Tre anëtarë të të njëjtës familjeje janë vrarë dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur pasi janë qëlluar me armë mbrëmjen e djeshme në fshatin Fraks të komunës Komsi në rrethin e Matit.
Sipas informacioneve viktimat janë Shaqir Barçi, bashkëshortja e tij Hamdije Barçi dhe djali i tyre, Ylber Barçi ndërsa kanë mbetur të plagosur dy djemtë e tjerë të familjes Halid Barçi dhe Gazmend Barçi të cilët ndodhen në spitalin Ushtarak në Tiranë nën kujdesin e mjekëve.
Dyshohet se shkak për ngjarjen është një grindje mes dy familjeve ndërsa policia ka arrestuar tre vëllezërit Dashamir, Valter dhe Durim Barçi, të afërm me viktimat të cilët dyshohen se janë autorët e vrasjes së 3anëtarëve të të njëjtës familjeje dhe plagosjen e dy të tjerëve.
Ata janë arrestuar nga policia rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm në mal dhe nuk kanë bërë rezistencë gjatë arrestimit. Policia ka sekuestruar edhe dy automatikë dhe një armë gjahu gjatë arrestimit të dy vëllezërve.
Ndërkohë policia po heton në dy pista, ku njëra e sherrit për pronësi dhe tjetra për hasmëri të mundshme të mëparshme ndërkohë që hetimet po vazhdojnë për të zbardhur krimin e rëndë.