Drejtoresha e Arsimit në Lushnjë zhvillonte edhe natën takime për të kërkuar paratë nga mësuesit e rrethit apo ata që prisnin emërimin.
Prokuroria, e cila ka hetuar për gati dy muaj veprimtarinë korruptive të Liza Tabakut, ka kryer përgjime në zyrën e Arsimit dhe jashtë saj, duke konfirmuar akuzën e ngritur ndaj saj. Në duart e hetuesve ndodhet dhe një bllok shënimesh me emra dhe shifra në krah, të cilat mendohet se lidhet me masat e arsimtarëve dhe shumat që duhet të paguanin tek ajo. Nga ana e prokurores Rovena Zoto u zbardhën dje në sallën e gjyqit provat e forta që rëndojnë ndaj Tabakut, të birit dhe një mësuesi fizkulture në rolin e sekserëve, ku për çdo lëvizje apo kanosje për largim nga puna kërkonin nga 3 mijë deri në 5 mijë euro.
DITAR ME PARATË E RYSHFETEVE
Një provë e fortë ndaj Tabakut, e emëruar nga LSI prej një viti në krye të Arsimit në Lushnjë, është një ditar, i cili u gjet gjatë kontrollit në banesën e drejtoreshës. Mësohet nga burime të prokurorisë se aty Tabaku mbante shënime në formë grafiku të largimeve nga puna, emërimeve të reja, transferimeve e duke mbajtur diku në krah edhe shënime në shifra, të cilat dyshohet të jenë shumat e lekëve që ata kishin dhënë për vendin e punës.