Duhej të paguante një milion lekë të vjetra, borxhliu vret pronarin e pikës së basteve dhe plagos kushëririn dhe shokun e tij. Policia arreston autorin e krimit një orë pas ngjarjes Kamzë, ndërsa ai tentonte të largohej për t’u fshehur tek disa të afërm të tij. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme rreth orës 15:00, në një bllok pallatesh, pranë kthesës së Kamzës, të njohur me emrin pallatet e malajzianit, kur Ferat Skacaj, goditi disa herë me thikë në bark Murat Matën, 40 vjeç, banues në këtë zonë, duke e lënë të vdekur. Po ashtu Skacaj qëlloi me thikë dhe la të plagosur rëndë kushërinjtë e viktimës, Petrit Matën, djali i xhaxhait të Murat Matës, ndërsa u plagos shoku i tij, Dritan Murati.
Policia arriti të ndalonte autorin e dyshuar të ngjarjes, Ferat Skacajn, të fshehur në një godinë konvikti të Universitetit Bujqësor (Instituti Bujqësor) në Kodër Kamëz. Policia i bllokoi autorit të dyshuar të krimit, armën me të cilën mendohet të jetë kryer vrasja në afërsi të komleksit të pallateve. Autori i krimit, iu dorëzua policisë pa ndonjë rezistencë dhe pa iu folur atyre asnjë fjalë mbi ngjarjen. Shkak për konfliktin mësohet të jetë bërë pamundësia e autorit të dyshuar të krimit për të shlyer borxhin, ndërsa ishte i papunë dhe jetonte në gjëndje të rëndë ekonomike në një banesë pranë kompleksit të malajzianit në drejtimin verior të këtyre pallateve matanë hekurudhës së trenit.
Vrasja
Për shkak të borxhit të prapambetur të Ferat Skacajt, ndaj Murat Matës, ata kishin lënë një takim së bashku dy ditë më parë, dhe duhej të takoheshinn pikërisht, pranë Kompleksit të Malajzianit, ku edhe kishte pikën e tij të basteve Murat Mata. Sipas burimeve të policisë, një nga të plagosurit, i ka treguar atyre se Murati i kishte kërkuar Feratit të takoheshin për të sqaruar mundësinë e shlyerjes së shpejtë të borxhit, pasi sipas pretendimeve, kohët e fundit ai po iu shmangej atyre dhe për më tepër po i mashtronte. Sapo janë takuar dje në mesditë, Skacaj i pohoi Muratit se nuk kishte para për të paguar borxhin por se po përpiqej t’ia paguante. Pas këtij pohimi mes tyre nisën debatet dhe ndaj Skacajt tre personat nisën të ushtronin dhunë duke e qëlluar dhe e goditur me sende të forta dhe grushte.
I gjendur në rrethana të tilla, ai nxori një thikë që mbante me vete duke ua ngulur agresorëve të tij. I pari që u gjend në ballë të goditjeve qe pikërisht pronari i pikës së basteve i cili mori disa goditje me thikë në bark. Më pas mbeti i plagosur edhe kushëriri i afërt i tij, Petrit Mata, ndërsa shoku i tyre Dritan Murati, mori një plagë më të lehtë. Murat Mata ndërroi jetë menjëherë sapo mbërriti në spital, ndërsa Petrit Mata, mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë, në spital. Dritan Murati, sipas policisë, pas mjekimit të marrë la spitalin dhe u mor nga policia për t’u pyetur në lidhje me ngjarjen.