Home Andrea Stefani Masakra e 21 janarit, kryefajtorët flasin se nuk flet drejtësia

Masakra e 21 janarit, kryefajtorët flasin se nuk flet drejtësia

793
0

Kryefajtorët e vrasjeve të 21 janarit, Sali Berisha dhe Lulzim Basha, vazhdojnë të mbrohen dhe shfajësohen publikisht me gënjeshtrën se i vranë ata që vranë, të detyruar gjoja nga Edi Rama. Odiseja e kësaj gënjeshtre, që për turp të drejtësisë vazhdon prej tre vjetësh, është bërë e mundur në sajë të kapjes nga politika të prokurorisë dhe segmenteve thelbësore të sistemit të hetimit dhe gjykimit. Sepse megjithëse provat e krimit të vrasjes së protestueseve, si dhe ato të mashtrimit të bërë nga Berisha për t’ia faturuar të vrarët opozitës së majtë dhe Edi Ramës janë sheshit, drejtësia nuk ka vepruar e paralizuar nga frika, presionet dhe korrupsioni. Prandaj sot, në përvjetorin e tretë të masakrës, Berisha dhe Basha kanë luksin të vazhdojnë me gënjeshtrat e tyre.

***

Por edhe kur faktet janë evidente, ekziston përherë mundësia e manipulimit të tyre. Pikërisht ajo që është përpjekur të bëjë Berisha. Sepse katër vrasje të bëra nga Garda e Republikës mund t’i shesësh me mashtrim të publikut, duke gënjyer sikur posedon “prova të plota”, se është bërë me pistoleta çadër nga brenda protestës. Tashmë dihet që kjo taktikë hitleriane e Berishës (hidhja fajin opozitës për krimin tënd) dështoi, në sajë të profesionalizmit të medias dhe në radhë të parë të Artan Hoxhës, gazetarit të guximshëm investigativ që Berisha, nga mllefi që ia abortoi gënjeshtrën, e etiketoi “çakall”. Besimplotë në taktikën e manipulimit të fakteve, pa kërkuar fare falje për dezinformimin që u bëri shqiptarëve lidhur me thikat me helm apo çadrat pistoletë, Berisha u hodh në një pistë tjetër mashtrimi. Që përsëri tentonte të fajësonte opozitën për masakrën e 21 janarit. Ai deklaroi se opozita kish tentuar të bënte një puç të organizuar nga Edi Rama, ish-presidenti Bamir Topi, kryeprokurorja Ina Rama dhe Shërbimi Informativ. Argumenti themelor ishte dhe është ky: Meqenëse opozita organizoi një puç për marrjen me dhunë të pushtetit, qeveria është e justifikuar në vrasjen e katër protestuesve, si dhe në plagosjen e disa të tjerëve.

***

Për fatin e keq të Berishës dhe Bashës, ky mashtrim i dytë që ata e përsëritën edhe dje, përmban disa lapsuse logjike që, ndryshe nga faktet, nuk mund të fshihen apo shtrembërohen dot. Pyetja e parë që të lind sapo dëgjon këta “burra shteti” është: Nëse Rama, Topi apo dhe Ina Rama kanë bërë një puç, pra një tradhti të lartë ndaj shteti dhe demokracisë, përse nuk janë nxjerrë para drejtësisë? Përse Berisha dhe Basha nuk qullosën gjë për më shumë se dy vjet? Përse komisioni hetimor parlamentar i ngritur me bujë nga Berisha, dhe i drejtuar me stil prokurori të Enver Hoxhës nga Halimi, nuk qullosi gjë? Si është e mundur një gjë e tillë kur Berisha flet, edhe sot e kësaj dite, me siguri absolute për puçin e Edi Ramës? Nëse akuzën për puç e bazon në prova, përse nuk ia ka ofruar këto prova dhe fakte komisionit Halimi? Mos ndoshta bën teatër me shqiptarët, ndërsa në të vërtetë nuk ka dashur fare të ndëshkojë puçistët? Ky opsion nuk ka fare të ngjarë. Sepse “puçi” u shpik vetëm që të shfajësohej qeveria Berisha për vrasjet, të fajësohej opozita dhe ndëshkohej lideri i saj. Fajësimi dhe dënimi për krim i Edi Ramës ka qenë ëndrra, gjakimi i pafjetur i Berishës në këto vite. Atëherë përse, përse Berisha nuk ia dha provat e puçit Halimit? Për faktin e thjeshtë se nuk ka pasur prova. Sepse nuk ka pasur as edhe kurrfarë puçi. Sikur të ekzistonte edhe një mikrofakt i vetëm që do të shërbente si provë për puçin, Berisha do ta kishte zmadhuar sa një mal. Por nuk i ka pasur e as nuk mund t’i ketë. Dhe për fatin e tij të keq, sado i zoti të jetë në gënjeshtra e trillime për kundërshtarët, Berisha nuk mund të ketë magjinë të prodhojë realitete. Një puç, si pretekst për të goditur rivalë që të kërcënojnë pushtetin apo që për shkak të paranojës të fanepset se të kërcënojnë pushtetin, mund të shpiket me sukses në regjimet diktatoriale. Në regjime ku nuk ka media jashtë kontrollit tënd dhe që t’i nxjerrin gënjeshtrat në shesh. Enver Hoxha nuk e kishte të vështirë një ndërmarrje të tillë. Shqipëria kishte fat që më 21 janar jo e gjithë media ishte në krahun e autokratit. Me kontributin e tij Berisha e ka katandisur Shqipërinë në një regjim hibrid, por nuk ka mundur ta shndërrojnë në diktaturë. Demokracinë e shpëtoi media e mbetur jashtë kontrollit të Berishës. Ndryshe më 21 janar nuk do të kishin vdekur vetëm katër protestues, por edhe vetë demokracia.

***
Dje, Basha deklaroi se pasojat e 21 janarit (d.m.th. masakra), nuk mund të ndahen kurrë nga shkaku i 21 janarit. Këtij kostumi, që pretendon të jetë lideri i opozitës, i duhet mësuar se në logjikë këmbëngulja për të vendosur gjithçka në një rend shkakësie sipas rregullit “pas kësaj pra për shkak të kësaj”, quhet përgjithësim i shpejtuar. Janë shumë e më shumë se fanatikët e Berishës ata shqiptarë që e kuptojnë se, pavarësisht protestës së opozitës, pavarësisht edhe dhunës së një pjese të protestuesve mbi policinë, më 21 janar nuk do të kish pasur fare të vrarë nëse në qeverinë Berisha nuk do të kish ekzistuar prirja për të vrarë. Në demokraci, qeveria nuk qëllon me plumba mbi protestues a demonstrues, sado të dhunshëm, sa kohë që këta nuk e qëllojnë qeverinë me plumba. Të gjitha faktet tregojnë qartë se qeveria e tejkaloi masën e mbrojtjes së nevojshme. Edhe një qytetar i thjeshtë dënohet nëse vret një njeri duke tejkaluar mbrojtjen e nevojshme. E jo më një qeveri a kryeministër, që paguhen nga qytetarët jo për të vrarë, por për të mbrojtur qytetarët!

***

Dje, Berisha përsëriti përrallën e vjetër, gënjeshtrën e “puçit”. Mungesa e drejtësisë në këtë vend, që nuk po e ndëshkon për 21 janarin, ia jep këtë luks. Në fakti ai rivrau të rënët e 21 janarit duke iu shprehur, siç shkroi në “Facebook”, ngushëllimet e sinqerta. Një tjetër kontradiksion logjik i Berishës, që na rrëfen se sa i “sinqertë” është ngushëllimi i tij. Se si mund Berisha të shprehë ngushëllime për viktima pjesëmarrëse në një puç dhe të vrarë nga gardistë që, po sipas Berishës, mbrojtën me vetëmohim dhe heroizëm institucionet dhe rendin kushtetues?! Por Berisha, në funksion të gënjeshtrës së tij të radhës, tha edhe një të vërtetë. Denoncoi 21 janarin “si ngjarjen më të rëndë në historinë e shtetit shqiptar për 80 vitet e fundit”. Po e tillë është kjo masakër. Dhe si në të gjitha ngjarjet tragjike në këta 23 vjet, në krye të saj ka qenë i përhershmi Sali Berisha!

Shqip

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here