Home Aktualitet Majlinda Bregu, nje kauze ne emer te gruas

Majlinda Bregu, nje kauze ne emer te gruas

816
0

majlinda-breguNuk është aspak një ditë pushimi, gjithsesi ministrja Majlindja Bregu rezervoi për Elegance një takim miqësor në shtëpinë e saj. Na fton të hyjmë brenda. Rrezet e diellit depërtojnë në çdo cep të dhomës së ndenjes. Ulemi dhe pa nisur ende biseda zonja Bregu nuk harron të na ofrojë diçka për të pirë, madje edhe një ëmbëlsirë të lehtë. Kur e sheh se si bisedon plot pasion për gjithçka lumturohesh. Nuk mund të harrojë të na rrëfejë për karrierën dhe integrimin e Shqipërisë në BE, familjen dhe kohën e lirë por të pakët, që kalon me ta, e deri tek lulet në verandë dhe pikturat që mbushin gjithë shtëpinë. Kjo të bën të mendosh se Majlinda Bregu është jo vetëm një grua e zonja, por edhe plot energji. Pikërisht energjia është bërthama e punës së saj kudo. Këtë ditë e takuam për të folur për nismën e saj më të re, rekomandimin që i ka drejtuar ministrit të Drejtësisë për disa ndryshime në ligjin për mbrotjen e grave nga dhuna në familje…! Pra, një kauzë dedikuar gruas!

Në një intervistë keni thënë “Rritja e numrit të grave në politikë, sjell më shumë ide”, a është ndjerë ndërkaq kjo prurje?

Kam thënë dhe e besoj se në politikë, si kudo, gratë janë gjenerator idesh. Besoj fort se nëse për shumë burra në parlament ka gjithmonë vend, pavarësisht se një pjesë e tyre mund të jenë edhe mediokër, për gratë sfida është jo vetëm numri i vendeve por dhe paragjykimi, pavarësisht faktit nëse janë apo jo mediokre, do të bëjnë apo nuk do të bëjnë vërtet punë të mirë.

Flisni për mediokritet meshkujsh në parlament. Bota jashtë asaj godine ka edhe më shumë të tillë, edhe më të rrezikshëm, që jo vetëm e paragjykojnë por dhe e nënshtrojnë, dhunojnë gruan. Ju keni nisur një tjetër betejë të fortë ndaj tyre, me nismën tuaj të re për dënime më të ashpra ndaj dhunës në familje, të cilat ia keni propozuar ministrit të Drejtësisë dhe Kuvendit për t’u shtuar në kodin penal. Ç’ju nxiti pikërisht në këtë kohë?

Rastet e dhunës në familje fatkeqësisht kanë qenë jo të pakta, por gjithmonë e më rrënqethëse. Dhuna në familje nuk është fenomen vetëm i shoqërisë shqiptare, por në rastin tonë ka një tipologji ndryshe: mungesa e aftësive për të menaxhuar konfliktin. Këtu s’e kam fjalën vetëm për dhunën në familje, por për të gjitha rastet e shfaqjes së dhunës ekstreme. Nuk e shpjegoj dot ndryshe këtë veçse me një kulturë të kultivuar keqas, të mënyrës së zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me dhunë, duke shkelur hapësirat e tjetrit, duke pretenduar atë që nuk të takon dhe fatkeqësisht e përsëris, duke mos marrë dënimin që meriton.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here