Home Aktualitet Vlorë, arrestohet për korrupsion drejtori i Përmbarimit

Vlorë, arrestohet për korrupsion drejtori i Përmbarimit

652
0

Arrestohet me akuzën për korrupsion drejtori i Përmbarimit të Vlorës. Policia e Vlorës deklaroi dje se është bërë i mundur arrestimi i shtetasit Ernest Shimka, 28-vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në qytetin e Vlorës, me detyrë kryetar i Zyrës së Përmbarimit Vlorë me funksion drejtor pranë Përmbarimit në Vlorë. Shkak për arrestimin e drejtorit të Përmbarimit është bërë akuza e korrupsionit pasiv që rëndon mbi të. Shimka është arrestuar nga policia me mandat prokurorie. Dyshohet se afera korruptive financiare kanë çuar në hetimin prej disa javësh ndaj të dyshuarit Shimka, banor i Vlorës, pas denoncimit të mbërritur nga një qytetar. Sipas burimeve të policisë së Vlorës, ky i fundit dyshohet të ketë kërkuar rreth 10 milion lekë për ekzekutimin e një vendimi gjykate. Pas një hetimi, është bërë i mundur edhe arrestimi i tij. Kapja e të dyshuarit u bë përmes operacionit të koduar “Përmbaruesi”, pas një pune investigative disa ditore në bashkëpunim me Njësinë Task Force pranë Prokurorisë së rrethit Vlorë.
Arrestimi
Arrestimi i Shimkës u bë pasi dje rreth orës 15.00 u kap në flagrancë, pasi kishte marrë në formë ryshfeti një sasi parash prej 1 000 000 lekë të reja, me qëllim vendosjen në lëvizje të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor për dëmshpërblimin e këtij qytetari nga një kompani siguruese pas një aksidenti që qytetari kishte pësuar, dhe ku kishte humbur aftësi normale të jetesës. Policia e Vlorës ka bërë të ditur se, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 milion lekë të reja, dhe disa dokumente shkresore të cilat policia tha se lidhen me veprën penale, ndërkohë që po vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor të “këtij akti të pastër korruptim.

Poni: Emigrantët mund të aplikojnë dhe t’i tërheqin pasaportat në vendet ku jetojnë
Pasaportat biometrike, Poni: Aplikimi edhe në ambasada

Tani të gjithë emigrantët do të kenë mundësi të aplikojnë për pasaporta biometrike dhe karta identiteti në ambasadat shqiptare në shtetet ku ata punojnë dhe jetojnë. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Ferdinand Poni, ka sqaruar se po merren masat për të shmangur radhët e gjata të emigrantëve të cilët vijnë me pushime dhe duan të aplikojnë për pasaportat biometrike gjatë kësaj periudhe. Sipas zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, kjo është zgjidhja që do të reduktonte radhët e gjata në zyrat e aplikimit. Ministria e Brendshme ka nisur negociatat me kompaninë koncesionare dhe ministrinë e Jashtme, që emigrantët shqiptarë të aplikojnë për pasaportat biometrike në konsullatat shqiptare në vendet ku ata jetojnë e punojnë.
Deklarata
Në një konferencë për mediat, zëvendësministri Poni theksoi se kjo procedurë do të jetë e zbatueshme për tre muaj me qëllim që emigrantët të aplikojnë dhe t’i tërheqin më pas pasaportat në vendet ku jetojnë pa qenë nevoja të vinë në Shqipëri. “Po merren masa për të shmangur radhët e gjata të emigrantëve të cilët vijnë me pushime dhe duan të aplikojnë për pasaportë biometrike gjatë kësaj periudhe. Theksojmë se pasaportat e vjetra funksionojnë deri në momentin kur prodhohet pasaporta e re biometrike”, theksoi Poni. Ndonëse aktualisht kompania koncesionare arrin të prodhojë 3000 pasaporta në ditë ,në negociatat me ministrinë e Brendshme parashikohet që kjo shifër të dyfishohet dhe brenda dy viteve parashikohet të zëvendësohen të gjitha pasaportat e vjetra me ato biometrike. Ndër të tjera Zëvendësministri Poni tha se, “Kemi stacione aplikimi në të gjithë Shqipërinë. Pasaporta e vjetër nuk del e papërdorshme në momentin e aplikimit, por në momentin që prodhohet e re”, u shpreh Poni.
Përfitimet
Pak kohë më parë ministria e Brendshme u ka bërë thirrje qytetarëve të aplikojnë për pasaporta biometrike në mënyrë që të përfitojnë nga udhëtimi pa vizë në zonën shengen, pasi lehtësirat në këtë rast nuk janë të aplikueshme me pasaportat e vjetra të republikës së Shqipërisë. Ligji parashikon se qytetari fillimisht duhet të aplikojë për kartën e identitetit dhe më pas për pasaportën biometrike, por kjo procedurë mund të bëhet edhe njëherësh. Pasaportat biometrike janë një ndër kushtet e BE-së, për procesin e liberalizmit të vizave, pasi vetëm shtetasit e pajisur me këtë dokument do të mund të lëvizin pa viza drejt vendeve të zonës shengen.
Ministria e Brendshme, marrëveshje me departamentin e Mbrojtjes Civile Italiane

Ministria e Brendshme shqiptare dhe departamenti i Mbrojtjes Civile të Italisë, ka nënshkruar dje një marrëveshje dyvjeçare për të konsoliduar bashkëpunimin midis sistemeve kombëtare të emergjencave civile si dhe për të nxitur zhvillimin e mëtejshëm të projekteve të përbashkëta. Bazuar në këtë marrëveshje mirëkuptimi programet dhe projektet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e Mbrojtjes Civile do të rregullohen në vijim me marrëveshje teknike midis strukturave përkatëse të të dy vendeve. Në bazë të kësaj marrëveshjeje palët marrin përsipër, të nxisin zhvillimin e veprimtarive kërkimore të përbashkëta me synim administrimin e rreziqeve. Kjo marrëveshje nga pala italiane është nënshkruar në Itali nga Nënsekretari për Mbrojtjen Civile pranë Këshillit të Ministrave të Italisë, Guido Bertolaso, ndërsa nga pala shqiptare u nënshkrua nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni.
“Gërdeci” merr pushimet, shtyhet për në shtator

Gjykata e Tiranës ka mbyllur sezonin e proceseve për tragjedinë e Gërdecit, për shkak të pushimeve, duke e shtyrë takimin me palët për në tre shtator. Ndërkohë që të pandehurit do të presin çeljen e gjyqit në paraburgim dhe kjo kohë nuk do t’u llogaritet si kohë paraburgimi. Kjo pasi sipas gjykatës kjo seancë e fundit u shty për shkak të avokatëve mbrojtjes. Ky vendim i gjykatësit, Ridvan Hado, nuk u prit mirë nga avokati Maks Haxhia, i cili kërkoi që gjyqi të zhvillohej edhe dy seanca të tjera gjer në fund të korrikut. Por kjo kërkesë nuk u mor parasysh. Gjykata arriti të dëgjojë në këtë seancë vetëm pesë prej dëshmitarëve, sepse gjykatësja Fatmira Hajdari, kërkoi pushim gjysmë ore për t’u qetësuar. Por pas kësaj 30 minutash pritjeje, disa nga avokatët nuk u rikthyen në sallë. Kjo është seanca e parafundit, përpara se gjyqtarët të nisin pushimet verore, për ta rinisur procesin sërish në shtator.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here