Trajneri i Brazilit Mano Menezes ka shpallur listën e parë të ekipit kombëtar për miqësoren me Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 11 gusht. Menezes ka thirrur vetëm 4 futbollistë nga ata që morën pjesë në Botërorin e Afrikës së Jugut, Dani Alvesh, Ramires, Tiago Silva dhe Robinjo, ndërsa pjesa tjetër janë futbollistë të rinj. Trajneri i ri ka thirrur në skuadër dy talentet e Santosit Paulo Henrike dhe Neimar, për të cilët paraardhësi i tij Dunga u kritikua shumë që nuk i mori në Botëror.
Pato
Një tjetër emër i rëndësishëm është ai i sulmuesit të Milanit Aleksandre Pato, ndërsa Menezes sqaroi se përzgjedhjet e futbollistëve i ka bërë duke menduar për lojtarë që të jenë të gatshëm për Botërorin e vitit 2014. Në fakt, ish-trajneri i Brazilit, Karlos Dunga u kritikua ashpër për mos marrjen e Aleksandre Pato në Botërorin e Afrikës. Dhe realisht Brazili e ndjeu mungesën e talentit të ri në Botëror.
Deklarata
“Nuk kemi paragjykime për thirrjet e lojtarëve, qoftë edhe ata që ishin në Botëror. Do të marrim në konsideratë vetëm formën momentale të lojtarëve”, u shpreh tekniku brazilian në një konferencë për shtyp vetëm 2 ditë pas emërimit të tij në këtë detyrë. Menezes foli edhe për mënyrën sesi ai e sheh skuadrën braziliane në të ardhmen, duke shpjeguar se dëshiron që Brazili të luajë një futboll më atraktiv dhe më sulmues. Një deklaratë e tillë vjen pas kritikave të forta që ka pasur në adresë të Karlos Dungës për stilin e tij mbrojtës, që nuk i përshtatej shumë futbollit brazilian. Ndërkohë, presidenti i Federatës Braziliane Rikardo Tekseira, u shpreh se Menezes është njeriu i duhur për të ndërtuar një skuadër të madhe për Botërorin 2014.
LISTA
Portierë: Renan (Avai/Bra), Jefferson (Botafogo/Bra), Victor (Gremio/Bra)
Mbrojtës: Rafael (Manchester United/Ing), Marcelo (Real Madrid/Spa), Andre Santos (Fenerbahce/Tur), Daniel Alves ( Barcellona/Spa), David Luiz (Benfica/Por), Henrique (Racing Santander/Spa), Rever (Atletico Mineiro/Bra), Thiago Silva (Milan/Ita)
Mesfushorë: Ederson (Lion/Fra), Carlos Eduardo (Hoffenheim/Ger), Hernanes (San Paolo/Bra), Sandro (Internacional/Bra), Paulo Henrique Ganso (Santos/BRA), Lucas (Liverpool/Ing), Jucilei (Corinthians/BRA), Ramires (Benfica/Por)
Sulmues: Robinho (Santos/Bra), Neymar (Santos/Bra), Alexandre Pato (Milan/Ita), Andre (Santos/BRA), Diego Tardelli (Atletico Mineiro/Bra)
Maradona: Mirupafshim Argjentinë!
Legjenda e futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona, nuk do të jetë më trajneri i kombëtares argjentinase. Sipas të përditshmes argjentinase “OLE”, Maradona nuk ka pranuar të drejtojë ekipin kombëtar pa këshilltarët e tij besnikë. Ish-ylli argjentinas në takimin që ka patur me presidentin e Federatës Agjentinase të Futbollit, i ka kërkuar që të vazhdojë të punojë sëbashku me stafin e tij aktual. Por kërkesa e tij nuk është pranuar nga drejtuesit e federatës dhe në këtë mënyrë Maradona ka vendosur të largohet nga drejtimi i kombëtares argjentinase. Maradona ishte trajneri i Argjentinës në botërorin afrikan deri kur u eleminua nga Gjermania në fazën e çerekfinaleve me rezultatin e thellë 4-0. Pas kësaj humbjeje Maradona nuk kishe forcën e duhur morale për të drejtuar përsëri ekipin kombëtar, edhe pse kishte përkrahjen e mbarë popullit argjentinas. Në ditët pasardhëse pritet që të emërohet trajneri i ri.
Kielini: Do e nisim çdo gjë nga zero
Qendërmbrojtësi i Juventusit, Xhorxho Kielini, në një konferencë për mediat italiane ka folur lidhur me situatën që po përjeton klubi bardhezi por edhe për objektivat e sezonit të ardhshëm.
Kielini u shpreh se objektivi kryesor për Juventusin mbetet arritja e një vendi në Ligën e Kampionëve. “Për ne sezoni i ri do të jetë sezoni i sakrificës për të rifituar kohën e humbur. Do të jetë viti zero ku çdo gjë do të ringrihet nga e para pas një sezoni zhgënjyes si ai i vitit të shkuar. Për të parë një Juve pretendente duhet kohë pasi skuadra ka shumë nevojë për një sktukturim në të gjitha repartet dhe tani ndodhemi në fazën e menaxhimit të të gjitha mundësive që kemi”, pohoi 25-vjeçari. Lidhur me të ardhmen e tij, mbrojtësi i kombëtares italiane u shpreh se ndihet mirë në Torino pasi aty është rritur si njeri dhe formuar si futbollist. Ai shtoi se kërkon të vazhdojë gjatë me ekipin juventin dhe të njëjtën gjë sipas tij dëshirojnë edhe drejtuesit e “Zonjës së vjetër”. Kielini ka analizuar edhe repartin e mbrojtjes, repart në të cilin ai luan, ku ka theksuar se bardhezinjve u nevojiten përforcime pasi tre mbrojtësit që ka në dispozicion nuk japin garanci deri në fund të sezonit.
Van Gal zgjedh favoritin për Champions: Barcelona
Ndërkohë që vijon fazën përgatitore në Itali, tekniku i Bajernit të Mynihut, Luis van Gal, përcakton favoritët për trofeun e Evropës në sezonin e ardhshëm. Për holandezin, Barcelona do të jetë ekipi për t’u mundur. “Barcelona është skuadra më e mirë në Europë. Finalistët e edicionit të kaluar nuk janë skuadrat më të forta në qarkullim. Por jo gjithnjë fiton më i miri, përndryshe Barcelona do të kishte fituar gjatë gjithë këtyre viteve”, pohoi Van Gal nga grumbullimi në Itali. Sipas 58-vjeçarit, vetëm Çelsi dhe Mançester Junajtid mund t’i afrohen nivelit të katalanasve. “Të tjerët vijnë një shkallë më poshtë. E kam fjalën për ne, Interin, Lionin dhe Realin e Madridit. Gjithsesi, ky është gjykimi im i përgjithshëm pasi gjithçka mbetet për t’u parë në fushën e lojës. Nuk duhet lënë mënjanë edhe fati”, shtoi holandezi i stolit bavarez.
Morati: Kam 160 milion euro, më thoni ku t´i shpenzoj?
Interi gjatë merkatos së verës ka në dispozicion një buxhet të “çmendur” për të shpenzuar. Drejtuesit e klubit zikaltër janë të gatshëm që të shpenzojnë 160 milion euro për të sjellë në Milano emra të njohur të futbollit botëror në një kohë ku shumë klube po mundohen të jenë sa më të kursyer. Kampionët e Evropës do të përfitojnë 60 milion euro vetëm nga shitja e Balotelit dhe brazilianit Maikon. Fitmet e klubit zikaltër nuk ndalen me kaq pasi vetëm nga fitimi i Ligës së Kampionëve në arkat e presidentit Morat do të derdhen plot 72 milion euro. Ndërsa 12 milion euro do të përfitohen vetëm nga pjesëmarrja në dy aktivitet e fundit futbollistike siç janë Superkupa e Evropës dhe Kupa e Botës për klube. 10 milion euro do të përfitohen nga largimi i Mourinjos e po ashtu fitime të tjera të pakonfirmuara priten edhe nga kontrata e re e Maikonit me madrilenët e Real Madridit. Me shumën e fitimeve të arritura pritet që Interi të bëjë blerje me peshë duke filluar nga argjentinasi i Liverpulit, Havier Maskerano.