Home Aktualitet Meta feston 45-vjetorin, mbledh 600 veta te Gjiri i Lalzit

Meta feston 45-vjetorin, mbledh 600 veta te Gjiri i Lalzit

699
0

meta-ditelindjeIlir Meta festoi dje 45-vjetorin e lindjes në një ceremoni tepër të madhe në Gjirin e Lalzit. Në një tendë gjigande, të ndërtuar enkas për këtë ceremoni, u zhvillua edhe darka, ku mblodhi që të gjithë të majtën shqiptare, si edhe pak prej deputetëve të opozitës. Në në qendër të lokalit kishte edhe një pistë kërcimi. Ushqimi dhe pija e mirë së bashku me alternimin e muzikës solli një festim ditëlindjeje tepër të veçantë për traditën shqiptare.

Ndër këngëtarët e ftuar për këtë festë ishin Vëllezërit Korçarë, Endri dhe Stefi, këngëtarët Sidrit Bejleri dhe Juliana Pasha, të cilët kënduan këngë që nga napoloni deri tek muzika rok. Ndër “kërcimtarët” u shquan ministrja e Arsimit, e cila mbante në dorë shaminë dhe ndiqej nga pas nga Filip Çakuli i “Fiks Fare”.

Menuja
Në darkën e organizuar nga familja Meta ra në sy se menuja përbëhej nga gatime jotradicionale shqiptare. Sipas burimeve nga festa e 45-vjetorit të Metës bëhet me dije se pjata e parë përbëhej nga antipasta me prodhime deti e disa lloje djathrash francezë. Vera që shoqëroi mbrëmjen ishte e cilësisë më të lartë, duke dëshmuar se ajka e politikës shqiptare ka gusto shumë të mirë përsa u përket pijeve. Në tryezë ishin të pranishme që të dyja llojet e verës, e kuqe dhe e bardhë. Marka e prodhimit ishte ajo Deschants (Saint-Joseph). Pjata e dytë ishte kadaif me pana dhe karkaleca deti, ku këto të fundit duket se dëshmonin e afinitetin e detit në festimin e 45-vjetorit të Metës me Gjirin e Lalzit. Krahas kësaj, të ftuarve u janë ofruar edhe puro kubaneze të llojit “Cooiba”.

Pjesëmarrësit
Ashtu siç u publikua fillimisht në media, numri i të ftuarve ishte relativisht i lartë. Rreth 550 persona shkuan për të festuar 45-vjetorin e lindjes së Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Nga ana e qeverisë, ishin të gjithë ministrat e kabinetit, si edhe deputetët e koalicionit të majtë. Ilir Meta së bashku me bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi ishin të ulur në tavolinë me kryeministrin Edi Rama që ishte i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, deputetin Namik Dokle, si dhe zëvendëskryeministrin e Kosovës Behgjet Pacolli.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj, ishte i ulur në tryezë me Endri Fugën, këshilltarin për media të kryeministrit Edi Rama. Kjo dëshmon edhe miqësinë e vjetër ndërmjet dy personaliteteve pasi që të dy kanë pas punuar tek OJF-ja “Mjaft”. Deputetët e Partisë Demokratike ishin të ulur më vete ku Gerti Bogdani, Mesila Doda, Genc Ruli dhe Eduard Selami i cili ishte i shoqëruar nga shoqja e tij aktuale Ilva Tare përbënin tryezën e vetme të PD-së. Nga aleatët e Bashës ishte i pranishëm Agron Duka, i cili ishte i ulur në tryezë më vëllain e tij Armando Duka, kreu i FSHF-së. Ndër personat që mungonin ra në sy Presidenti Nishani.

Ndarja e të ftuarve ishin bërë nëpër tryeza të rrumbullakta. Nga ceremonia ra në sy se organizimin e ka bërë bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi së bashku me vajzën e tyre 9-vjeçare, Era; këtë gjë e ka përmendur disa herë vetë Ilir Meta gjatë darkës, duke i cituar ato si organizatorë të darkës. “Nesër do të mbikëqyrë edhe pastrimin e sallës dhe kam frikë se nuk do të shkojë në shkollë”, u shpreh me një batutë për të bijën kryetari i Kuvendit. “Ashtu, tani jam edhe pastruese?!”, bërtiti ajo nga ana tjetër e sallës. Batuta këto që sollën edhe një humor në sallën ku po zhvillohej ceremonia.

Batutat
Politikanët shqiptarë shquhen për batuta të fora humori dhe në ditëlindjen e Ilir Metës nuk munguan. Në hapjen e festës Meta theksoi nga mikrofoni se një festë e të tillë kishte kohë që e kishte planifikuar, por nuk kishte pasur mundësi. Në fjalën e tij ai theksoi se ditëlindjen kishte qenë duke e festuar më parë në shtëpi dhe më pas kishte vajtur tek ceremonia. “Gramozi i tha Monikës se një festë të tillë e kishim borxh, pasi nuk e bëmë kur u martuam. Një herë tjetër donim ta festonim, por më njoftuan se NATO kishte vendosur të bombardonte në Kosovë e kështu që e lamë fare.

Edhe dje këtu ra një zjarr i vogël dhe mendova se do të prishej gjithçka. Më pas doli se nuk ishte asgjë me rëndësi dhe jemi tani këtu, për të festuar sëbashku”,- theksoi Meta. Kreu i Kuvendit ka përshëndetur vetëm dy persona, Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushatin, i cili kishte datëlindjen ditën e djeshme, dhe Behgjet Paçollin. “E falënderoj për gjithçka që ka bërë për Kosovën; shpresoj që të vijë në Shqipëri edhe si biznesmen i suksesshëm, sëbashku me biznesmenë të tjerë kosovarë”,- theksoi kreu i Kuvendit Ilir Meta.

Tryeza e “Ngjalave” Rama, Meta e Nard Koka bisedë kokë më kokë
Gjatë ceremonisë së festimit të datëlindjes të Kryetarit të Kuvendit, ra në sy që për një periudhë të gjatë Meta-Rama dhe Nard Koka qëndruan bashkë duke biseduar kokë më kokë. Ky takim i tyre duket si një rikthim i kohës kur Nard Koka, vëllai i Ministrit të Mjedisit Lefter Koka arriti që të pajtojë fillimisht kryeministrin Rama dhe Kreun e Kuvendit, Ilir Metën dy vjet më parë. Biseda ndërmjet tyre është zhvilluar për një kohë të gjatë ku për disa minuta ata qëndruan duke bashkëbiseduar ndërmjet tyre.

Ftohen miq të “Berishës” dhe armiqtë e “21 janarit”
Pjesë e të ftuarve të Ilir Metës ishin edhe analistët dhe gazetarët më me emër si edhe personat mediatik që para disa kohësh kanë qenë edhe kritizerë të kryetarit të Kuvendit. Ndër përfaqësuesit e mediave të “Berishës” ishin Aleksandër Frangaj i Klanit, Blendi Fevziu, Arjan Çani, Fahri Balliu i “Gazetës 55” dhe Irfan Hysenbelliu i “Gazetës Panorama”. Krahas këtyre, ishin të pranishëm edhe gazetarë të tjerë, si Mero Baze dhe Filip Çakuli. Nga përfaqësuesit e tjerë të mediave ishte Carlo Bollino, Alba Malltezi, Ilir Babaramo, Ylli Ndroqi, Sokol Balla, Nikoll Lesi, Ylli Rakipi, Remzi Lani, Alban Dabulla. Por krahas njerëzve të mediave, të ftuar ishin edhe biznesmen të njohur si Samir Mane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here