Home Politike Lulzim Basha: Vlerësim të pronës dhe krijim të hapësirave

Lulzim Basha: Vlerësim të pronës dhe krijim të hapësirave

511
0

Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha ka bërë publike pikat kryesore të planit të ri urbanistik të Tiranës. Koefiçienti i vlerësimit të pronës do të jetë më i lartë, si dhe do të krijohen më shumë hapësira publike. Në njësinë bashkiake numër 10, ku prezantoi kandidatin për kryetar të kësaj njësie, Blendi Fuga, Lulzim Basha bëri te ditur se nisja e investimet për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve do të jetë realiteti i parë i prekshëm nën drejtimin e Bashkisë, prej tij. Po kështu, Basha tha se qytetarët e Tiranës nuk do të kenë më nevojë ti drejtohen bashkisë së madhe për të marrë leje për volume të vogla ndërtimesh, por do ta marrin atë pranë njësisë bashkiake.
Deklarata
“Nëse jeni ngopur me politikë, nëse jeni plot me shpresë për një qytet tjetër, nëse jeni gati ta vendosim qytetin tonë të parin, qytetarët tanë të parët, atëherë unë iu them se unë jam gati. Jam në shërbimin tuaj, jam në dispozicionin tuaj dhe do të punoj me mish dhe me shpirt për t’ia arritur kësaj. Do ta nisim me investimet, me ndërhyrjet nga nënkalimet dhe parkimet nëntokësore brenda qytetit, deri në vepra të tilla të cilat sot janë po aq të pamendueshme sa Durrës-Kukës para 5 vitesh, po aq të papërfytyrueshme sa lëvizja e lirë e qytetarëve para 3 apo 4 vitesh, por që nesër do të jenë një realitet i prekshëm për qytetarët e Tiranës”, tha ai. Ndërkohë ka shtuar se “nga tramvaji Kinostudio-Kombinat, tek Unaza e madhe e cila do të qarkojë qytetin. Në planin urbanistik të Tiranës, dy do të jenë kriteret themelore, koefiçenti më i lartë i mundshëm i zhvillimit të pronës private, dhe rifitimi maksimal i hapësirave publike. Ç’kuptim ka të vërtiteni me letra në duar, të paguani tarifa pas tarifash, kur ju pikon çatia, për të hapur një dritare të vetme, apo për një volum të vogël ndërtimi. Kjo duhet të marrë fund dhe kjo do marrë fund sepse këto kompetenca dhe shumë e shumë kompetenca të tjera, do të vijnë në nivelin më afër qytetarit tek Kryetari i Njësisë Bashkiake, dhe më pranë jush. Sot unë ju premtoi se nisja e investimit për sistemin modern të ujësjellës-kanalizimeve për qytetin e Tiranës do të jetë prioriteti numër një dhe realiteti i parë i prekshëm për ju, në drejtimin e Bashkisë nga unë”. Kandidati për kryetar të bashkisë së Tiranës, garantoi se pas 9 majit, kur bashkia do të drejtohet prej tij, Tirana nuk do të ketë më vendimmarrës anonim, apo një të vetëm, por të gjithë qytetarët e Tiranes do të jenë bashkë-vendimmarrës për fatet e qytetit.

Berisha nga Vora: Sloganet e Ramës dëshmojnë frikën nga mëkatet
Nga Vora ku çeli fushatën për prezantimin e kandidatit për kryetar bashkie të “Aleancës për qytetarin” Fiqiri Ismaili, që garon për një mandat të dytë, lideri demokrat Sali Berisha deklaroi se dy sloganet elektorale të Edi Ramës “E vetmja rrugë” dhe “Fajin e ka Saliu” dëshmojnë frikën e kryebashkiakut dhe liderit të opozitës Edi Rama nga mëkatet e tij. Këtu sikundër edhe në çdo miting tjetër elektoral shefi i mazhorancës e garantoi kundërshtarin e tij politik se nuk do të harxhojë asnjë sekondë kohë duke folur për mëkatet e tij, pasi do të flasë vetëm për ata që janë të parët, qytetarët. “Vora hyrja moderne e Tiranës është dhe do jetë motoja jonë”, u shpreh kryeministri duke theksuar se kandidati Fiqiri Ismaili për kreun e bashkisë së Vorës është një menaxher i shkëlqyer. Shefi i qeverisë iu referua tragjedisë së Gërdecit që preku Vorën tre vite më parë, duke vlerësuar me nota të larta punën tejet të lartë menaxhuese të kryebashkiakut të Vorës Fiqiri Ismaili. Sipas Berishës fitorja e Fiqiri Ismailit në zgjedhjet e 8 majit do të shndërrohet në mbështetje për të gjithë banorët e Vorës. Kryeministri Berisha u dha fjalën e tij banorëve të Vorës se qeveria do të ndërtojë dhe asfaltojë çdo rrugë të bashkisë së Vorës, çdo shkollë për fëmijët e Vorës si dhe do të investojë për punësimin e banorëve të saj.
“Do investojmë së bashku për Pallatin e sportit, për çdo fushë të këtyre qytetarëve”, premtoi kryeministri duke nënvizuar se qeveria e tij në katër vite në Bashkinë e Vorës ka investuar 50 herë më shumë se qeveritë socialiste në të tëra vitet e mëparshme. Ai rikujtoi se qeveria e tij ka investuar 20 milion euro për Vorën, duke nënvizuar se “alternativa e ‘Aleancës për Qytetarin’ është ajo me të cilën duam të ndryshojmë çdo ditë jetën tonë”. Shefi i mazhorancës deklaroi se në qendër të alternativës së koalicionit të mazhorancës është vendosur qytetari, duke theksuar se me këtë alternativë do të ndërtohet Vora e zhvilluar. Kryeministri Berisha theksoi se Vora është bashkia e transformimeve të mëdha. Këtu ai rikujtoi se qeveria ka dyfishuar pensionet e ulta në këtë bashki. Lideri demokrat u tha banorëve të Vorës të tubuar në mitingun elektoral se sot ata janë mbledhur si një vend anëtar i NATO-s, si qytetarë të lirë që lëvizin pa viza në Europë.

Ministri i Punëve të Jashtme pret një grup diplomatësh të rinj nga Turqia
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto priti dje në takim një grup diplomatësh të rinj nga Turqia, të cilët po vizitojnë vendet e Ballkanit në kuadër të një turi diplomatik. I pranishëm në këtë takim ishte edhe Ambasadori i Republikës së Turqisë në vendit tonë, z. Hasan S. Asan. Z. Haxhinasto, pasi u uroi mirëseardhjen diplomatëve të rinj nga Turqia, foli për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe të gjithanshme që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Zv.kryeministri Haxhinasto vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm me Turqinë mike, jo vetëm në kuadrin dypalësh, por edhe atë shumëpalësh, si aleate në NATO, duke veçuar mbështetjen e Turqisë për stabilitetin rajonal, veçanërisht kontributin e saj për shtimin e njohjeve të reja të Kosovës. Në vazhdim, z. Haxhinasto iu përgjigj interesimit dhe pyetjeve të diplomatëve të rinj, lidhur me integrimin ekonomik të rajonit, rolin e shqiptarëve në diasporë dhe në rajon, bashkëpunimin ekonomik, etj. Në fund të takimit, duke vlerësuar edhe njëherë marrëdhëniet miqësore dhe tradicionale mes dy vendeve tona, ai i përshëndeti me urimin që një ditë diplomatët e rinj turq t’i shohë duke shërbyer në Tiranë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve shqiptaro-turke.

Xhixho: 8 maji, sfida e të gjithëve për të ndërtuar diçka bashkë
Angazhim dhe mbështetje duke qëndruar pranë dhe duke i dhënë zgjidhje të menjëhershme halleve dhe shqetësimeve të tyre, kjo është ajo që kandidatja për Njësinë Bashkiake numër 5 në Kryeqytet, Erisa Xhixho, ka premtuar banorëve të kësaj njësie. Prej vitesh, banorët e kësaj lagjeje vuajnë mungesën e një ambienti çlodhës për të moshuarit, por dhe fëmijët e tyre, prandaj gjatë takimit, që Xhixho ka zhvilluar e ta, ata kanë kërkuar ndihmë për këtë situatë, ku territori pranë pallateve të tyre është kthyer veçse në një parkim për makinat që kalojnë aty rastësisht. Nga ana tjetër, Xhixho ka theksuar se 8 maji do të jetë pikërisht zgjidhja e problemeve dhe halleve të qytetarëve, e cila do të jetë një sfidë e të gjithëve për të ndërtuar diçka bashkë. Pasi, sipas saj, këto zgjedhje nuk janë zgjedhje politike, por janë zgjedhje për qytetarin, për zgjidhjen e halleve dhe problemeve të tyre. Xhixho ka premtuar se dëgjimi i halleve të qytetarëve nuk është vetëm pjesë e fushatës, por kjo gjë do të vazhdojë dhe në ardhmen, dhe pas 8 majit në këtë mënyrë çdo gjë do të marri zgjidhje të menjëhershme. “Obligimi dhe angazhimi im maksimal do jetë të çliroj gjithë hapësirat publike që t’i vëmë në dobi tuajën. Çlirojmë këto hapësira, çlirojmë dhe stresin tuaj për ambiente çlodhëse, për ambiente për fëmijët tuaj, dhe për nipërit tuja për t’i çliruar nga çdolloj stresi dhe për t’i menaxhuar këto hapësira që kanë ngelur. Kjo besoj se është një nga detyrat kryesore që kryen bashkia, që t’ju japë ju një mundësi për t’u qetësuar, për t’u relaksuar, për të ndenjur me nipërit dhe mbesat tuaja” u shpreh Xhixho.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here