Home Aktualitet Lulzim Basha zgjidhet kandidat për bashkinë e Tiranës.

Lulzim Basha zgjidhet kandidat për bashkinë e Tiranës.

734
0

Strukturat e PD-së kanë vendosur “fshehurazi” emrin e kandidatit për bashkinë dhe kanë nisur sondazhet për të parë popullaritetin. Sondazhi i parë i organizuar nga PD: Lulzim Basha tre pikë poshtë Edi Ramës

TIRANË- Edhe pse ende nuk e ka publikuar zyrtarisht, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka përzgjedhur kandidatin e tij për bashkinë e Tiranës. Ai është ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili ka marrë miratimin e kryeministrit Berisha dhe tashmë është në fazën e testimit të elektoratit. Burime brenda Partisë Demokratike pohuan se kryeministri i ka dhënë Bashës besimin për të kandiduar dhe ndërkohë ka nisur sondazhet për popullaritetin e tij. Pak a shumë Berisha ka zgjedhur kandidatët në të gjitha bashkitë kryesore të Shqipërisë dhe momentalisht është duke zhvilluar sondazhe për ta. “Shekulli” ka mundur që të mësojë vetëm rezultatin e sondazhit të zhvilluar në Tiranë.
Basha
Pak ditë më parë demokratët kanë zhvilluar në të gjithë vendin sondazhe për të parë mbështetjen që kandidatët gëzojnë në bazë. Ndonëse ishte përfolur që ministri i Brendshëm Lulzim Basha është nga kandidatët e mundshëm për të rivalizuar kandidatin e së majtës, ai pritet që të jetë edhe kandidati zyrtar i demokratëve për zgjedhjet e 8 Majit. Në sondazhin paraprak të zhvilluar për zgjedhjet vendore, ministri aktual i qeverisë Berisha ishte përcaktuar si kandidati për kreun e Bashkisë së Tiranës. Ajo që bie në sy është që demokratët e shohin sërish liderin e opozitës Edi Rama si kandidat në zgjedhjet e ardhshme për bashkinë e kryeqytetit. Vetë lideri i opozitës nuk e ka pohuar një fakt të tillë, por as e ka mohuar ambicien për një mandat të katërt si kryebashkiak. Nga sondazhi i parë i zhvilluar në mënyrë të fshehtë nga Partia Demokratike, fitues në zgjedhje ka dalë lideri i opozitës me 3 pikë përpara Bashës. Në tre zgjedhjet e fundit për bashkinë e kryeqytetit, Edi Rama ka dalë fitues me një avantazh të dukshëm përballë rivalëve demokratë. Në këtë mënyrë emri i Bashës është bërë i njohur për të gjithë bazën e PD-së së Tiranës si kandidati i tyre për bashkinë.
Procedura
Sipas nenit 34 të statutit të selisë blu, kandidaturat për zgjedhjet në pushtetin lokal e Kuvendin e Shqipërisë konsultohen nga gjithë anëtarësia e PD. Kryesia e Nëndegës formulon propozimet në emër të saj, sipas procedurave të përcaktuara nga Kryesia e PD, dhe ia paraqet Kryesisë së Degës. Kjo e fundit vendos për kandidaturat e këshilltarëve lokalë (komuna, Bashki, qark). Për Bashkitë e kategorisë së parë, lista e këshilltarëve të përgatitur nga kryesia e Degës, miratohet nga Kryesia e PD. Me orientim të Kryesisë së PD kryesitë e Degëve mund të vendosin edhe për kandidatët e PD për kryetarë lokalë me më pak se dy mijë votues. Statuti përcakton se kryesia duhet të informohet për çdo hap të procesit të daljes së kandidaturave dhe se ka të drejtën e ndërhyrjes sa herë që e sheh të domosdoshme.

Ministri i Brendshëm ka nisur fushatën në kryeqytet duke u takuar kryesisht me gjimnazistët

Basha fushatë të fshehur pas “liberalizimit të vizave”

Ideja e Berishës për të lançuar Lulzim Bashën si kandidati më i mundshëm për bashkinë e Tiranës ka kohë që përflitet në qarqet politike, por edhe në bazën e PD-së së Tiranës. Ministrit të Brendshëm po i atribuohet qëllimisht çdo sukses për liberalizimin e vizave dhe po shfaqet gjithnjë e më shumë në krah të kryeministrit në prezantimin e arritjeve të qeverisë.
Edhe në koncertin festiv për liberalizimin e vizave, Basha u shfaq në podium së bashku me Berishën, i cili kishte lënë poshtë figura të PD-së që kishin punuar realisht për liberalizimin e vizave. Paralelisht me mbështetjen e kryeministrit, Basha ka nisur vetë fushatën tek të rinjtë e Tiranës me moton: Të informojmë të rinjtë për procesin e liberalizimit të vizave. Dalja e tij e shpeshtë, si në media ashtu edhe në aktivitete që kanë të bëjnë me sensibilizimin e qytetarëve të Tiranës, për respektimin e kritereve pas heqjes së vizave nuk është e rastësishme. Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, po nis fushatën elektorale për ta garuar përballë Ramës për bashkinë e kryeqytetit.
Basha ka hyrë në PD, në vitin 2005, me rekomandimin e veçantë të Argita Berishës dhe shumë shpejt u kthye në një prej personave më të rëndësishëm si brenda strukturave partiake ashtu edhe në qeveri. Mbrojtja e kreut të qeverisë për ministrin e tij besnik është parë qartë edhe në ditët më të vështira të Bashës. Në atë kohë, ai akuzohej nga Prokuroria për skandalin e 1.3 milionë eurove të Durrës-Kukës, por kryeministri pohoi se vendimi ishte kolegjial nga të gjitha ministrat dhe Basha nuk kishte asnjë përgjegjësi.

Kandidatët e PD-së përballë Ramës
Besnik Mustafaj 2000
Spartak Ngjela 2003
Sokol Olldashi 2007

Lulzim Basha
Veprimtaria politike:
Shtator 2009-në vazhdim Ministër i Brendshëm
Maj 2007-Shtator 2009 Ministër i Punëve të Jashtme
Shtator 2005-Maj 2007 Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
Maj – Korrik 2005 Zëdhënës i Fushatës Zgjedhore 2005
Maj 2005 dhe në vazhdim Anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike
Prill 2005-në vazhdim Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike
Janar 2005-në vazhdim Koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave, Partia Demokratike, Tiranë
Nëntor 2002-Janar 2005
Deputet i Legjislaturës XVII të Kuvendit të Shqipërisë

Rama i shmanget përgjigjes për rikandidimin
Nga të dyja kampet, si në Partinë Demokratike apo në Partinë Socialiste, po tregohet një kujdes i madh lidhur me kandidaturat e mundshme që do të përballen në betejën e ardhshme të zgjedhjeve vendore. Edhe kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili është njëherësh drejtuesi i Partisë Socialiste, në daljet e tij publike i është shmangur gjithmonë pyetjes nëse do të kandidojë në zgjedhjet e 8 majit 2011. “Është shumë herët për të folur për këtë, por është e sigurt se ne do të eksplorojmë çdo kandidaturë potenciale edhe për Bashkinë e Tiranës”,-është përgjigjur Rama në intervistën e tij të fundit me mediat. I pyetur nëse e përjashton mundësinë që të jetë kandidat, vetë kryebashkiaku i kryeqytetit nënvizoi se nuk e përjashton këtë gjë, por as nuk e quan një fakt të mirëqenë. Në këtë mënyrë lideri i opozitës jep një tjetër përgjigje që nuk ndan çështjen e rikandidimit. Por, në Partinë Socialiste ai që po përflitet gjithnjë e më shumë për t’u përballur në zgjedhjet e ardhshme vendore është kryesocialisti Edi Rama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here