Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë ka ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe në komunikimin zyrtar. Sipas “Zhurnal” ndryshe nga vitet e kaluara, kur ministrinë e drejtonin ministrat shqiptarë dhe dygjuhësia aplikohej në të gjitha nivelet, ministri aktual i Mbrojtjes, Zoran Jolevski ka ndërprerë praktikën e deritanishme dhe ka urdhëruar komunikimin vetëm maqedonisht.
Ndërkohë partia opozitare në Maqedoni, LSDM-ja ka kërkuar që të dënohen tifozët shqiptarë të Maqedonisë, të cilët festuan pak ditë më parë në Shkup e qytete të tjera pas ndeshjes Serbi-Shqipëri. Sipas LSDM-së, askush nuk ka të drejtë të prishë qetësinë e qytetarëve, siç ndodhi pas ndeshjes.
Policia e Tetovës ka thirrur në bisedë informative të gjithë tifozët të cilët dolën në sheshin “Iliria” . Siç bën me dije televizioni “Koha” tifozëve tetovarë u janë shqiptuar nga 200 euro dënime për prishjen e qetësisë publike.