Home Politike Mazhoranca i qëllon me “top” Presidentit Topi

Mazhoranca i qëllon me “top” Presidentit Topi

224
0

Që mes mazhorancës dhe Presidentit Bamir Topi kishte një akullnajë, kjo dihej prej kohësh. Në shumë raste PD-ja e sulmonte në mënyrë indirekte kreun e shtetit. Por dje Partia Demokratike ka dalë hapur kundër veprimeve të kreut të shtetit, duke e akuzuar Presidentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën e Republikës, duke mos ushtruar detyrimin kushtetues për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas selisë blu, duhej të ishte bërë që prej datës 4 qershor 2010. i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Presidencës, duke deklaruar se procedurat e Presidentit për kryetarin e Kushtetueses janë transparente. Tashmë mes PD-së dhe Presidentit qe ata e zgjodhën po vetë është hapur një konflikt i madh.
Akuza e PD
Deputeti i PD-së, Eduart Halimi duke akuzuar kreun e shtetit theksoi që në fillim se Presidenti se ka shkelur rëndë Kushtetutën e Republikës, duke mos ushtruar detyrimin kushtetues për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Duke mos u ndalur me kaq Halimi shtoi dozën e akuzave duke thënë se “ky përbën një akt të rëndë dhe të paprecedent në gjithë historinë e shtetit shqiptar”. Sipas tij, mosveprimi i presidentit të vendit, përbën një fyerje të rëndë për Kushtetutën dhe shtetin ligjor. Deputeti Halimi, në emër të komisionit parlamentar të ligjeve, i kërkoi Presidentit të dekretojë sa më shpejt kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, institucioni që është garant i Kushtetutës. Halimi në emër të PD-së kërkoi ndërkaq edhe thirrjen urgjente të parlamentit për të bërë miratimin e kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese, pasi atë ta emërojë kreu i shtetit. Sipas deputetit Eduart Halimi është fyese për shqiptarët që të përdoret si justifikim skadimi i mandatit të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që edhe dekretimi i tyre është kompetencë e Presidentit të Republikës. Deputeti i PD-së, në këtë akuzë ndaj Presidentit iu referua nenit 125 të Kushtetutës, në të cilën thuhet shprehimisht se “kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet të emërohet nga Presidenti me pëlqim të Kuvendit vetëm për një periudhë trevjeçare. “Paraardhësi i z.Kristo ka dhënë dorëheqjen nga detyra, ditën që i mbaroi mandati i kryetarit dhe ka vazhduar më tej detyrën e tij si gjyqtar”, përfundoi deputeti Eduart Halimi.
Reagimi i Presidennces
Pas akuzave të PD-së ka reaguar edhe Presidenca duke hedhur nota ironie mbi sulmet e mazhorancës. Këshilltari Ligjor i Presidentit, Spiro Peçi, tha se pranë Presidentit është ngritur një grup ekspertësh, të cilët po përcaktojnë kriteret për seleksionimin e kandidaturave. Sipas këshilltarit të Presidentit, mos emërimi i kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese nuk pengon procesin e përzgjedhjes së anëtarëve. Në këtë kontekst, këshilltari Peçi në emër të Presidentit, theksoi se akuzat e PD-së, synojnë të heqin vëmendjen nga politika. Ai theksoi se ndër të tjera se katër nga nëntë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese u ka mbaruar afati, duke evidentuar se përzgjedhja e tyre bëhet në bazë të kritereve me të cilat po punon grupi i ekspertëve. “Presidenti i është përmbajtur përzgjedhjes së kandidaturave mbi bazën e kritereve ligjore. Presidenti ka bërë përpjekje që në këtë proces të përfshihet edhe politika”, theksoi këshilltari i Presidentit. Këshilltari Juridik i Presidentit, Spiro Peçi tha se procesi i përzgjedhjes së kandidaturave është ligjor, transparent dhe publik, por Presidenti jo gjithnjë ka gjetur konsensus me faktorë të tjerë politikë. Sipas këshilltarit të Presidentit procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të përfundojë në ditët e para të shtatorit, duke i kthyer kështu edhe përgjigjen PD-së, se emërimi i kreut të Gjykatës Kushtetuese do të bëhet pikërisht në shtator, në mbyllje të procesit.
Edhe ambasadori Boschard i jep lamtumirën Shqipërisë

Presidenti Bamir Topi, ka pritur dje në një takim lamtumire ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, Bernd Boschard. Gjatë takimit, Topi u shpreh se marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – Gjermani janë shumë të mira. Presidenti Topi e  falenderoi ambasadorin Boschard për punën dhe aktivitetin e tij diplomatik disavjeçar në shërbim të rritjes dhe thellimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Federale të Gjermanisë në rrugëtimin integrues të vendit tonë në NATO dhe më vonë në Bashkimin Evropian. Ambasadori gjerman, Bernd Boschard, shprehu mirënjohjen ndaj Presidentit Topi dhe gjithë institucioneve të shtetit shqiptar për mbështetjen e pakursyer dhe bashkëpunimin e frytshëm, që ia bënë më të lehtë përmbushjen e misionit të tij diplomatik në të mirën reciproke të dy popujve dhe vendeve tona. Ambasadori gjerman, Bernd Boschard, gjatë kohës që ka qëndruar në Shqipëri ka qenë mjaft aktiv në diplomaci. Mund të thuhet pa frikë se Boschard deri tani është i vetmi ambasador i Gjermanisë që ka qenë aktiv në shumë fusha. Që nga këshillimet dhe kritikat për politikanët shqiptarë e deri tek promovimi i turizmit dhe kulturës.
Komandot nisen drejt Afganistanit për herë të parë si luftëtarë

Në një ceremoni të veçantë, kryeministri Sali Berisha dhe autoritete të larta të ministrisë së Mbrojtjes, kanë përcjellë skuadrën e re të komandove shqiptare drejt Afganistanit, në misionin e tyre të parë luftarak në këtë vend. Kontigjenti paqeruajtës shqiptar në Afganistan, i pranishëm edhe herë të tjera, këtë radhë duket se po niset me një mision më të vështirë e pikërisht, nisur nga kjo, kreu i qeverisë u ka dhënë kurajo para nisjes anëtarëve të tij, për t’u treguar të fortë dhe qëndrestarë. “Ju niseni si shqiponja që përbën zemrën e simbolit tonë kombëtar, flamurit që merrni me vete. Misioni juaj është i vështirë, por ju jeni ushtarakë të zotë”, theksoi ai. Duke shtuar më tej në fjalën e tij se kjo është një ditë e veçantë pasi 1 vit pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, sot niset njësia e parë e ushtarakëve shqiptarë në mision të ri, mision luftarak. “Ne nisim anëtarët e Forcave tona të Armatosura në fushë betejën më të madhe në emër të lirisë, sigurisë e paqes në botë”, shtoi ndër të tjera kreu i qeverisë. Duke u dhënë kurajo forcave komando, ai u ka kërkuar që ta mbajnë lart flamurin e Shqipërisë, pa harruar se kanë mbështetjen e qeverisë shqiptare. Ndërsa Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, do t’u linte si porozi djemve të trupit paqeruajtës, që të tregohen trima. “Porosia ime është të tregoheni burra shqiptarë, trima dhe të besës. Bindjuni urdhrave të eprorëve”, përfundoi ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here