit të lidhur me kanabisin”, u shpreh Meta.
“Kush pi doping mendon se është i fortë”
Duke akuzuar struktura të policisë të lidhura me trafikun e kanabisit, Meta thumboi jo pak kur tha se “kush pi doping mendon se është më i fortë”.
“Kush pi doping mendon se është më i fortë, por zgjedhjet do tregojnë tjetër rezultat”, tha Meta.
“Rama do jetë pasagjer i autobusit të LSI”
Presidenti i ardhshshëm tha gjithashtu se LSI do dalë forcë e parë në 25 qershor, ndërsa ironizoi me Ramën kur tha se do jetë pasagjer i autobusit të LSI-së.
“Ramës jepini shansin të jetë pasagjer i autobusit që do drejtojë LSI”.
“Që të jesh timonier duhet të kesh aftësi të ndryshme. Duhet të dish të frenosh. Sa për akuzat e timonit, ai ka patur Nikon aty. Nëse ia ka lëvizur njeri timonin të merret me Niko Peleshin jo me ne”, vijoi Meta.
Po hetohet për blerje votash deputeti i LSI: Shpifje, s’trembemi
Prokuroria mori në hetim dy ditë më parë deputetin e LSI në Qarkun e Beratit, pas denoncimeve për blerje votash.
Për këto akuza ai ka folur për herë të parë gjatë një mitingu të LSI në këtë qark. Rehovica i quajti akuzat shpifje dhe se ata që i kanë bërë janë trembur nga rritja e LSI-së.
“Jam akuzuar për shitje-blerje votash e kudo unë me radhë. LSI nuk ka nevojë të blejë vota. Votat e LSI janë këtu. LSI e mbështet i gjithë qarku i Beratit. Ju bëj thirrje të gjithë atyre që duan t’i prishin imazhin LSI-së me shpifje: ne jemi këtu, LSI nuk trembet.
Në 2009 kemi pasur rreth 9000 vota, në 2013 rreth 22 mijë vota dhe kjo rritje i ka trembur të gjitha forcat politike”, tha Rehovica.
Deputeti Gledion Rehovica dhe ish-drejtori i spitalit të Beratit, Idlir Frashëri u kallëzuan penalisht pas një denoncimi për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.