Reshjet e rrëmbyera të ditëve të fundit kanë sjellë një sërë problematikash në disa nga qytetet dhe fshatrat e vendit tonë. Dëmtime kanë ndodhur përgjatë luginës së Valbonës, duke rrezikuar daljen e këtij lumi nga shtrati. Kryetari i Komunës së Margegajt, Rexh Biberaj, tha se “si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut janë shembur disa ura si dhe një gjatësi e rrugës së sapondërtuar përgjatë luginës së Valbonës”. Sipas tij rrezikohet shembja e shkollës nëntë vjeçare në fshatin Dragobi si dhe e disa banesave që ndodhen pranë shtratit të lumit të Valbonës.
Malësi e Madhe
Pas vërshimit të përroit Vukpalaj në fshatin Kanicë të Malësisë së Madhe ka nisur evakuimi i banorëve të ndihmuar nga forcat e ushtrisë të cilët po bëjnë të pamundurën që banorët të evakuohen sa më parë. Si pasojë e vërshimit të përroit janë përmbytur 11 shtëpi në fshatin Kanicë si dhe janë përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore. Si pasojë e reshjeve të shumta është rrëzuar edhe ura provizore në fshatin Vukpalaj në aksin Shkodër- Hani i Hotit dhe për pasojë uji ka marrë me vete dy makina, por për fat të mirë pasagjerët kanë mundur të dalin në kohë nga mjetet. Ndërkohë mësohet se si pasojë e shembjes, është rënduar edhe trafiku në këtë aks rrugor.
Tropojë
Po kështu shirat e dendur kanë shkaktuar probleme në liqenin e Fierzës ku trageti i linjës Fierzë-Koman me rreth 200 udhëtarë në bord, është bllokuar dje në liqenin e Fierzës pa mundur të lundrojë në drejtim të Tropojës. Shkak i bllokimit të tragetit është bërë ngushtimi hapësirës së lundrimit në liqenin e Fierzës. Përrenjtë që zbresin nga mali, kanë shkaktuar në liqen sasi të mëdha inertesh të cilat për pasojë, kanë mbushur hapësirën duke ngushtuar kështu zonën e lundrimit si dhe duke krijuar cekëtinë.
Burime nga policia thanë trageti është detyruar të kthehet edhe njëherë në Koman, pasi nuk ka mundur të kalojë në hapësirën e ngushtuar të liqenit, ku ka pasur rrezik prekje dhe çarje nga inertet. Pasagjerët janë të detyruar të kthehen mbrapsht duke kërkuar mënyra të tjera për të udhëtuat drejt Tropojës.
Fier
Reshjet e shumta janë bërë shkak i daljes nga shtrati të lumit Vjosa duke shkaktuar përmbytje edhe në disa komuna të Fierit. Kështu, përmbytje ka pasur në komunat Frakull e Levan, si dhe në Serven, Kaparaj, e Ferras, ku situata paraqitet më problematike.
Nën ujë aktualisht janë rreth 500 hektarë tokë bujqësore, në këto komuna. Mësohet se janë përmbytur edhe pesë puse, që furnizojnë me ujë qytetin e Fierit, momentalisht nuk ka kufizime të ujit të pijshëm. Para disa ditësh Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me prefektët e vendit në lidhje me parandalimin e përmbytjeve apo avarive të tjera që mund të ndodhin nga shirat e shumta. Po mesa duket shirat e shumta kanë filluar të krijojnë probleme në disa zona të vendit tonë.
Shijak, mbeten të paidentifikuar autorët e vrasjes së dyfishtë babë e bir
Edhe pse policia e Durrësit ka marrë në pyetje 20 persona, akoma mbeten të paidentifikuar autorët e vrasjes së të dy personave, atë e bir pranë shtëpisë së tyre që ndodhet në kryqëzimin e katër rrugëve të Shijakut. Policia e Durrësit ka marrë në pyetje për sqarimin e rrethanave të ngjarjes rreth 20 persona të cilët kishin lidhje me viktimat. Ngjarja ndodhi ditën e martë rreth orës 18.00, në afërsi të katër Rrugëve të Shijakut, ku në rrugicën pranë banesës së tyre u ekzekutuan, atë e bir, Fatmir Sula dhe djali i tij, Izmir Sula, të dy lindur e banues në Komunën Xhafzotaj të Shijakut. Mësohet se policia ka ngritur grupin hetimor në përbërje të të cilit janë edhe specialistë të Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Policia dhe prokuroria e Durrësit po vijojnë ende punën për zbulimin e autorëve të ngjarjes, e cila dyshohet të jetë për larje hesapesh. Fatmir Sula 50 vjeç dhe Izmir Sula 20 vjeç punonin si kampistë në Shijak dhe nga personat e pyetur rezulton se ata bënin edhe rolin e sekserit për shitje dhe blerje tokash. Deri tani policia nuk ka mundur të konstatojë konflikte të mundshme të të dy viktimave po kështu as shkakun dhe autorin e vrasjes së rëndë. Fatmir dhe Izmir Sula kanë qenë fare pranë shtëpisë së tyre kur janë qëlluar nga një makinë në lëvizje me breshëri automatiku. Edhe pse kanë ata janë çuar me shpejtësi në spital dhe ndihma e mjekëve ka qenë maksimale, asnjëri prej dy viktimave nuk ka mundur të mbijetojë pasi të dy kanë patur plagë të shumta si pasojë e plumbave.
Zhvillohet ceremonia mortore e viktimave të Fratarit
Dje është zhvilluar ceremonia mortore e viktimave të aksidentit në fshatin Fratar, ku si pasojë e rrëzimit të një autobusi me pasagjerë humbën jetën nëntë persona. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës ku një autobus me 50 pasagjerë u rrëzua në një rrëpirë në fshatin Fratar në aksin rrugor Ballsh-Tepelenë ku si pasojë e këtij aksidenti humbën jetën nëntë persona dhe u plagosën 41 të tjerë. Ndërkohë Gjykata e Fierit pritet që të lëshojë masën e arrestit ndaj shoferit grek të autobusit, i cili akuzohet edhe si shkaktari i tragjedisë në Fratar. Përsa i përket gjendjes së të plagosurve të cilët pësuan aksidentin tragjik në aksin rrugor Fier-Tepelenë tashmë janë jashtë rrezikut. Një konfirmimi i tillë është dhënë nga drejtoresha e spitalit të Fierit, Donika Alushani e cila theksoi se janë 11 të aksidentuar që janë të shtruar për të marrë ndihmën e duhur mjekësore. Gjendja shëndetësore e të aksidentuarve është drejtë përmirësimit dhe se gjashtë nga të aksidentuarit do të bëjnë një skaner për të shmangur ndonjë komplikacion të mundshëm.
Lezhë, arrestohet 25-vjeçari, kapet me armë
Është arrestuar 25-vjeçari pasi është kapur nga policia e qarkut të Lezhës me armë. Burime nga policia e Lezhës bëjnë me dije se është arrestuar shtetasi Marjan Pjetri, 25-vjeç, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar nga policia në vendin e quajtur kryqëzimi i Urës së Matit, iu gjetën dhe iu sekuestruan një armë zjarri tip pistoletë, një karikator si dhe tetë copë fishekë. Ndërkohë materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, në ngarkim të shtetasit Marjan Pjetri.