Home Aktualitet Masakra ne Tirane, Xhuvani le mandatin

Masakra ne Tirane, Xhuvani le mandatin

610
0

rama-luiza
Deputetja e Partisë Socialiste Luiza Xhuvani i ka dorëzuar kryeministrit Rama dorëheqjen nga mandati i saj i deputetes në Sarandë, pas masakrës në Tiranë ku katër persona humbën jetën, ndërsa për këtë është arrestuar dhe djali i saj, Konstandin Xhuvani, si i dyshuari kryesor për ngjarjen. Mes lotësh e dhimbjes si nënë, e veshur në të zeza Luiza Xhuvani kërkoi që drejtësia të veprojë ashtu siç e parashikon ligji.

Duke shprehur qëndrimin e tij për ngjarjen, kryeministri Rama tha se në 23 qershor ka përfunduar koha kur kishte një shtet për fëmijët e politikanëve dhe shtet për të tjerët.
Duke e vlerësuar si grua, artiste, por edhe politikane, Luiza Xhuvanin, Rama tha se ajo është shembulli i etikës në politikë, dhe “Dorëheqja e Luizës t’i vlejë politikanëve e gjykatësve”.

Kreu i qeverisë tha se ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e sotëm, ka prekur të gjitha familjet shqiptare, ndërsa duke theksuar se ligji është i barabartë për të gjithë tha se “Kostandin Xhuvani do ta ketë shumë të gjatë rrugën e kthimit në shtëpi”. Fjala e plotë e kryeministrit Rama

Luiza Xhuvani: Mos i ndodhtë asnjë prindi ajo që më ndodhi mua
“Fjalët nuk më mjaftojnë për të shprehur dhimbjen dhe drithërimat e shpirtit! Dhimbje për katër jetët e humbura! Dhimbje për familjarët e atyre, që sot vajtojnë bijtë, që nuk jetojnë më! Sigurisht, dhimbjen e një nëne që sot e ka të pamundur të mbajë fajet e të birit. E kuptoj se, sot, gjëja më e lehtë dhe e thjeshtë është të fajësosh prindërit e familjen e Kostandinit. Edhe pse nuk bëhet fjalë për një fëmijë, por për një burrë 26 vjeç. Edhe unë, edhe Gjergji përfaqësojmë një familje që nuk ka asnjë lidhje me krimin. Të dy njerëz të lidhur me artin dhe kulturën, të përkushtuar ndaj profesionit. Prindër, që si çdo prind dëshiron më të mirën për fëmijët e vet, por mesa duket paskemi qënë të pafat në këtë drejtim.

Ngjarja e ndodhur sot në të gdhirë është një ngjarje tragjike. Por ajo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen e Kostandinit. Nuk ka lidhje as me prindërit e tij, as me mandatin që unë, nëna e tij, ushtroj. Janë 4 familje që sot vajtojnë humbjen e njerëzve të tyre më të shtrenjtë. Janë 4 familje që sot kërkojnë drejtësi. E drejtësia duhet të bëjë drejtësi.

Drejtësia duhet t’i trajtojë të gjithë të barabartë përpara ligjit. Kush është prind më kupton. Kush është nënë më kupton edhe më mirë. Kostandini është djali im dhe pavarësisht të gjithave do të mbetet djali im. E, pikërisht, se një nënë duhet të gjendet pranë fëmijës edhe në momente tragjike si këto, me bindjen se drejtësia duhet të veprojë me rreptësi ndaj çdokujt që shkel ligjin edhe kur behet fjalë për fëmijën tënd, për t’i hequr çdolloj alibie çdokujt që mund t’i shkojë nëpër mend se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, në pamundësi për të vazhduar t’i shërbej dhe t’i dedikohem zonës që më ka zgjedhur, duke kërkuar ndjesë, kam paraqitur Kryeministrit të vendit dhe Kryetarit të PS, dorëheqjen time si deputete e Sarandës.

Mos i ndodhtë asnjë prindi kjo që më ka ndodhur mua. Mos i ndodhtë askujt ajo tragjedi që ka ndodhur sot në të gdhirë. Jam nëna e Kostandinit dhe ai do të jetë gjithmonë biri im. Nuk mund ta mohoj se ai është gjaku im. Do të tërhiqem në thellësinë e dhimbjes me peshë të parehabilitueshme. Drejtësia le të bëjë drejtësi!”, u shpreh Xhuvani mes lotësh para mediave.

Rama: Familjarët duan drejtësi për ngjarjen kriminale
Kreu i qeverisë tha se ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e sotëm në kryeqytet ku mbetën të vrarë 4 persona, ka prekur të gjitha familjet shqiptare, ndërsa ka theksuar se ligji është i barabartë për të gjithë.

rama-luiza1

“Qysh në sekondën kur mora lajmin e rëndë për këtë ngjarje ishin prindërit e të vrarëve dhe prindërit e autorëve të dyshuar që më erdhën në mëndje. Arrij ta kuptoj se ç’mund të ndjejnë nënat, baballarët, të afërmit e miqtë e 4 të vrarëve, por edhe për faktin se i dyshuari kryesor i policisë për vrasjen e tyre është djali i një deputeteje. Ky fakt e bën të pamundur edhe për opinionin publik që të mos jetë i pandjeshëm ndaj një krimi që i mori jetën 4 personave”, tha Rama.

Rama: Koha e dyfytyrësisë së qeverisë ka mbaruar
Duke shprehur qëndrimin e tij për ngjarjen, kryeministri Rama tha se në 23 qershor ka përfunduar koha kur kishte një shtet për fëmijët e politikanëve dhe shtet për të tjerët. Kreu i qeverisë u ndal edhe tek rastet e ndodhura gjatë këtyre viteve në vendin tonë, ku familjarë e të afërm të qeveritarëve kanë qenë të përfshira në ngjarje si ajo e Gërdecit, apo e 21 Janarit, ndërsa theksoi se tashmë drejtësia do të veprojë njësoj për të gjithë.

“Historia e gjithë këtyre viteve të vështira gjatë viteve të krimit ka gjetur të përzier edhe fëmijët e njerëzve të politikës. Fëmijët e njerëzve të politikës në gjithë këto vite kanë qenë të përzierë për të përbaltur prindërit e tyre, nuk ka qenë një histori e denjë as për vendin e as për politikën.

Kjo histori papastërtie sociale ka krijuar tek njerëzit e zakonshëm idenë se ka një ligj për fëmijët e tyre, e një për fëmijët e politikanëve. Apo se ka dy shtete, një për politikanët e familjet e tyre, e një për njerëzit e tjerë. Shkurt një Shqipëri për fëmijët e njerkës popull, e një Shqipëri për fëmijët e nënës politikë. Unë nuk e di sesa nga fëmijët e politikanëve që u bënë pjesë e historisë së krimit në këto vite, e sa prej tyre janë pre e situatave. Por sot unë di me siguri se koha e dyfytyrësisë së qeverisë me kundravajtësit ka marrë fund me 23 qershor. Koha e djalit që nxirrte babën përpara për të mohuar baxhanakun e tij nga foltorja e kuvendit ka marrë fund.

Ka mbaruar koha e kryeministrit që çonte truprojat e veta për të blerë me para përkrahjen e familjes së një të vrari në 21 janar. Nuk e di çdo kishte bërë qeveria e asaj kohe nëse në një vrasje në një lokal nate do ishte përfshirë djali i një politikani prej tyre”, u shpreh kreu i qeverisë.

Rama: Drejtësia e barabartë për të gjithë
Kreu i qeverisë Edi Rama i ka kërkuar sërish drejtësisë që të bëjë punën e saj, duke vendosur para ligjit përgjegjësit, dhe duke i trajtuar ata të barabartë. Ndërkaq, kryeministri Rama vlerësoi punën e Policisë së Shtetit për arrestimin e të dyshuarve për vrasjen e 4 personave në një lokal nate në kryeqytet mëngjesin e sotëm.
“Sot u provua se Policia e Shtetit është në krye të detyrës ndaj kujto qoftë që i del përpara si objekt i punës së saj. E kam fare të pamundur ta mendoj se në atë kohë do të ndryshonte ndonjë gjë, rruga e qeverisë për fëmijët në fjalë nga rruga e qeverisë që nxori në rrugë vrasësit e 21 janarit. Nëse herët e tjera e kam ngritur zërin ndaj gjyqtarëve për të vendosur drejtësi, nuk do ta ul sot”, tha Rama.

Rama: Dorëheqja e Luizës t’i vlejë politikanëve e gjykatësve
Duke e vlerësuar si grua, artiste, por edhe politikane, Luiza Xhuvanin, Rama tha se ajo është shembulli i etikës në politikë, dhe “Dorëheqja e Luizës t’i vlejë politikanëve e gjykatësve”. Ndërsa duke ritheksuar se ligji është i barabartë për të gjithë tha se “Konstandin Xhuvani do ta ketë shumë të gjatë rrugën e kthimit në shtëpi”.

“Nëse mesazhi i tërheqjes së Luiza Xhuvanit duhet t’i shërbejë si shembull politikës, duhet t’i shërbejë edhe gjykatësve të vendit si dëshmi se çfarë ka ndryshuar në këtë vend. ligji është njësoj për të gjithë fëmijët. Zyrat janë tonat, pushteti është i popullit, fëmijët janë tanët, dhe drejtësia është e barabartë për të gjithë. Djali i Xhuvanit nuk është fëmijë, është një burrë 26 vjeç, është tragjedia e gjallë e dy prindërve të mrekullueshëm. Gojët e mbushura plot që u zbrazën sot ndaj Xhuvanit, nga opozita, e cila e la vendin të rrënuar i përkasin e jetës së ulët. Ndërsa nënës që i ra sot për pjesë, të përjetojë këtë situatë, u tërhoq. Sot janë dy prindër tragjikisht fatkeqë që tani më duhet ta jetojnë jetën e tyre si një film tragjik deri në fund të jetës, pasi Konstandin Xhuvani do ta ketë shumë të gjatë rrugën e kthimit në shtëpi”.

Si ndodhi ngjarja
Sipas policisë në orën 04:00 të mëngjesit në lokalin “Ante Grand”, i ndodhur në Rrugën e Elbasanit në Tiranë ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë duke bërë rrethimin e lokalit, të zonës përreth dhe shoqërimin e personave prezent në vendngjarje.

Nga hetimi paraprak ka rezultuar se në këtë lokal nate pas një konflikti të çastit midis disa shtetasve, konflikt i cili më pas ka përshkallëzuar edhe me përdorimin armëve të zjarrit.

Për pasojë kanë gjetur vdekjen 4 shtetas. Viktimat janë: Edison Jaho , vjeç 36, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, Enea Xhaj, vjeç 38, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, Arbër Demiraj, 19 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Ky i fundit eshte djali i ish-prokurorit te Apelit, Skender Demiri. Po ashtu i vdekur ka mbetur edhe Giampaolo Azzolo, 60 vjeç, me shtetësi dhe kombësi italiane dhe që besohet se nuk kishte lidhje me ngjarjen.

Policia ndaloi në kohë reale si të dyshuar për këtë ngjarje tre persona. Ata janë Kostandin Xhuvani, 25 vjeç, djali i deputetes socialiste Luiza Xhuvani. Ai është i përfshirë edhe më parë në një precedent vrasje në Tiranë, kur në 2011 u dënua me dy vite burg për vrasjen e Alfred Musabelliut. I ndaluari i dytë është Erald Sida 24 vjeç, si dhe Albano Ballcaj, 19 vjeç.

Reagimi i politikës për masakrën
Politika ka reaguar ashpër ndaj vrasjes së katërfishtë të ndodhur mëngjesin e sotëm në një lokal nate në kryeqytet, e veçanërisht për përfshirjen në këtë ngjarje të djalit të deputetes së PS Luiza Xhuvani. Kryeparlamentari Ilir Meta tha se të gjithë janë dhe duhet të jenë të barabartë para ligjit, duke lënë të nënkuptohet se të gjithë përgjegjësit e kësaj ngjarje do të përballen më ligjin, pa u favorizuar. Por Partia Demokratike ka bërë akuza të ashpra lidhur me ngjarjen, duke u shprehur se djali i Xhuvanit është favorizuar nga drejtësia, edhe në rastet e mëparshme ku është përfshirë në situata të tilla. Në një deklaratë për mediat deputeti i PD-së, Gent Strazimiri tha se djali i deputetes Luiza Xhuvani, i dyshuar për ngjarjen, “është një vrasës serial i pandëshkuar, por me imuniteti politik”. Sipas tij, Kostandin Xhuvani ka mbështetjen e Policisë, pasi ishte një nga personat që i shpëtoi aksionit të Lazaratit dhe u transportua me mjete ushtarake në Tiranë e u soll në oborrin e parlamentit për t’ia treguar edhe kamerave. PD:Vrasësi serial ka qeverinë në krah që i jep imunitet

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha, ku përmes rrjetit social ‘Facebook’ ka deklaruar se Konstadin Xhuvani, djali i deputetes Luiza Xhuvani, nuk vuajti asnjë vit burgim për vrasjen e një bashkëmoshatari, kjo sipas tij falë lidhjeve me PS, ish-Presidentin Bamir Topi dhe ish-Kryeprokuroren Ina Rama. Berisha:Konstadin Xhuvani shfrytëzoi lidhjet me PS, Topin e Ina Ramën

Basha: Ngjarja e rëndë, por më e rëndë fshehja e kryeministrit
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar për vrasjen e katërfishtë të ndodhur sot në Tiranë, pas takimit të tij me kryegjyshin e bektashinjeve, me rastin e ditës së Ashures. Basha ka theksuar se në kushtet kur mungon vullneti për të zbatuar ligjin, në mënyrë të barabartë për të gjithë, është koha e sovranit që ta kërkojë dhe ta marrë atë. Ndërsa në një moment të dytë, shefi opozitës ka shkruar në FB, duke ashpërsuar tonet, në drejtim të kryeministrit Rama.

“Një heshtje varri ka pushtuar qeverinë që prej mëngjesit të sotëm, ku katër persona u vranë me armë zjarri në mes të Tiranës. Ngjarja është e rëndë, por më e rëndë fshehja e kryeministrit që gjen kohë të shkruaj për çdo gjë, por sot nuk gjeti dot një fjali për vrasjen makabër. PD ka denoncuar me fakte dhe argumente promovimin e krimit prej Edi Ramës në kuvend, politikë dhe administratë. Por, sot është faktuar më së miri se krimi ka gjunjëzuar policinë dhe shtetin. Fëmijë pushtetarësh lëvizin të armatosur pa frikën e policisë që merret me gjithçka përveç rendit dhe sigurisë. Rama, i ka hapur luftë çdo qytetari të këtij vendi por jo kriminelëve që ai vetë i ka promovuar në parlament, në administratë dhe kudo. Apeli i PD të cilit i janë bashkuar sot të gjithë qytetarët është pastrimi i parlamentit, politikës dhe administratës nga krimi dhe lidhjet e tij”, shkruan Basha në rrjetin social “Facebook”.

Strazimiri: Djali i Xhuvanit vrasës serial i pandëshkuar, me imunitet politik
“Autori i dyshuar, djali i deputetes Xhuvani, i ndaluar nga Policia, është jo vetëm një vrasës serial, i pandëshkuar, por dukshëm me imunitet politik gjë që është shfaqur hapur edhe në televizionet tona”. Kjo ka qenë deklarata e deputetit demokrat, Gent Strazimiri lidhur me ngjarjen e rëndë në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku mbetën të vrarë 4 persona.

Sipas Strazimirit, Konstandin Xhuvani, ka mbështetjen e Policisë, pasi ishte një nga personat që i shpëtoi aksionit të Lazaratit dhe u transportua me mjete ushtarake në Tiranë e u soll në oborrin e parlamentit për t’ia treguar edhe kamerave.

“Katër viktimat e mëngjesit të sotëm kanë autor Shtetin, Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm, Policinë, e cila po merret me gjithçka përveçse me krimin e licencuar nga Partia Socialiste dhe aleatët e saj!”- thotë Strazimiri.

Deklarata e plotë e deputetit demokrat, Gent Strazimiri
Pavarësisht se mijëra ngjarje kriminale që ndodhin cdo ditë në cdo cep të vendit qëllimisht fshihen nga policia, qeveria dhe media pranë saj, situata kriminale në vend po arrin nivele alarmante si kurrë më parë.

Masakra tragjike me katër të vrarë e ndodhur në orët e para të ditës së sotme në një nga rrugët më të ruajtura të Tiranes, më shumë se sa autorët ka përgjegjës drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, Ministrin e Brendshëm dhe Kryeministrin e vendit.

Sepse Kryeministri dhe banda e tij kanë krijuar të gjitha lehtësitë për autorin, djalin e deputetes Xhuvani, që të lëvizë i lirshëm me armë në brez, madje të krijojë edhe një bandë kriminale dhe ta ushtrojë aktivitetin me shantazhe, gjobvënie e vrasje në mes të Tiranës.

Kryeministri dhe banda e tij, e kanë shndërruar Shqipërinë në një paraburgim të madh, ku rrasen “cip mbi cip” qytetarë të thjeshtë vetëm sepse vendosin një tullë, qytetarë që nuk kanë mundësi të paguajnë dritat se nuk kanë bukë të hanë dhe nga ana tjetër kriminelët dhe bandat e organizuara janë më aktive se kurrë dhe kanë kontrollin në territoret e tyre.

Kryeministri dhe banda e tij, kanë krijuar një shtet policor që po u merr frymën qytetarëve të ndershëm ndërkohë që kemi dështim të Policisë në detyrat e saj kryesore, në arsyen pse kjo strukturë ekziston, që është rendi dhe siguria publike.

Autori i dyshuar, djali i deputetes Xhuvani, i ndaluar nga Policia, është jo vetëm një vrasës serial, i pandëshkuar, por dukshëm me imunitet politik gjë që është shfaqur hapur edhe në televizionet tona.

Autori i dyshuar, djali i deputetes Xhuvani, ka mbështetjen e Policisë, pasi ishte një nga persant që i shpëtoi aksionit të Lazaratit dhe u transportua me mjete ushtarake në Tiranë e u soll në oborrin e parlamentit për tia treguar edhe kamerave.

Ja pra pse 4 viktimat e sotme, djali i deputetes Xhuvani, i shkaktoi në bashkëpunim me krerët e Policisë, me Ministrin e Brendshëm dhe me Kryeministrin
Prej 13 muajsh vujamë në një republike aspak demokratike e ligjore, as arsimore, as kulturore! Jo!

Mbijetojmë në një republikë “POLICORE”, me një polici të dominuar nga krimi, e ku krimineli më i madh e i pakonkurueshëm është SHTETI! Eshtë vetë Edi Rama!
Katër viktimat e mëngjesit të sotëm kanë autor SHTETIN, Kryeministrin, Ministrin e Brendshem, Policinë, e cila po merret me gjithcka përvecse me krimin e licensuar nga Partia Socialiste dhe aleatët e saj!

Me krimin në qeveri, që sot më shumë se kurrë ka kapur shtetin, duke e bërë vetë shtetin, qeverinë, parlamentin, administratën, policinë dhe me sa duket shumë shpejt edhe prokurorine e gjykatën, Kriminelin më të rrezikshëm!

Në këtë “shtet” që në 13 muaj është bërë armiku i cdo qytetari, cdo qytetar që jeton me djersë e respekton ligjin është fatkeq!
Të nderuar motra dhe vëllezër! Koha është tani! Të mbrojmë SHTETIN nga sulmi i krimit, përpara se të kthehemi zyrtarisht në vitin ’89!

Berisha: Djali i Xhuvanit nuk vuajti asnjë vit burg për vrasjen e një bashkëmoshatari
Ish-Kryeministri, Sali Berisha përmes rrjetit social ‘Facebook’, ka deklaruar se Konstadin Xhuvani, djali i deputetes Luiza Xhuvani, nuk vuajti asnjë vit burgim për vrasjen e një bashkëmoshatari, kjo sipas tij falë lidhjeve me PS, ish-Presidentin Bamir Topi dhe ish-Kryeprokuroren Ina Rama.

Më tej Berisha shkruan edhe për përmendjen e Konstadin Xhuvanit në listën që qëllonte mbi policinë në Lazarat. “Ditën që e ëma e rrokte dhe puthej me te ne mjediset e parlamentit ai drejtonte daljen nga Lazarati te karvanit te trafikanteve”- shprehet Berisha në rrjetin social ‘Facebook’.

Sipas Berishës, pas ngjarjes së sotme, deputetë socialist, Didi dhe fallanga e krimit po bëjnë gjithçka për ta nxjerrë duar jashtë në këtë vrasje banditin e pushtetit.

“Ky akt makaber dëshmon se sot krimi dhe qeveria janë një e te pandare dhe se Policia e Shtetit ka zero kontroll mbi krimin dhe se ajo i ka lëshuar krimit plotësisht territorin dhe kontrollin e tij.”- përfundon Berisha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here